Peko Banjaja, përsëri kampion. Italiani i Dukatit fiton në Valencia botërorin e dytë në Moto GP

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 20:29

Peko Banjaja, përsëri kampion. Italiani i Dukatit fiton në Valencia botërorin e dytë në Moto GP

Françesko Banjaja kon firmohet kampion në Moto GP, duke mbrojtur kështu kurorën në klasin mbretëror. Italiani i Dukatit e ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme botërorin, duke fituar Çmimin e Madh të Valencias, për të bërë të tijin titullin e dytë radhazi. Peko la pas në garën e djeshme Fabio Di Xhanantonion dhe Johan Zarkon, dy marka të tjera të Dukatit, që plotësuan podiumin spanjoll.

MOTO

Për Banjajën titulli u hipotekua që në xhiron e tretë, teksa Horge Martin, pas një kontakti me Mark Markezin përfundoi jashtë, duke i dhënë lamtumirën ëndrrës për botërorin. Gjithashtu edhe Markezi e mbylli në mënyrën më të keqe aventurën e tij të jashtëzakonshme te Honda.

Në fund e gjithë festa ishte për Banjajën, i cili finalizoi një tjetër botëror fantastik, në kuotën e 437 pikëve, me 5 gara të fituara dhe 14 herë i ngjitur në podium. Ndërsa Martin ndalet në shifrën e 416 pikëve, me 4 fitore dhe 8 podiume, duke merituar gjithashtu duartrokitje. Ndërsa Dukati konfirmohet lider absolut për konstruktorë me titullin të fituar shumë javë më parë.

FJALËT E KAMPIONIT – Me trofeun e Moto GP-së në duar, Françesko Banjaja, shprehu të gjithë gëzimin e tij, pas triumfit në Valencia. “Është një ëndërr! Kohët e fundit vuajtëm më shumë seç duhet të shtunave, por të dielave jemi gjithmonë më të fortët në pistë. Ishte fantastike! Aksidenti në Barcelonë e vështirësoi rrugëtimin tonë, por fitorja sot këtu (dje) ishte fantastike, sepse gjithmonë kam ëndërruar të fitoj garën dhe titullin, së bashku në të njëjtën kohë.

I falënderoj të gjithë”, u shpreh fillimisht Banjaja, teksa më pas foli për rrëzimin e rivalit: “Nuk e kuptova se Martin kishte dalë jashtë gare. Përkundrazi, isha pak i frikësuar nga presioni i gomave në fillim të garës, kështu që u përpoqa të vazhdoja me të tjerët, pastaj gjithçka shkoi siç duhej dhe nuk mund të kërkoja më mirë”, deklaroi piloti 26 vjeçar nga Torino. Duke llogaritur edhe titullin në Moto 2 në vitin 2018, ky është triumfi i tretë kampion bote për Françesko Banjajën.

Urimi nga Juventusi

Peko Banjaja njihet si një tifoz i zjarrtë i Juventusit, ndërsa menjëherë pas fitimit të titullit, 26-vjeçari ka marrë urimin e veçantë nga klubi më i titulluar i Italisë. “Urime Peko”, ishte mesazhi i publikuar në rrjetet sociale nga Juventusi, duke përshëndetur pilotin torinez pas titullit të dytë radhazi kampion në Moto GP.

1

2

MOTO GP/ LIBRI I ARTË

FITUESIT

VITI PILOTI
2023 FRANÇESKO BANJAJA
2022 FRANÇESKO BANJAJA
2021 FABIO KUARTARARO
2020 JOAN MIR
2019 MARK MARKEZ
2018 MARK MARKEZ
2017 MARK MARKEZ
2016 MARK MARKEZ
2015 HORGE LORENCO
2014 MARK MARKEZ
2013 MARK MARKEZ
2012 HORGE LORENCO
2011 KEJSI STONER
2010 HORGE LORENCO
2009 VALENTINO ROSI
2008 VALENTINO ROSI
2007 KEJSI STONER
2006 NIKI HEJDEN
2005 VALENTINO ROSI
2004 VALENTINO ROSI
2003 VALENTINO ROSI
2002 VALENTINO ROSI
2001 VALENTINO ROSI
2000 KENI ROBERTS JR
1999 ALEKS KRIVILLE
1998 MAJK DOHAN
1997 MAJK DOHAN
1996 MAJK DOHAN
1995 MAJK DOHAN
1994 MAJK DOHAN
1993 KEVIN SHVANTZ
1992 UEJN REJNEI
1991 UEJN REJNEI
1990 UEJN REJNEI
1989 EDI LAUSON
1988 EDI LAUSON
1987 UEJN GARDNER
1986 EDI LAUSON
1985 FREDI SPENSER
1984 EDI LAUSON
1983 FREDI SPENSER
1982 FRANKO UNÇINI
1981 MARKO LUÇINELI
1980 KENI ROBERTS
1979 KENI ROBERTS
1978 KENI ROBERTS
1977 BERRI SHEJN
1976 BARRI SHEJN
1975 XHAKOMO AGOSTINI
1974 FIL RID
1973 FIL RID
1972 XHAKOMO AGOSTINI
1971 XHAKOMO AGOSTINI
1970 XHAKOMO AGOSTINI
1969 XHAKOMO AGOSTINI
1968 XHAKOMO AGOSTINI
1967 XHAKOMO AGOSTINI
1966 XHAKOMO AGOSTINI
1965 MAJK HEILUD
1964 MAJK HEILUD
1963 MAJK HEILUD
1962 MAJK HEILUD
1961 GARI HOKING
1960 XHON SURTES
1959 XHON SURTES
1958 XHON SURTES
1957 LIBERO LIBERATI
1956 XHON SURTES
1955 XHEF DJUK
1954 XHEF DJUK
1953 XHEF DJUK
1952 UMBERTO MASETI
1951 XHEF DJUK
1950 UMBERTO MASETI
1949 LESLI GRAHAM

 

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"