Rakipaj operohet me sukses, mesfushori humbet fillimin e fazës me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2024 | 11:14

Rakipaj operohet me sukses, mesfushori humbet fillimin e fazës me Apoloninë

Sikur të mos mjaftonin katër largimet zyrtare nga skuadra dhe merkatoja në vendnumëro, në Fier duhet të bëjnë llogaritë edhe me dëmtimet.

apoloniaa

Mesfushori 19-vjeçar i Apolonisë, Mikael Rakipaj, pas përfundimit të sezonit këputi muskulin në pjesën e amstringut gjatë një seance stërvitore. Rakipajt i është dashur të bëjë një ndërhyrje, operacion i cili ka dalë me sukses.

“Mora një goditje gjatë një seance stërvitore dhe për fat të keq kam këputur muskulin te pjesa e amstringut. Prej pak javësh isha i dëmtuar dhe bëra ekzaminimet e nevojshme. Në fund u pa e domosdoshme ndërhyrja kirurgjikale. E bëra dje dhe fatmirësisht dola me sukses”, tha mesfushori Rakipaj shkurtimisht për “Panorama Sport”.

Për fat të keq, faza e mirëfilltë përgatitore e menduar të nisë në fund të korrikut është mbyllur parakohe për Rakipajn. 19-vjeçari nuk ka vuajtur më parë nga lëndimet, por është i detyruar për momentin të bëjë disa muaj pushim. Trajneri Artan Mërgjyshin duhet të mendojë edhe për zëvendësuesin e tij në mesfushë, pasi edhe mesfushori tjetër Jasin, sapo ka lënë dëmtimin dhe para pak ditësh ka filluar vrapimet në fushë. Nga Apolonia ka pasur shumë largime, dy në prapavijë dhe dy në sulm. Konkretisht, janë larguar katër lojtarë, duke nisur nga portieri dhe kapiteni Romeo Harizaj, për të vazhduar me mesfushorin me tipare sulmuese Stefano Omeri, mbrojtësin e djathtë Kevin Odongo dhe qendërsulmuesi Levis Shivaçi, që kanë luajtur një numër të vogël ndeshjesh. Drejtuesit janë duke kërkuar së pari një portier të dytë, që të jetë në gjendje të zëvendësojë Aldo Bushin. Për këtë rol, “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e Apolonisë po shohin me vëmendje edhe një pistë të huaj, por emri nuk bëhet i ditur.

Vendin e Omerit në formacionin e Apolonisë pritet ta marrë Bejzade, i cili është nën kontratë, por në këtë rast, edhe për shkak të lojtarëve të dëmtuar, duhet gjetur një alternativë. Më i nevojshëm është një mesfushor qendre me kualitet, për të cilin klubi po punon prej kohësh. Aktualisht i gatshëm për qendrën e mesfushës është Shanaj, ndaj një përforcim në këtë sektor shihet më shumë se i domosdoshëm. Në një kampionat të gjatë dhe për një skuadër me pretendime, 2 mesfushorë qendre duhen me patjetër, sepse mund të ketë dëmtime dhe kartonë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"