PESHËNGRITJE/ Fantastike! Enkileda Carja fiton dy medalje në Botërorin U-17 që po mbahet në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 19:45

PESHËNGRITJE/ Fantastike! Enkileda Carja fiton dy medalje në Botërorin U-17 që po mbahet në Durrës

Shqipëria ka shënuar një rezultat të madh në Kampionatin Botëror për të rinj në peshëngritje, aktivitet që për herë të parë vjen në Shqipëri, teksa garat po zhvillohen që prej datës 25 mars në Durrës. Sportistja e talentuar Enkileda Carja ka arritur të fitojë sot dy medalje në këtë aktivitet.

enkileda carja

E nisur nga Bateria B, Carja ka bërë një paraqitje fantastike duke u ngjitur dy herë në podium, teksa ka fituar një medalja bronzi në stilin e shkëputjes dhe një tjetër bronzi në dygarësh. 15-vjeçarja kuqezi, që stërvitet nga trajnerja Eglantina Kalemi, konfirmohet si një talent i madh i shtangës, duke shënuar rezultate të shkëlqyera ndonëse ka patur përballë rivale më të mëdha në moshë.

GARA – Carja konkurroi në mesditë në Baterinë B të peshave 59 kg. Në stilin e shkëputjes ajo regjistroi rezultatin 87 kg, duke bërë të sajën medaljen e bronzit. Në shtytje sportistja nga Elbasani ngriti lart 100 kg, duke u klasifikuar në vendin e pestë. Ndërsa me 187 në total siguroi medalje bronzi edhe në dygarësh. Carja është e vetmja sportiste në këtë Kampionat Botëror që arrin të futet në zonën e medaljeve duke u nisur nga Bateria B.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"