Polemikat te shtanga, i përjashtuari Leka akuzon: Gjoza “rruan” 200 mijë euro për garë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2024 | 19:21

Polemikat te shtanga, i përjashtuari Leka akuzon: Gjoza “rruan” 200 mijë euro për garë

Viti 2024 ka startuar me polemika të forta në komunitetin e peshëngritjes në Shqipëri. Siç dihet më datën 29 dhjetor në Shtërmen u zhvillua asambleja vjetore e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Një asamble ku përveç analizës vjetore dhe diskutimeve teknike, bëri më shumë bujë për përjashtimin nga çdo aktivitet i FSHP-së, i Kreshnik Lekës, drejtorit të shumësportëshit të Teutës, njëkohësisht edhe anëtar i asamblesë.

Kreshnik Leka dhe Elez Gjoza, gjatë Lojërave Mesdhetare Oran 2022

Kreshnik Leka dhe Elez Gjoza, gjatë Lojërave Mesdhetare Oran 2022

Përveç përjashtimit, presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, hodhi akuza të forta në drejtim të Lekës, ndërsa federata me anë të një deklaratë për shtyp e quajti drejtuesin durrsak sabotator, ndërsa shkoi edhe më tej duke e akuzuar Lekën se abuzon me pagat e sportistëve të tij. Këtyre akuza Kreshnik Leka i është përgjigjur së fundmi nëpërmjet një reagimi të dhënë për “Panorama Sport”.

Ai theksoi se çdo vendim i kësaj asambleje është nul dhe se gjithçka sipas tij bëhet sepse e shohin si kundërshtar në zgjedhjet e ardhshme në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Leka thotë se FSHP-ja është kthyer në pronë private, e udhëhequr në mënyrë diktatoriale, duke emëruar anëtar familjar dhe duke përfituar në mënyrë abuzive nga fondet që akordohen.

“ASAMBLE E JASHTËLIGJSHME” – Kreshnik Leka fillimisht shpjegon pse asambleja vjetore e FSHP-së është e jashtëligjshme, ndërsa lëshon akuza të forta ndaj federatës. “E para është bërë një asamble që është jo legjitime. Është e tillë sepse nuk ka pas pjesëmarrjen as të gjysmës së anëtarëve të saj. Janë 8 ekipe, shoqata apo klube që nuk kanë marrë pjesë në këtë asamble. Nga 7 anëtarë të komitet drejtues, aktualisht 3 janë të zgjedhur, ndërsa 4 i ka vendosur vetë Gjoza, në shkelje të plotë të statutit. Këta anëtarë nuk janë të ligjshëm, sepse nuk janë të zgjedhur nga anëtarët e asamblesë, por të emëruar në mënyrë arbitrare nga presidenti. Unë nuk e di se kush ka votuar për përjashtimin tim, pasi në asamble më shumë se gjysma mungonin. Ai vetë ka krijuar disa shoqata fantazmë, që nuk kanë as sportistë as trajnerë, në shkelje të çdo lloj statuti”, deklaron fillimisht Leka, duke i adresuar një pjesë të fajit për këtë gjendje edhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

“Nuk e di sesi e lejojnë të veprojë në këtë mënyrë. Kur bëhet asambleja e radhës për çdo federatë duhet të vihet në dijeni KOKSH dhe ministria, gjë që ai nuk e ka bërë. Ministria duhet të ushtroj kontrolle dhe ti kërkoj llogari sepse akordon fonde për këtë federatë. Përveç këtyre zoti Gjoza e mbledh asamblenë si asnjëherë tjetër në datën 29 dhjetor, në mënyrë që pjesëmarrja të ishte sa më e vogël. Për të mos mjaftuar kjo, asambleja nuk i zhvillon punimet as në Tiranë apo Durrës, por në një lokal dasmash në Shtërmen, larg vëmendjes së mediave e kujtdo. Për tu kthyer tek asambleja, i është kërkuar të bëjë pasqyrën financiare të federatës dhe nuk ka dhënë absolutisht asnjë detaj, asgjë nuk është transparente” theksoi më tej kreu i shumësportëshit të klubit Teuta.

AKUZAT – Në lidhje me akuzat e bëra ndaj tij, Leka i quajti ato qesharake dhe se çdo gjë Gjoza e bën sepse e sheh si kundërshtar në zgjedhje dhe për të larguar vëmendjen nga abuzimet e veta. “Ai më sheh si kundërshtar. Vitin tjetër janë zgjedhjet dhe unë jo në mënyrë të drejtpërdrejtë kam shprehur ambiciet e mia. Ndaj ai po punon që tani për këtë pjesë. Siç ju thash janë krijuar shoqata arbitrare nga nipi i tij, shokët e tij apo shokët e nipit, për më tepër më të drejtë vote dhe larg çdo rregulli statutor. Ndaj them kjo federatë është bërë si pronë privatë me drejtim komplet diktatorial, pa pyetur askënd. Kjo është edhe përgjegjësi e ministrisë, sepse nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur kësaj situate. E them me bindje se ai po bën fushatë për zgjedhjet e ardhshme, duke mbledhur rreth vetes njerëzit e tij”, shprehet Leka.

PIONER PËR RIKTHMIN E GJOZËS – Në vitin 2020, Kreshnik Leka, ishte nga lobuesit kryesorë për rikthimin e Elez Gjozës në krye të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. I pyetur nga gazeta për këtë fakt, Leka shprehet: “Të them te drejtën në fillim e kam mbështetur edhe vetë figurën e tij. Por duke qenë në brendësi të kësaj federate nuk mund të isha më pjesë e kësaj farse, për ta mbyllur në Kampionatin Europian të moshave që u mbajt në Durrës. Këtë kampionat e shiti sikur e bëri në kryeqytet, sepse i duheshin fondet edhe të Bashkisë Tiranë. Vetëm ceremonia e hapjes u bë në Tiranë, pasi e gjithë pjesa tjetër u mbajt në Durrës.

Të gjitha këto aktivitete Gjoza i sheh si suksese të federatës, por në fakt i përdor vetëm për përfitime personale, pasi për çdo aktivitet ndërkombëtar 200.000 euro i fut në xhepin e tij. Ndërsa për akuzat e tjera që më ka bërë, do ti ndjek imtësisht në mënyrë ligjore”, përfundoi reagimin e tij Kreshnik Leka.

ROLAND GJINI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"