Pep Guardiola i ka fabrikuar një dhuratë Kroacisë, Gvardiolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2024 | 14:04

Pep Guardiola i ka fabrikuar një dhuratë Kroacisë, Gvardiolin

Verën e kaluar Mançester Siti pagoi gati 90 milionë euro për një qendërmbrojtës, Joshko Gvardiol, një futbollist që ishte gjithashtu në radarin e Real Madridit. Skuadra e Guardiolës, më në nevojë, për rrjedhojë reagoi më shpejtë dhe përshpejtoi një operacion me RB Lajpgicun, duke vendosur në tavolinë një nga shifrat më të larta të paguara më parë për një mbrojtës.

gvardiol

Puna e tij e mirë me klubin e tij dhe me kombëtaren e konfirmoi si lojtar me performancë të menjëhershme, megjithëse me Pep përshtatja është gjithmonë pak më e gjatë dhe më e vështirë. Guardiola pa menjëherë te Gvardiol një lojtar polivalent që mund të ofronte përtej aftësive të një qendërmbrojtësi. Dhe e vendosi në krahun e majtë të mbrojtjes, me dyshimet dhe kritikat që erdhën në fillim. A ka shpenzuar Guardiola më shumë sesa 80 milionë euro për një qendërmbrojtës për të luajtur si mbrojtës i majtë? Trajneri i Sitit ishte i qartë: “Ne kemi nënshkruar me mbrojtësin apo anësorin më të mirë në botë”.

Dhe koha i ka dhënë të drejtë, duke e bërë kroatin një lojtar të besueshëm në mbrojtje dhe një armë në sulm, i cili ka shënuar pesë gola në muajin e fundit të sezonit me Sitin. “Në futboll dhe në jetë ka një faktor kyç: besimi. Vetëbesimi që fiton duke bërë gjëra”, shpjegoi Guardiola duke analizuar Gvardiol. “Nuk mund të harroni se ky është sezoni i tij i parë në Premier Ligë dhe ai është vetëm 21 vjeç, kështu që nuk ka qenë e lehtë ta menaxhosh atë. Ai kishte vështirësi në fillim, pasi erdhi në një ekip që sapo kishte fituar tripletën dhe u tregua pak i ndrojtur, ndoshta duke menduar: ‘Nuk dua të prish strukturën që ata kanë dhe atë që kanë arritur'”, këmbënguli trajneri katalanas, i cili e vë në dukje si një lojtar shumë të veçantë. “Pas ndeshjes me Uolvesin, ne i dhamë të gjithëve tri ditë pushim dhe ai vendosi të kalonte ditën e parë në qendrën stërvitore për t’u rikuperuar.

Kështu që fokusi i tij është tërësisht te futbolli dhe ai dëshiron të përmirësohet vazhdimisht. Kur kjo ndodhë, ju e dini se ju keni diçka të veçantë në duart tuaja”. E tillë ka qenë paraqitja e Gvardiolit me Sitin sa trajneri i Kroacisë ka vendosur të kopjojë formulën e Pepit për kombëtaren. “Ai nuk do të luajë si qendërmbrojtës, ai do të vazhdojë si anësor”, pranoi Daliç pas mbërritjes së tij në kampin stërvitor të Kroacisë në Gjermani. “Ai është me të vërtetë i gjithanshëm.

Ka fuqi, energji, forcë dhe vlerësimi ynë është se ne kemi nevojë për të në krahun e majtë, sepse ai mund të japë një kontribut në sulm dhe të mbyllë gjithçka në prapavijë. Muajt e fundit konfirmuan se ai është lojtari i së tashmes dhe i së ardhmes. Vetë Gvardiol, megjithatë, shpreson të vazhdojë të përmirësohet: “Ndihem si në shtëpinë time. Jam i lumtur, por jam ende i ri, jam 22 vjeç dhe mund të vazhdoj të përmirësohem. Ju shikoni Stons dhe Uoker dhe ata janë si makineri”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"