“Shehi më tha mos u kthe më”, Xhixha zbulon në “Panorama TV” të pathënat e transferimit te Karabak: Më vjen keq për rivalitetin me Skukën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2023 | 0:05

“Shehi më tha mos u kthe më”, Xhixha zbulon në “Panorama TV” të pathënat e transferimit te Karabak: Më vjen keq për rivalitetin me Skukën

Redon Xhixha vetëm dje është zyrtarizuar si lojtari më i ri i Karabak. Sulmuesi la bardheblutë për këtë aventurë të re në Azerbajxhan, në një transferim të papritur drejt një klubi të njohur. Ai ka zbuluar gjithçka rreth kësaj lëvizje në intervistën e tij me Skype në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, në bashkëbisedimin me moderatoren Vjosana Nozllaku.

bandicam 2023-01-25 16-33-17-790

“Dje kam ardhur dhe po ambientohem me vendin, por deri tani jam mirë. Duket mirë dhe besoj se do të ambientohem shumë shpejt.

Të them të drejtën këtë pjesën e Karabakut nuk e dija, deri dy ditë para se të bëhej ky transferim dhe janë marrë menaxherët e mi. Në ditën e ndeshjes me Tiranën më thanë që ka marrë fund, është e kryer.

Si e pritën te Tirana? Ndoshta edhe mund të jenë mërzitur pak se isha golashënuesi i skuadrës, por ndoshta edhe janë gëzuar se solla të ardhura për skuadrës. Por edhe për mua se po provoj një eksperiencë jashtë dhe mund të bëj hapa të tjerë përpara. Peng nuk kam, pasi isha te Tirana dhe fitova kampionatin e Superkupën, isha golashënuesi i skuadrës e Superiores deri në momentin që u largova. Kam qenë jashtëzakonisht i lumtur, do më mungojë ekipi, se kam kaluar 1 vit e gjysmë se i kam si familje, jo si shokë, do të më mungojë qyteti. Por do të mundohem të ambientohem sa më shpejt këtu.

Tirana është Tirana, është ekipi që vetëm me emër kundërshtarët e kanë pak frikë. Sa i përket kampionatit, jam i sigurt se do të bëjnë mirë dhe do ta fitojnë, ua kam dhënë fjalën që do të vij në maj që të çojmë kupën numër 30 e shpresoj të jem atje se jam i bindur që Tirana do të ngrejë trofeun.

Të gjithë ishin të gëzuar për mua, edhe ditën e fundit që i takova me trajnerin ishin të gëzuar e më uruan gjithë të mirat. Trajneri më tha “Shko e të uroj të të ecë mirë, dhe mos u kthe në Shqipëri, vetëm pas disa viteve, shumë, shumë larg. Largohu , bëj më mirë atje e mos u kthe në Shqipëri, vetëm në fund të karrierës”. Edhe çunat ishin të gëzuar se falë tyre e trajnerit ia dola të bëja këtë transferim, se kanë dhënë  ndihmën e tyre. Pa ta nuk do të bëja kaq mirë sa bëra, me ndihmën e tyre dola në pah edhe unë e u transferova.

Rivaliteti me Skukën? Të them të drejtën me erdhi pak keq se ishte diçka e bukur se ishin dy ekipet  e kryeqytetit dhe dy sulmuesit e tyre. Ishte një luftë për titull mes dy skuadrave por edhe për “Këpucën e Artë” mes sulmuesve të Tiranës dhe Partizanit. Ika unë, iku edhe Skuka, unë ia thashë ditën e fundit, dua që “Këpucën e Artë” ta fitojë Hasani, sepse është një lojtar jashtëzakonisht i mirë dhe ka shumë cilësi. Skukës i uroj shumë fat në ekipin e tij dhe t’i shkojë sa më mbarë e të shënojë sa më shumë gola  dhe të bëhemi bashkë në Kombëtare, të harrojmë këtë rivalitetin që kishim e golat t’i bëjmë për kombëtaren.

Drejtori sportiv dhe pjesëtarët e tjerë të stafit më pritën shumë mirë, edhe tifozët më kanë dërguar jashtëzakonisht shumë mesazhe mirëseardhje. Trajnerin dhe lojtarët nuk i kam takuar se nuk janë në qytet meqë kishin ndeshje, nesër do i takoj të gjithë. Ekipi është në Ligën e Konferencës dhe jam i lumtur, shpresoj të shënoj dhe të vazhdojmë më lart.

Bisedë me Agollin? Po, kam folur dje me të, kisha një bisedë jo shumë të gjatë me të. Më uroi e më dha disa këshilla e shpresoj që të ndjek historinë që ka te klubi i Karabak se me sa kam parë këtu ai ka qenë legjendë.

Karabaku dhe Tirana? Nga mënyra e lojës nuk ka shumë ndryshim se ka të njëjtën lojë si Tirana, ndaj shpresoj të ambientohem shumë shpejt me të.

Si e priti familja? Normalisht ishin të gëzuar se është një ditë që e prisnim të vinte, që të transferohesha jashtë Shqipërisë. Por paralelisht edhe të mërzitur se nuk do jem çdo ditë në Shqipëri. Por ky është futbolli, tani do të ndjek rrugën e jetën time e të vazhdoj përpara.

Jeta personale? Xhixha është në Karabak e do jetojë këtu… (qesh) Normale që edhe njohim e flasim me goca, por Xhixha tani është single. Momentalisht nuk e kam mendjen aty se ky muaj realisht ishte edhe pak stres e i përkushtuar te karriera. A do bëhej apo jo transferimi dhe nuk kemi pasur kohë për ato gjera. Ndaj Xhixha është single”, tha ndër të tjera Xhixha.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"