RERPORTAZHI / Partizani priti 12 vite për një shtëpi, Demi: Tani s’ka më tolerime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2022 | 21:54

RERPORTAZHI / Partizani priti 12 vite për një shtëpi, Demi: Tani s’ka më tolerime

Më datë 10 mars 2010 klubi i Partizanit u detyrua të dilte nga kompleksi i vet, i vendosur në zonën e 21 Dhjetorit dhe që nga ajo ditë skuadra është detyruar të stërvitet në fusha private. Ditën e djeshme, më 6 prill, për herë të parë në 12 vite, skuadra është stërvitur në kompleksin në pronësi të klubit.

partizani demi

Pas gjashtë vitesh punime, dje është mundësuar që skuadra të zhvillojë stërvitjen e parë në këtë stadium, pjesa dërrmuese e të cilit është financuar nga presidenti i klubit, Gazment Demi. Ndërkohë, fusha, bashkë me aksesorët përkatës dhe stolat e stadiumit, janë mundësuar nga FSHF-ja.

FJALA E DEMIT – Dje në orën 11:00 skuadra ka zbarkuar në fushë dhe bashkë me ta edhe presidenti Demi, i shoqëruar nga deputeti Erion Braçe, tifoz i deklaruar i “demave” prej vitesh, por edhe njerëz të tjerë të klubit të kuq. Vetë Demi mbajti një fjalim përpara skuadrës, së cilës nga tani e tutje i kërkoi më shumë disiplinë dhe arritjen e objektivit të këtij sezoni, që është kualifikimi në Ligën e Konferencës.

“Le ta nisim me këmbën e mbarë punën në këtë kompleks. Dy ndeshjet e ardhshme janë të rëndësishme për objektivat tanë dhe dua kujdes maksimal nga ju. Të bëjmë sa më mirë në këtë edicion për të kapur Europën. Deri sot nuk e kemi pasur një shtëpi tonën dhe i shtyrë nga kjo, nuk kam dashur të kërkoj shumë llogari. Nga tani e tutje kërkoj disiplinë maksimale. Ky element është shumë i rëndësishëm. Tani keni shtëpinë tuaj dhe dua të bëni më të mirën. Siç kujtoheni për ndonjë rrogë të vonuar, dua nga ju të bëni më të mirën për arritur objektivin. Unë dhe Albani jemi të vjetër këtu, kemi ardhur në të njëjtën kohë. Merrni përgjegjësitë dhe plotësojeni objektivin”, tha mes të tjerash presidenti Demi, i cili më pas nuk vendosi të ndjekë stërvitjen e ekipit, por i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij inspektoi të gjithë ambientet e kompleksit. Në këtë hapje ditën e djeshme nuk ishte i pranishëm drejtori Olsi Rama, i cili ndodhej jashtë vendit.

demi mehmeti

STËRVITJA – Menjëherë më pas nisi stërvitja e drejtuar nga trajneri Mehmeti dhe ndihmësi i tij, Fatjon Tafaj. Në hyrjen në shtëpinë e re ishin të pranishëm edhe një numër prej rreth 50 tifozësh. Në këtë seancë ishin të gjithë lojtarët, por jo gjithçka ishte gati për ta. Punëtorët e klubit në shpejtësi rekord vendosën rrjetat e portave të vogla, që përdoren herë pas here nga skuadra gjatë seancës. Në fund, Mehmeti zgjodhi të mos i përdorë, pasi stërvitja e djeshme kishte karakter tjetër. Ndryshe nga çfarë ndodhte në stërvitjen në kompleksin “Football Republic”, ditën e djeshme skuadra zbarkoi në stadium me autobus. Gjithsesi, në ditët në vijim, lojtarët do të vijnë në stërvitje me makinat e tyre private.

PUNA ME FUSHËN- Terreni sintetik i instaluar u duk i një cilësie të lartë, por trajneri Mehmeti evidentoi një problem. Ai kërkoi që terreni të krihej, pasi në rast të kundërt lojtarët mund të pësojnë ndonjë dëmtim në kavilje. Sa për stërvitjen, i kushtëzuar nga sytë e shumtë që shihnin ekipin, ai nuk u përqendrua aspak te taktika, por u përpoq të përmirësonte sa më shumë pasimet, si dhe i kërkoi skuadrës të gjuajë sa më shumë drejt portës. Ai organizoi edhe një minindeshje, e cila nisi keq, por pasi trajneri e “shkundi” ekipin, lojtarët u liruan dhe nisën të gjuanin, driblonin e shënonin radhazi. Një moment interesant gjatë stërvitjes ishte droni i ekipit të medias së klubit, që u ul më shumë sesa duhej mbi kokat e lojtarëve dhe disa prej tyre bënë thirrje të ngrihej, sepse i shqetësonte. Seanca u mbyll në orën 12:35.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"