Sezoni për t’u harruar, ja lojtarët e Kukësit që iu rrit dhe iu ul vlera në treg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2023 | 23:10

Sezoni për t’u harruar, ja lojtarët e Kukësit që iu rrit dhe iu ul vlera në treg

Kur një skuadër merr rezultatet dhe e mbyll edicionin me sukses, jo vetëm rrit reputacionin dhe të ardhurat e saj, por ndikon edhe te rritja e vlerës së lojtarëve në treg.

Kukesi festa

Për Kukësin, sezoni i fundit ishte për t’u harruar, sepse mbijetoi vetëm në javën e fundit të kampionatit, ndërkohë që objektiv minimal kishte Kupat e Europës.

Ky dështim ka ndikuar edhe te rënia e lojtarëve, të paktën sipas shifrave që bën faqja e specializuar “Transfermarkt.com”. Gazeta “Panorama Sport” i bëri një vëzhgim ulje-ngritjeve së këtyre vlerave dhe për fat të keq nuk janë të paktë lojtarët që kanë pësuar rënie.

NË RËNIE – Të paktën 9 futbollistë kanë pësuar një rënie të vlerës dhe kryesisht janë ata me peshën më të madhe në skuadër. Një rënie drastike edhe për shkak të mosaktivizimit të shpeshtë ka pasur maqedonasi Antonio Ilieski.

Mbërriti verën e kaluar te Kukësi me një vlerë prej 250 mijë eurosh në treg, ndërsa e mbyll sezonin me 150 mijë euro, pra 100 mijë euro më pak.

Kjo listë vijon me Gabriel Barbosën dhe Betim Halimin, të cilët tani kushtojnë 75 mijë euro më pak. Më pas, janë plot 6 lojtarë që në fund të këtij sezoni kushtojnë 50 mijë euro më pak dhe bëhet fjalë për vëllezërit Taipi, Edison Ndrecën, Mirza Delimedjac, Angelo Tafas dhe Jakup Berishën.

NË RRITJE – Nga ana tjetër, ka pasur disa lojtarë që kanë zhvilluar një sezon pozitiv në aspektin personal dhe janë futur në treg si futbollistë që Kukësi edhe mund të përfitojë prej tyre. Kur Atdhe Rashiti mbërriti në janar te Kukësi nuk kishte një vlerë të caktuar në treg, ndërsa tani kartoni i tij kushton 200 mijë euro.

E njëjta situatë edhe për Abdou Mbarak, ku nga 50, tani vlen 200 mijë euro. Një nga zbulimet e këtij sezoni ishte djaloshi Daniel Momoh, me nigerianin që kushton 75 mijë euro. Kësaj liste i shtohet edhe Redon Dragoshi, ku nga 75 mijë euro, tani në treg kuotohet plot 125 mijë euro.

Ndërkohë, gjatë këtij sezoni janë edhe 6 lojtarë që nuk kanë pësuar lëvizje në vlerën e tyre në treg, kjo në sajë edhe të performancës që kanë pasur.

Bëhet fjalë për kroatin Edi Basha që vlen 250 mijë euro, për të vijuar më pas me Franko Lamçen, Ebert Da Silvën dhe Altin Bytyçin me një vlerë prej 200 mijë eurosh. Mbyllin këtë listë Ergys Peposhi dhe Françesko Hasaj, me nga 150 dhe 100 mijë euro të vlerës në treg.

VLERAT E PANDRYSHUARA

LOJTARI VLERA

EDI BASHA 250.000 EURO

FRANKO LAMÇE 200.000 EURO

EBERT DA SIVLA 200.000 EURO

ALTIN BYTYÇI 200.000 EURO

ERGYS PEPOSHI 150.000 EURO

FRANÇESKO HASAJ 100.000 EURO

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"