“Orikun e ngjita unë në Kategorinë e Parë, por sot i mund”, zv.trajneri i Apolonisë skanon përballjen si “ish”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2023 | 11:00

“Orikun e ngjita unë në Kategorinë e Parë, por sot i mund”, zv.trajneri i Apolonisë skanon përballjen si “ish”

Apolonia kërkon që të kapë shansin përballë Orikut, kundërshtar që e presin sot në orën 14:00. Një fitore do të përkthehej me zonën “play off” dhe këtë mundësi fierakët nuk kanë në plan që ta humbasin. Luajnë në shtëpi dhe kanë një “armë” plus në stol, Besmir Shabani. Zv.trajneri i njeh shumë mirë orikasit, pasi edhe i ka drejtuar.

dovedan besmir shabani

Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, numri dy i pankinës fierake thotë:

“Kemi bërë një kthesë të jashtëzakonshme, e cila nisi me barazimin në Lushnjë dhe vijoi me dy fitoret radhazi ndaj Tërbunit e Dinamos. Asgjë nuk ka ardhur rastësisht, pasi është produkt i punës sonë. Ka ndryshuar gjithçka për mirë te ne, si në aspektin tekniko-taktik, ashtu edhe në atë psikologjik. Gjetëm një skuadër të pamotivuar, por pas 4 muajsh situata është krejt tjetër. Kemi mundësinë që të kapim zonën ‘play off’ nesër (sot) nëse mundim Orikun dhe me këtë objektiv do të zbresim në fushë. Unë kam një të kaluar me orikasit dhe jam i emocionuar. Bëra mrekullinë duke e ngjitur këtë skuadër në Kategorinë e Parë. Askush nuk besonte në realizimin e kësaj ëndrre. Fati na vë përballë, por si profesionist i kam analizuar me detaje dhe dua t’i mund. Kemi punuar intensivisht gjatë gjithë javës për të arritur suksesin e radhës në mënyrë që ecuria jonë pozitive të mos ndalet këtu”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"