Çfarë është Kombëtarja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2023 | 17:27

Çfarë është Kombëtarja

Opinion nga Besnik DizdariCollage Maker-05-Apr-2023-05-27-PM-5949

Sigurisht përherë është shkruar për Kombëtaren. Në historinë universale të futbollit, Kombëtarja e një shteti tashmë e përshkuar në tre shekuj – ndeshja e parë midis kombëtareve është ajo Anglia – Skocia, luajtur në Gllasgou më 30 nëntor 1872 – është shndërruar vetvetiu në një simbol sportiv kombëtar të një shteti.

Në Shqipëri, kësisoj, më vonë se askund, sepse ndeshjet zyrtare ajo i ka filluar vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse ajo është themeluar në Tiranë më 5 mars 1936 me ndeshjen përuruese Kombëtarja A – Kombëtarja B 2-0. Në historinë e saj ndërkombëtare (1946-2023) Kombëtarja e Shqipërisë është përshkuar në një trajtim shumë të çuditshëm. Them kështu sepse edhe tema e këtij shkrimi “Çfarë është Kombëtarja”, po aq mund të duket e çuditshme. Duke qenë se jam autori i parë që kam shkruar historinë e saj (“Historia e Kombëtares”, 1993 dhe “Libri i Kombëtares”, 2001) kam vuajtur tejet, për ta gjetur për së mbari se çka është Kombëtarja e Shqipërisë.

Ndeshje të përshkruara e të papërshkruara, formacione të gabuara e të zhdukura, gjykime politike e apolitike, trajtesa modeste me gjasë teknike, e heshtje gati totale për një mori të ndeshjeve të saj, shpesh të publikuara deri me vetëm dhjetë rreshta gazete. E ndërkohë, jo rrallë, kritika e lavdërime të pafund, të tepërta e të sakta, “të shfrenuara” e të baraspeshuara, euforike e të politizuara deri në qiell.

Dhe ndërsa kemi mbërritur në vitin 2023, e për një çast mendon se nuk ka kuptim të shtrosh “analizën” se “Çfarë është Kombëtarja”, papritmas të duket se shpesh merremi me të pa e ditur fort mirë se çfarë ajo është në të vërtetë. E ndërsa në këtë shekull XXI, Kombëtarja e Shqipërisë arriti deri në finalet e Kampionatit Europian, ka do kohë fort të mira, ose më qartë: ka plot gati 7 vjet që këtë Kombëtare opinioni publik i udhëhequr nga gazetaria e publiciteti i skajshëm, po më duket se po e trajton pa e kuptuar mirë se “Çfarë është Kombëtarja” në të vërtetë.

Natyrisht, nuk mund të guxoj të pohoj pa mëdyshje se na ka kapur një lloj megalomanie e një vetëkompetence artificiale në gjithë këtë trajtesë, saqë tash e parë po na duket se deri edhe taktika e një skuadre të futbollit ka lindur në Shqipëri. E për çka nuk flitet, shkruhet e komentohet! Flitet – për fat me një lloj absolutizmi – për krahun e djathtë e për krahun e majtë, për mesfush orin e sulmit e të mbrojtjes, për qendërsulmuesin e vetëm e atë bashkë me një tjetër. Dhe mbi të gjitha, flitet për trajnerin. Madje për të flitet më shumë se për vetë lojtarin që humbet golin dy metra larg portës apo për lojtarin që bën një lojë të mrekullueshme. Dhe… trajneri! E pra, mos e kemi tejkaluar kufirin?

U pati thënë lojtarëve të tij një gazetar i famshëm brazilian, i cili ia arriti të bëhej edhe trajner i Brazilit më të madh të kohërave, Joao Saldanha (1917-1990): “Nëse dhjetë minutat e para nuk ia dilni me taktikën time, luani si t’ua marrë mendja juaj”. Sigurisht ai kishte e kë nuk kishte! Kishte Pelen me shokë. Ky ndoshta është kuptimi më simbolizues i rolit apo fuqisë dhe pafuqisë së trajnerit edhe të një Kombëtareje. Mirëpo, është e çuditshme se si ka mundësi që në këtë Shqipëri të vogël e modeste në sporte, e pra, edhe në sportin e futbollit, për ditë të tëra, duke nisur nga kafenetë e televizionet, më shumë se për lojtarët flitet për trajnerin. Madje pa ndalur. Kur dihet që, edhe pse ai është shumë i rëndësishëm, në fund të fundit, ai nuk luan. Ai vetëm shpreson se mendimi i tij do të përçohet në fushën e lojës te djemtë që drejton. Sa ia arrin të drejtojë e ta përçojë këtë mendim, bota e futbollit ende nuk ka arritur as ta masë, as ta absolutizojë.

