PESHËNGRITJE/ Nderoi Shqipërinë në Botëror, talenti Carja: Erkandi dhe Brikeni, idhujt e mi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 15:32

PESHËNGRITJE/ Nderoi Shqipërinë në Botëror, talenti Carja: Erkandi dhe Brikeni, idhujt e mi

Me paraqitjen e saj në Botërorin U17 që po mbahet në Durrës, duke i dhënë dy medaljet e vetme të bronzit Shqipërisë, Enkileda Carja shihet si ylli i ri i shtangës në vendin tonë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 15- vjeçarja rrëfen se si e nisi rrugëtimin e saj në këtë sport, në një kohë që idhuj ka dy peshëngritësit kuqezi, Erkand Qerimaj dhe Briken Calja.

enkileda carja

Carja stërvitet rreth pesë orë në ditë, duke mos lënë pas dore edhe mësimet, në një kohë që synon të sjellë të tjera medalje për vendin tonë në eventet e ardhshme. Në fund, sportistja nga Elbasani ka një thirrje që bashkëmoshataret e saj që të merren me sportin e bukur të peshëngritjes.

E prisnit të merrnit medalje në këtë Botëror?
Po, e prisja. Them kështu, pasi bashkë me trajneren time kishim punuar shumë për këtë garë.

Kujt ia dedikoni këtë rezultat?
Ia dedikoj familjes sime, trajneres që sakrifikon pa fund për ecurinë time dhe të gjithë atyre që më kanë mbështetur e mbështesin.

enkileda carja

Si e nisët karrierën në sportin e peshëngritjes?
Unë në moshën 9-vjeçare shoqëroja motrën time që merrej me peshëngritje dhe pas një muaji mësuesja u sugjeroi prindërve të stërvitesha dhe unë, pasi shihte që kisha të dhëna të mira. Kështu, nga gushti 2017 nisi rrugëtimi im në këtë sport.

Cilat janë synimet tuaja të ardhshme?
Këtë vit unë kam edhe dy gara shumë të rëndësishme, siç është Europiani U-15, ku synoj të marr tri medalje ari. Në Europianin U-20 synoj të hyj në podium, pse jo të vendos dhe rekord europian për moshat U-15 dhe U-17.

A keni ndonjë idhull në këtë sport?
Po, kam kampionat tanë kuqezi, Erkandin dhe Brikenin. Të dy janë një shembull për mua si sportiste e re.

Si është një ditë normale e një peshëngritëse, e cila duhet të merret edhe me mësimet?
Unë jam nxënëse në klasën e nëntë, shkoj në shkollë dhe pjesën tjetër të ditës e kaloj duke u marrë me seancat stërvitore. Bëhet fjalë për dy në ditë, rreth pesë ore stërvitje.

Keni një thirrje për bashkëmoshataret tuaja që të merren me peshëngritje?
Moshatarëve të mi u them të aktivizohen sa më shumë me sportin e peshëngritjes, pasi jo vetëm ju bën me një fizik të bukur, por ju jep një shëndet më të mirë. Ju largon nga jeta sedentare, rrjetet sociale, veset e këqija si alkooli apo droga. Pse jo, ju bën dhe të pasur, pasi në këtë garë unë përfitoj shpërblim nga VKM-ja e fundit që ka nxjerrë shteti shqiptar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"