“Pjesa e dytë lë shumë për të dëshiruar”, Martini: Do të pretendojmë të futemi në katërshe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2023 | 22:32

“Pjesa e dytë lë shumë për të dëshiruar”, Martini: Do të pretendojmë të futemi në katërshe

Trajneri shkodran, Edi Martini, debutoi për herë të 5-të në stolin e Teutës, teksa mbrëmjen e sotme, nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola në shtëpi ndaj Kukësit. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për mikrofonin e “MCN”, Martini u shpreh:  

Martini

“Duhet të shënonim në pjesën e parë, për të gjetur avantazhin. Kishim raste, dominuam lojën, nuk arritëm të shënonim. Na ra loja në pjesën e dytë, pavarësisht se Kukësi nuk na rrezikoi. Lodhja ka qenë e madhe, janë shumë ndeshje brenda pak ditësh. Luajtëm një pjesë të parë siç kisha qejf, duhet të riparojmë pjesën e dytë, nuk arritëm të bënim të njëjtën gjë si në pjesën e parë.  

Nuk jam mësuar të gjykoj paraardhësit. Duhet të punojmë të rrisim intesitetin dhe presingun. Janë ditë shumë të shkurtra, shumë problem deri në ndeshjet e Kombëtares. Djemtë dhanë maksimumin, luajtën me shpirt. Në qoftë se do të shënonim do ta menaxhonim lojën. Pjesa e dytë lë shumë për të dëshiruar.  

Na duheshin 3 pikë sot, për të qenë më të qetë në ndeshjet e tjera, luajmë ndaj 2 kundërshtarëve shumë të fortë. Kjo s’do të thotë, që atë që nuk morëm sot, mos e marrim ndaj Partizanit dhe Egnatias. Djemtë janë me mentalitet fituesi. Gradualisht do të çohemi edhe mendërisht, për ta kaluar këtë malore.  

Unë përpara ndeshjes kam biseduar që formati është me 4 ekipe, kampionati sapo ka filluar, normalisht do të pretendojmë të futemi në katërshe. Prandaj edhe pikët ishin shumë të rëndësishme sot. Duhet të luftojmë dhe të mendojmë për vendin e katërt pse jo. Janë jashtë roleve, si Gjumsi si Fili. Një skemë tjetër nuk është kollaj të përvetësohet për 2 ditë. Shumë shpejt të gjithë do të ambientohen dhe do të bëjnë rolet. Në përgjithësi jam i kënaqur me djemtë”, u shpreh Edi Martini.  

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"