Presidenti Bizhdili bëhet nostalgjik para duelit me Dinamon: I dua pikët, Besa të përsërisë… 2010-ën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2022 | 9:59

Presidenti Bizhdili bëhet nostalgjik para duelit me Dinamon: I dua pikët, Besa të përsërisë… 2010-ën!

Besa rigjen Dinamon. E fundit përballje është ajo e 2017-ës, për llogari të Kategorisë së Parë. E megjithatë, ndeshjet në këtë nivel nuk “zgjojnë” ndonjë nostalgji. Ajo që sjell vërtetë kujtime dhe emocione, përkon me vitin 2010. Ka qenë kohë e artë për verdhezinjtë, pasi në të njëjtin edicion mundnin Vllazninë në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe më pas blutë e kryeqytetit në finalen e Superkupës. Dy trofe që do të mbeten gjatë në memorie edhe të presidentit.

Bizhdili

NOSTALGJIA – Tashmë të dyja ekipet ritakohen në kushte krejtësisht të tjera, por me objektiv të njëjtë: rikthimin në elitë. Nexhat Bizhdili pret që t’i risjellë të njëjtat emocione kjo përballje, përtej faktit që garojnë në Ligën e Parë.

Deklaratën e tij për “Panorama Sport”, numri një i klubi e nis kështu:

“Kam përjetuar emocione të mëdha, kur fitonim Superkupën pikërisht ndaj Dinamos. Por jo vetëm unë, por kushdo. Duele të tilla janë të mirëpritura.

Janë vërtetë të paparashikuara, por garantojnë futboll të bukur. Dinamo mbetet ndër ekipet më titullare të elitës dhe meriton gjithë respektin dhe vlerësimin tonë maksimal.

Meqë shumica e futbollistëve të Besës janë fare të rinj, gjatë gjithë javës u kam sqaruar se kush është Dinamo ndër vite dhe çfarë vlerësimi kërkon kur përballesh me ta”.

OBJEKTIVI – Përtej kësaj nostalgjie, sot në fushën e Peqinit do të zbresin, mbi të gjitha, për pikët. Presidenti i Besës nuk mund dot të japë një parashikim të qartë rreth rezultatit.

“Nëse më pyesni rreth rezultatit, se nuk mund ta garantoj 100% nëse do të fitojmë ne apo ata.

Do të jetë një sfidë ku të dyja ekipet kanë objektiva të njëjtë dhe janë plotësisht të denja për njëratjetrën.

Nëse më pyesni se çfarë dëshiroj unë, atëherë po. Ua them se pres e dëshiroj fitoren e Besës.

Grupi do të jetë i plotë, me një trajner profesionist e me një përvojë të gjatë si Magani që ka ditur të triumfojë atëherë kur i duhet ekipit. Për një gjë ju siguroj, do të jetë një ndeshje shumë e luftuar.

Do të kënaqeni të paktën me lojën, nisur nga kualitetet që kanë dy formacionet.

Nganjëherë nuk mjafton të luash mirë, të dominosh ndaj kundërshtarëve të barabartë, por do të mjaftonte një gabim fatal dhe rezultati merr drejtim tjetër.

Shpresoj që të jenë futbollistët e mi ata që do të gabojnë sa më pak”, shtoi presidenti.

PENGU – Por Bizhdili ka një peng për këtë sfidë dhe lidhet me tifozët, që edhe këtë javë mungojnë.

“I vetmi peng është mungesa e tifozëve, jo vetëm tanët, por të të dyja ekipeve. Mëkat i madh t’u privohet kjo shfaqje atyre. Pavarësisht kësaj, një miningushëllim do të thosha është transmetimi nga ‘TVSH’-ja.

Me siguri kjo përballje do të mbërthejë para ekranit qindra kavajas dhe jo vetëm”, përfundoi numri një i klubit të Besës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"