Pikantet e Kroaci-Shqipëri/ Nga batuta e Gjimshitit për Gjasulën te kostumet që u rrëzuan dhe festa! Ja çfarë s’u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 22:03

Pikantet e Kroaci-Shqipëri/ Nga batuta e Gjimshitit për Gjasulën te kostumet që u rrëzuan dhe festa! Ja çfarë s’u pa në TV

Nga i dërguari ynë në Gjermani, KRISTI SEJATLLARIAFS

Atmosferë fantastike në Hamburg, me shqiptarët dhe kroatët që treguan edhe një herë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, si në tribuna, por edhe jashtë stadiumit. Në çdo cep të “Volfsparkstadion” kishte tifozë kroatë dhe shqiptarë, me këta të fundit që dje ishin rreth 20 mijë të pranishëm. I gjithë stadiumi në korr thirri mbrapsht 10 sekondat e fundit që shënjonin edhe nisjen e ndeshjes. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes dramatike Kroaci-Shqipëri 2-2.

* Sa herë kapiteni i Kroacisë, Luka Modriç, prekte topin, tifozët kroatë e duartrokisnin si një legjende që ka dhënë një kontribut shumë të madh për ekipin kombëtar.

* Që në minutat e para, Nedim Bajrami i spostuar në krah këshillohet nga Silvinjo, i cili i bën me shenjë për t’u futur nga qendra, pasi në atë pikë, mbrojtësi i djathtë kroat që mbulonte, haste vështirësi.

* Pas një kundërsulmi në krah me Asanin, i cili pengohet dhe merr faull, trajneri Silvinjo i turret gjyqtarit të katërt për të kërkuar kartonin e verdhë. Mirëpo, nuk pati ndëshkim nga arbitri.

* Teksa Kroacia shton presionin dhe ndërton një aksion të rrezikshëm, i cili mbyllet pas një minutë dhe topi del jashtë, Qazim Laçi shkon dhe përqafon Ajetin dhe Hysajn.

* Në minutën e 24-t Ajeti fiton një top dhe del përpara, ndërsa nxitohet dhe ia nis Bajramit në krah, por “sfera” përfundon në anësore. Silvinjo i tërheq vëmendjen mbrojtësit në këtë moment: “Ajeti, luaje shkurt me pasime”. Trajneri merr edhe ngritjen e dorës nga Ajeti si shenjë faljeje pas këtij rasti.

* Pak minuta para se të mbyllej u mbyllur pjesa e parë, Hysaj ka momente të mira dhe merr duartrokitjet e tifozëve, ndërsa kur po i thirrej emri në kor, mbrojtësi për pak sa nuk shënon në një rast, duke goditur me të majtë nga brenda zone, me topin që kaloi afër shtyllës.

* Enea Mihaj, Arbër Hoxha dhe Taulant Seferi ishin tre lojtarët e parë që u çuan nga stoli dhe nisën nxehmjen.

* Silvinjo gjithë kohës kërkonte llogari te gjyqtari i katërt për atë që nuk shkonte me arbitrin kryesor francez gjatë lojës.

* Strakosha e ka me anësorin në një moment, teksa i kërkon llogari për shkak se nuk jep një pozicion jashtë loje dhe kjo ishte hera e dytë.

* Gjithë stafi është në këmbë në momentin e Kristjan Asllanit me rastin e humbur përballë portierit kroat.

* “Shok” në stadiumin e Hamburgut, kur për dy minuta pësojmë dy gola. Një heshtje kaplon tifozët shqiptarë dhe festë e çmendur te kroatët.

* Kur ndeshja përfundoi, të gjithë lojtarët kuqezi shkuan te tifozët dhe festuan me ta, pasi edhe një pikë me kroatët ishte e pranueshme.

* Pas ndeshjes, duke shkuar për te autobusi, kapiteni Berat Gjimshiti pasi i kërkohet të flasë për mediat, lëshon një batutë: “Merrni Gjasulën në intervistë se ka shënuar 3 gola”.

* Kostumet që lojtarët u prezantuan në fillim të ndeshjes kur erdhën në stadium, në fund po transportoheshin drejt autobusit, por gjatë rrugës për një pakujdesi, të gjitha u rrëzuan në tokë.

* Rreth dy orë para ndeshjes së djeshme u mësuan edhe formacionet zyrtare të skuadrave, ndërsa pati jo pak habi për lënien jashtë të sulmuesit Armando Broja, i cili e nisi nga stoli dhe në vend të tij, Silvinjo kishte aktivizuar Manajn. U mësua se Broja kishte një shqetësim fizik dhe Silvinjo nuk donte të rrezikonte.

* Një tjetër tifoz shqiptar kapërceu rrethimin e brendshëm të stadiumit, duke u futur në fushë pas golit dramatik të kuqezinjve në minutën e 95-të. Ai kaloi sigurimin e stadiumit për t’u futur në tapetin e gjelbër, teksa ky moment u kap nga kamerat amatore në stadium, ndërsa nuk u transmetuar nga regjia qendrore. Gjithçka kaloi pa incidente, në një atmosferë fantastike mes dy tifozërive.

* Modelja e famshme kroate, Ivana Knoll, bëri atë që t’i të bëjë më mirë gjatë duelit të djeshëm në stadiumin e Hamburgut, teksa tërboi fansat në tribuna dhe jo vetëm, duke “rrëmbyer” edhe njëherë skenën. Knoll është një nga tifozët speciale të Kroacisë, duke bërë shumë bujë gjatë Botërorit të kaluar, ndërsa nuk ka nguruar të shfaqet edhe në këtë “Euro 2024”. Në duelin kundër Shqipërisë, Ivana mbante veshur streçe të kuqe, duke u kujdesur që ekspozimi i formave të ishte në lartësinë e duhur. Nuk kanë munguar fotografitë me tifozët kroatë, por edhe me ata shqiptarë të modeles së njohur, që janë postuar më pas edhe në rrjetet sociale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"