Pse Partizani ka merita në bukurinë e ndeshjes me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 21:05

Pse Partizani ka merita në bukurinë e ndeshjes me Tiranën

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Sa merita sepse ai luajti mirë, madje shumë mirë. Ndonëse edhe më mirë luajti Sport Klub Tirana. E këto “10 radhët e mia”, po i shkruaj me synimin për të ulur disi poshtë gjithë ato kritika që iu bënë Partizanit. E pra, a nuk desh të fitonte Partizani? A nuk luajti 90 minuta për të fituar?

A nuk krijoi shumë raste për shënim? A nuk pati harmoni në mënyrën se si doli në sulm? E atëherë, përse u dashkan gjet veç të meta për humbjen, “hala në përpeq”, siç thuhet? Në fund të fundit, kur i qe bërë obsesion dëshira e madhe për fitoren, përse u dashka ndrydhur në vetvete? Ndonëse ai u mposht prej madhështisë së golit “vrasës” të Xhixhës, i cili rrëmbeu topin nga gjysmëfusha e tij, dhe nuk pati burrë nëne partizanas që ta ndalte.

PARTIZANI

Guxoj, pra, të them se megjithatë, kjo nuk ishte dobësi e Partizanit. Ishte moskujdesja, për shkaqe të etjes, për të shënuar ai vetë golin e tij, që për fat nuk erdhi. Ndërkaq, merret me mend, edhe për shkak të meritës së Sport Klubit. Partizani nuk duhet të shqetësohet assesi. I ka dhënë ndeshjes ritëm, ton sulmues për 90 minuta, çka u bë shkak që të dilnin në pah aftësitë trimërore të portierit të SK Tiranës, Bekaj.

Edhe kjo është një meritë e Partizanit, merita e meritave të tij, madje. Me synimin e tij të pandalshëm për fitore, ai e ftoi Sport Klubin në një duel të pashembullt, duke mos pyetur ky i fundit as pse kishte mbetur me 10 lojtarë. Le të më kundërshtojnë, por unë këmbëngul se Partizani ka zhvilluar një ndeshje të mrekullueshme. Besoj e mbani mend e sa bukur ka luajtur Brazili ndaj Italisë më 1982-shin, edhe pse humbi 2-3.

Kësisoj, duke u kthyer te Shqipëria e vogël e një futbolli modest, me mrekullinë 2-0 të kampionëve, kjo ndeshje e së dielës që shkoi, i ka dhënë këtij kampionati “të varfër”, të cilit i mungojnë gjysma e qyteteve më futbollistike të Shqipërisë, një brilant të vogël, që nuk di nëse do të mund të vazhdojë të ndriçojë i vetëm në javët që vijnë. Pa harruar ndërkaq, se na mahniti me praninë e 14.000 shikuesve në ndeshje!…

Kam fort respekt për trajnerët, për ish-trajnerët, për ishfutbollistët. Por ndoshta ata nuk duhet të sundojnë çdo studio televizive në “gazetarinë” e tyre, që sigurisht nuk është gazetari, por është teknikë folëse, komentuese e futbollit, duke qenë gjithnjë të prirur pra, veç nga taktikoteknika.

E kjo ka kaluar sensin e masës. Por le të mos kritikoj edhe unë këtu… Përfundimisht, sa është e pakritikueshme SK Tirana falë fitores së saj të një stili europian, aq është i pakritikueshëm Partizani që në futbollin e tij hapësinor të një sulmi, për një çast më kujtoi Partizanin e dikurshëm.

Më saktë sulmin e tij tradicional të themeluar prej një Loro Boriçi e Refik Resme qysh në vitet ’50 dhe “i firmosur” me ngjyra aq të forta më mbas prej penelit të pashuar të Panajot Panos. Nuk po zgjatem më tej. Më pëlqen që të “festoj” ndoshta këto ditë 75-vjetorin e kampionatit të parë të Partizanit, kampionat që ndërroi vetë historinë e futbollit shqiptar. Është harku shekullor 1947-2022. Është kampionati debutues i tij më 1947- ën dhe me titullin e lartë të tij, më i diskutueshmi në krejt historinë tonë; madje me absurditetet e tij ai mund të hyjë në enciklopedinë e futbollit botëror… Kishte filluar me ndeshjen e parë me Vllazninë e Shkodrës, që qe shtyrë!

Me atë Vllazni që Partizani i sotëm do të ndeshet këtë javë, si në një “festim” spektakolar të 75-vjetorit në fjalë. Unë për vete nuk e kam mendjen te rezultati. E kam mendjen te gara, që po e quaj e “spektatorëve”. Dëshira më thotë që Shkodra “ime” ta kalojë shifrën e 14.000 shikuesve. Kjo sepse vetëm prania e madhe e spektatorëve do ta shpëtojë kampionatin e Shqipërisë nga kriza e tij…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"