“Përjetësisht tifoz me Skënderbeun, por i mundim”, rrëfimi special i drejtorit të Turbinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2023 | 21:50

“Përjetësisht tifoz me Skënderbeun, por i mundim”, rrëfimi special i drejtorit të Turbinës

Turbina do të presë Skënderbeun këtë të diel, në një ndeshje tepër të rëndësishme në Kategorinë e Parë.

ardi gjanci

Në prag të kësaj përballjeje, për “Panorama Sport” ka folur drejtori i cërrikasve, Ardi Gjançi, që për të është një takim i veçantë për shkak se vetë ai ka lindur në qytetin e Korçës dhe është rritur me këtë ekip, po gjithashtu shprehet se Turbina do të kërkojë vetëm fitoren.

Ardi, ju jeni nga Korça dhe këtë të diel do të përballeni me ekipin e atij qyteti, Skënderbeun. Sa e veçantë është për ju kjo ndeshje?

Është e vërtetë që jam lindur e rritur në qytetin e Korçës dhe ekipi i Skënderbeut më ka prezantuar me pasionin për futbollin dhe më ka mësuar se çfarë do të thotë të duash një ekip futbolli pa kushte, ndaj dhe kjo ndeshje ka veçantinë e vet, por gjithsesi unë jam profesionist dhe për mua ekipi i Turbinës është si mësuesi i fillores që nuk harrohet asnjëherë ndaj do të kërkoj maksimumin nga ekipi im.

Turbina dhe Skënderbeu luajnë për objektiva të ndryshme, çfarë prisni nga përballja e së dielës?

Turbina dhe Skënderbeu të dielën kanë të njëjtin objektiv, fitimin e ndeshjes, por gjithsesi futbolli është një lojë që bashkon njerëzit dhe nuk pres asgjë më shumë se sa të fitojë ekipi më i mirë në fushë.

Duke qenë se vetëm tri ndeshje kanë mbetur, sa i rëndësishëm është ky takim për mbijetesën?

Skënderbeu kryeson tabelën e renditjes dhe respekti është maksimal, por ecuria jonë pozitive në ndeshjet e fundit flet vetë. Na kanë ngelur dhe 3 finale, ku duhet të marrim maksimumin dhe asnjë finale e ardhshme nuk vlen nëse nuk kalohet me sukses finalja e radhës.

Ardi Gjanci Turbina

Keni një plan kundër korçarëve?

Plani ynë është i thjeshtë, asgjë s’na bën punë veç fitores, ata vërtet janë me një këmbë në Superiore, por ne jemi më të uritur dhe fitorja është detyrim. Kjo falë dhe tifozëve tanë që s’na kanë lënë asnjëherë në baltë dhe e kanë kthyer stadiumin “Nexhip Trungu” në një fortesë të vërtetë, të cilët meritojnë vetëm falënderime. Përfitoj nga rasti t’u premtoj tifozëve cërrikas publikisht se as këtë radhe s’kemi për t’i zhgënjyer dhe se mbështetja e tyre në këtë ndeshje është me e nevojshme se kurrë.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"