Sidoqoftë, debati përherë ia vlen. Mirëpo, përherë pritet të jetë një debat i shëndetshëm, i ditur dhe demokratik, siç ka përkufizuar një gazetar i shquar dhe profesor i gazetarisë. Tregojnë se kur ishte trajner i Barcelonës, një nga më të mëdhenjtë e këtij profesioni, Helenio Herrera (1919- 1997) para një ndeshjeje të Barcelonës që drejtonte asokohe (1958-‘60), e kishte si zakon që me një rreptësi të qortueshme t’i pyeste si në një urdhër lojtarët: “Kush fiton sot? Të gjithë ishin të detyruar të thoshin: “Ne”! Mirëpo një herë, lojtari i madh hungarez i Barcelonës, Zoltan Czibor (1929-1997) guxoi e tha: “Për këtë shkoni e pyetni pak më tej në dhomën e skuadrës kundërshtare!”…

Ra heshtja dhe i rrepti Herrera mbeti keq, vërtet. Asisoj, psikologjia e tij urdhëruese nuk funksionoi. Ky është futbolli me pasigurinë e tij shembullore. Ndërkaq, ne, këtu në Shqipërinë tonë të vogël, me sa duket, na është mbushur mendja se trajneri i Kombëtares është gjithçka. Gianni Brera, prej të cilit si gjithë të tjerë, edhe unë vazhdoj të mësoj, thoshte se “nuk është moduli taktik i trajnerit, që ndikon në të shumtën e rezultatit, por zotësia dhe fuqia e futbollistit”. Trajneri i ri i Shqipërisë, braziliani Sylvinho, i cili punoi vetëm një javë me Kombëtaren shqiptare, sigurisht nuk ka asnjë faj për golin që pësoi Shqipëria ndaj Polonisë, kur një lojtar i vetëm polak, përballë katër mbrojtësve shqiptarë, ua çoi topin lehtë-lehtë, aty ku asnjëri prej tyre, me në krye portierin Strakosha, nuk e kuptuan. Asnjë faj nuk ka këtu trajneri Sylvinho, por lojtarët. Ma do mendja se “faji” i tij i vetëm ishte se ai ende nuk i njihte këta lojtarë. E, sigurisht, ai nuk kishte se si t’i njihte ata për shtatë ditë.

Qofsha i gabuar, por mendoj se në kaq pak kohë ai do të ketë përfshirë në 11-sh edhe lojtarë, të cilët nuk ia ka arritur t’i shihte as në një ndeshje të vetme duke luajtur. Kjo ngaqë nuk kishte mundësi t’i shihte në ato pak ditë, kur sapo u emërua trajner i Shqipërisë. Aq më tepër që Strakosha dhe Mehmeti luajnë në Angli. Balliu e Uzuni në Spanjë. Kumbulla, Hysaj, Asllani e Bajrami në Itali. Mihaj në Portugali. Ramadani në Skoci. Gjasula në Gjermani. Laçi në Republikën Çeke. Asani në Kore. Seferi në Poloni. Cikalleshi deri në Arabinë Saudite. Kjo është një Kombëtare që është bashkuar nga lojtarë prej 8 shteteve. Kur skuadra përbëhet nga 11 veta. Ndonëse në këtë ndeshje tonën me Poloninë me gjithë të ndërruarit, qenë 15. Pra, 15 lojtarë që vijnë po prej 8 shteteve. Të gjithë shqiptarë natyrisht. Shqiptarë të përtej kufijve, që i dallon menjëherë edhe prej shqipes paksa të veçantë që flasin. Dhe ishim me vetëm dy shqiptarë të tokës shqiptare të futbollit: Cikalleshi dhe Uzuni. E po të doni po shtoj edhe Hysajn që deri në 14 a 15 vjeç luajti në Shkodër.

