Projeksionet e merkatos së Vllaznisë, ja çfarë pritet të ndodhë te skuadra shkodrane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2024 | 22:26

Projeksionet e merkatos së Vllaznisë, ja çfarë pritet të ndodhë te skuadra shkodrane

Me shumë mundësi ardhja e Gurishtës nuk do të jetë afrimi i fundit, sepse drejtuesit e klubit po shohin edhe për ndonjë opsion tjetër në merkato. Ka pasur zhvillime pozitive edhe sa i përket rinovimeve, pasi vetëm dje u konfirmua qëndrimi edhe për një vit i Esat Malës, një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe pjesëtar stabël i formacionit gjatë gjithë këtij sezoni.

vllaznia stervitje

Dje me ekipin është stërvitur edhe sulmuesi Albi Shpuza. Ai është rikthyer sërish tek Vllaznia, pas një sezoni me ekipin e Foeniks në Kosovë. Sulmuesi 21-vjeçar shkodran, i cili para një viti u shpall kampion me Vllazninë U-21, ka marrë një telefonatë nga ana e drejtuesve shkodranë për të dalë në stërvitje me ekipin e parë. Shpuza ka vijuar në dy ditët e fundit stërvitjen me ekipin e parë të Vllaznisë, duke qenë nën urdhrat e stafit teknik, me në krye trajnerin Tomas Brdariç.

Ende nuk është e qartë se cila do të jetë e ardhmja e tij, por mund të themi se për momentin është në provë tek Vllaznia, por shanset janë të mëdha që sulmuesi i talentuar të jetë pjesë e ekipit për sezonin e ri. Pretendimet e Shpuzës janë që të jetë pjesë e ekipit të Vllaznisë, duke qenë edhe se pak kohë më parë ka qenë edhe kontigjent i Kombëtares U-19 të vendit tonë.

ADMIR URUÇI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"