Rekordi i padëshiruar te Kukësi, asnjëherë më keq prej një dekade

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 23:40

Rekordi i padëshiruar te Kukësi, asnjëherë më keq prej një dekade

Humbja e fundit me Partizanin rëndoi akoma edhe më shumë situatën në ekipin e Kukësit, sepse nuk po del dot nga kolapsi që është futur. Edhe pse janë luajtur vetëm pesë javë dhe kampionati është ende i gjatë, tregon për situatën e vështirë në të cilën ndodhet klubi.

KUKESI PARTIZANI

Presidenti i Nderit, Safet Gjici, paralajmëroi edhe masa drastike në rast humbjeje, por më parë do të bëhet një analizë e thellë për të nxjerrë përgjegjësitë te secili lojtar. Mund të thuhet se në Kukës është prishur qetësia, sepse është vënë në diskutim arritja e objektivave, siç është titulli kampion apo Europa.

NISJA MË E DOBËT – Kjo që po ndodh me Kukësin është një situatë e panjohur për këtë klub, sepse asnjëherë nuk është diskutuar që pas pesë javëve të para verilindorët të ishin në vendin e fundit dhe të vihej në diskutim edhe mbijetesa. Dy pikë pas pesë javësh nuk i kanë shkuar ndërmend as më pesimistit në këtë kamp, jo vetëm për traditën që krijoi këtë dekadë në elitën e futbollit shqiptar, por edhe vetë investimet që u bënë në merkaton e kësaj vere.

“Panorama Sport” u ka bërë një vëzhgim 11 sezoneve të bluve në elitë dhe sezoni 2022-2023 është më i dobëti në erën “Gjici”. Për herë të parë ekipi nuk ka koleksionuar asnjë fitore në pesë javët e para, duke marrë vetëm dy barazime. Për herë të parë, pas pesë javëve, blutë janë të fundit në klasifikim, diçka që nuk kishte ndodhur më herët me këtë klub.

kukesi (1)

ECURIA – Në javët e para është deri-diku normale për ekipet, të cilat kryejnë shumë lëvizje që të kenë luhatje në rezultate. Edhe në të kaluarën Kukësi e ka vuajtur këtë sindromën e javëve të para, por sigurisht pa shkuar deri në atë pikë sa të prekin fundin. Minimumi i pikëve që skuadra pati marrë në pesë javët e para kanë qenë shtatë të tilla, përkatësisht në katër sezone, në tri të parat në Superiore dhe në sezonin 2020-2021. Vitin e kaluar nën drejtimin e Diego Longos ekipi kishte tetë pikë pas pesë javësh, ndërsa në 2015-2016 dhe 2016-2017, kur fituan titullin, numëronin nëntë pikë.

Nisja më e mirë ka qenë në sezonet 2017-2018, 2018-2019 dhe 2019-2020, ku verilindorët nga 15 pikë të mundshme kishin grumbulluar vetëm 10. Me pak fjalë, në tërësi nisja e sezonit nuk ka qenë mbresëlënëse, por skuadra e ka marrë veten rrugës dhe në një farë mënyre kjo u jep shpresë drejtuesve se mund të ndodhë edhe në këtë sezon. Mbetet për t’u parë nëse edhe këtë vit do të jetë e njëjta histori apo Kukësi do të vijojë të vuajë mungesën e rezultateve.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"