Rokadë në stol/ Vendim i papritur, klubi i Kategorisë së Parë emëron trajner… Bubeqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2023 | 11:42

Rokadë në stol/ Vendim i papritur, klubi i Kategorisë së Parë emëron trajner… Bubeqin

Burreli ndryshon trajnerin. Pak orë para rifillimit të Kategorisë së Parë, klubi ka marrë një vendim të papritur. Deri dje ekipi u stërvit nga Renato Hoti, por sot pritet që “frenat” t’i marrë dikush tjetër.

Bubeqi

Do të jetë Dorjan Bubeqi, i pari i stoli të matjanëve për pjesën e dytë të këtij sezoni. Nuk ka më asnjë dyshim, pasi ishte vetë kavajasi që e konfirmoi për “Panorama Sport”: “Po është e vërtetë. Kam arritur akordin me drejtuesit. Sot (nesër) do të prezantohem”. Në debutim ai do të përballet me shkuarën, pasi javën e 12-të do ta luajnë me Besën. Kundërshtarin e njeh mirë dhe ky do të jetë një “bonus” i madh për 44-vjeçarin.

MISTER “HOTI” Ky lajm ka ardhur si “rrufe” edhe për vetë ish-trajnerin, të paktën këtë ka lënë të nënkuptohet gjatë bisedës me gazetën. Edhe pse u pyet konkretisht për këtë “rokadë”, ai nuk ka pranuar që të japë detaje: “Sapo përfundova stërvitjen dhe po përgatitemi seriozisht për ndeshjen e radhës. Do të presim Besën në Burrel”. Pistat e kësaj lëvizjeje nuk dihen. Dorëheqje apo shkarkim, kjo mbetet për t’u mësuar në vijim. Nuk përbën habi fakti që Renato Hoti të mbetet pjesë e stafit teknik, sidoqoftë kjo dilemë do të marrë zgjidhje vetëm sot.

TENTOHET DIOGO Burreli nuk ka qëndruar pasiv në merkato. Që prej hapjes së tregut të transferimeve, janë përforcuar ndjeshëm. Kadri Birja, Donat Toma, Enbija Shehu, Gentian Binishi dhe Deivid Silva Kosta janë afrimet e konfirmuara. Sakaq, zyrtarisht është larguar Xhon Mora dhe Sinan Dani. Ky i fundit është kthyer te Dinamo, pasi i mbaroi afati i huazimit. Një tjetër lojtar ama pritet nga kryeqytetasit. Në Burrel mund të shkojë fantazisti Diogo da Silva. Nuk ka asgjë të mbyllur, pasi duhet parë nëse do të pranojë braziliani.

MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"