Pankina bosh, Apolonia i merr bisedimet për stolin me… nge

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2023 | 21:24

Pankina bosh, Apolonia i merr bisedimet për stolin me… nge

Apolonia është e detyruar t’i nënshtrohet një revolucioni këtë verë. Për të dytin vit radhazi nuk u ngjiten dot në elitë dhe “hemorragjia” ka nisur. Gjithçka nisi me trajnerin Veljko Dovedan, që dha dorëheqje të parevokueshme. Pas ndeshjes së “play off”-it, ai shpalli edhe “divorcin” me klubin.

apolonia

Stërvitja vijon me drejtorin Kule dhe zëvendësuesi nuk po duket. E megjithatë, burime jozyrtare pranë klubit, bëjnë të ditur se kanë nisur bisedimet e para me disa kandidatë. Presidenti Koço Kokëdhima po merr gjithë kohën e nevojshme për vendimin përfundimtar.

Momentalisht në skenë nuk ka asnjë emër konkret ose të mundshëm që mund të lakohet. Gjithçka po mbahet e fshehtë nga vetë drejtuesit më të lartë, të cilët nuk japin asnjë deklaratë për mediat rreth kësaj çështjeje.

Trajneri i ri pritet të jetë një që nuk e ka drejtuar më parë Apoloninë dhe nuk përjashtohet mundësia që të vijë edhe një i huaj. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë rrjedhe do të marrë kjo çështje. Në minutat e fundit mund të ketë ndonjë vendim tjetër surprizë.

Apolonia ishte për rekord sezonin e fundit, pasi u drejtua nga tre trajnerë të ndryshëm. Kampionati nisi me Klevis Dalipin, vijoi me Mariglen Kulen si të komanduar dhe në fund u ul Veljko Dovedan.

Nëse për stolin nuk ka gjë në vijë, e njëjta gjë vlen edhe për merkaton. Largime, por afrimet as që duken. Përforcimet janë të domosdoshme në çdo repart. Dhe jo vetëm për numër, por me cilësi dhe përvojë.

Mungesa e eksperiencës u bëri mjaft dëm bardhejeshilëve. Vetëm talenti i të rinjve dhe dëshira për të bërë mirë, nuk i bëri kurrë pretendentë. Klubi ndoshta po pret që të zgjedhë “timonierin” dhe t’ia lërë në dorë atij afrimet.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"