Kjo është një nga Kombëtaret më ndërkombëtare në historinë e Shqipërisë. Kësisoj, tema jonë “çfarë është një Kombëtare”, mbetet në fuqi. Dikur, dihet, nuk ka qenë kështu. Trajnerët ishin shqiptarë. Ishin gjithë kohën në Shqipëri, çdo javë duke parë ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë prej nga ata përzgjidhnin lojtarët e Kombëtares. Adem Karrapici apo Bik Jakova, Loro Boriçi apo Myslym Alla, Zyber Konçi apo Ilia Shuke, Shyqyri Rreli apo Bejkush Birçe, Neptun Bajko apo Astrit Hafizi, Medin Zhega apo Agron Sulaj a Sulejman Demollari arrinin t’i njihnin ata deri në imtësi. Dhe se “çfarë ishte Kombëtarja” për ta bëhej krejt e qartë. Kombëtarja e tyre, si të thuash, ishte te dera e shtëpisë, në bahçen apo kopshtin e shtëpisë, në fushat e stadiumet e Shqipërisë. Më mbas, në fillim të viteve ‘90 e pak më tej, Kombëtarja formohej me lojtarët e tokës sonë të futbollit, e edhe ndonëse ata kishin shkuar në klubet e huaja, sidomos në Greqi, prapëseprapë trajnerët shqiptarë i njihnin fort mirë ata, stilin e tyre, rolin e teknikën e tyre, mendësinë apo horizontin e tyre.

Kjo ngaqë për vite i kishin ndjekur çdo javë në Shqipëri, e prej tyre ata kërkonin vetëm diçka: si ishin fizikisht atje tej, në skuadrat e shteteve të tjera. Mbështetja e Kombëtares së Shqipërisë me lojtarë vendës, pak a shumë nisi të zbehet dukshëm andej kah viti 2005. Ndonëse herë-herë, edhe mbas këtij viti ka ende ndeshje me shqiptarë të Shqipërisë. Kujtoj këtu ndeshjet e paharrueshme të rangut më të lartë europian, kur ende nuk po shuhej plotësisht përbërja “vendëse”. Kanë qenë të tilla të mëdhatë tona Norvegjia – Shqipëria 0-1 (Agolli, A.Lila, E.Bulku, Roshi, Bogdani, Salihi); Portugalia – Shqipëria 0-1 (Agolli, Roshi, A.Lila, Balaj, Cikalleshi); Franca – Shqipëria 1-1 (Agolli, A.Lila, Vila, E.Bulku, Cikalleshi, Balaj); Shqipëria – Franca 1- 0 (Roshi, Sadiku, S.Lilaj, Balaj, A.Lila, Çikalleshi); e deri te Rumania – Shqipëria 0-1 e Lyonit (Agolli, A.Lila, Roshi, Sadiku, Balaj). Siç e shihni, rezistonte ende prania e jo pak djemve të dalë prej tokës së futbollit të Shqipërisë. Mandej, thuajse në tërësi, vërshojnë “të huajt”. Duke kulmuar sot me një Shqipërinë ku 90 për qind e lojtarëve nuk i ka lindur e formuar farishtja e bahçes shqiptare.

A duhet ndërruar ky stil? Po kush guxon të mbështetet te lojtarët e tokës shqiptare me këtë kampionat që ka sot Shqipëria, teksa përveç të tjerave, zona pjellore të futbollit, nga Vlora në Korçë, nga Kavaja në Elbasan, nga Berati në Gjirokastër e tjerë, i kanë skuadrat në pikë të hallit për shkak të përjashtimit të tyre nga Kampionati Kombëtar? Po a ka pra, më talente të futbollit në Shqipëri, të cilët mund t’i japin përgjigje titullit të shkrimit të këtushëm? Kombëtarja e Shqipërisë është ajo e futbollistëve që nuk i lind, nuk i formon dhe nuk i rrit ajo.

Në këtë dukuri Shqipëria është kampione e botës. Dhe Shqipëria është i vetmi vend, Kombëtarja e së cilës përbëhet në rreth 90 për qind nga lojtarë shqiptarë, të cilët nuk i ka lindur e rritur ajo. E meriton plotësisht emërtimin “Kombëtare e diasporës”. Është e vërtetë, edhe shtetet e tjera mund t’i kenë kombëtaret e tyre me lojtarë, të cilët nuk luajnë në vendin e tyre, por ata në mbi 90 për qind i kanë të lindur e rritur në tokën e vendit të tyre. Pa e zgjatur më tej: prej Kombëtares autoktone, në Shqipëri është hequr dorë.

Tash kemi një Kombëtare prej shtatë a tetë shteteve të ndryshëm me absurdin që nuk i ka lindur e rritur Shqipëria. Kësisoj, Kombëtarja e sotme shqiptare është në duart e një trajneri i cili duhet të mbetet vetëm në avionë, të fluturojë mijëra kilometra për të parë 90 minuta një lojtar. Mandej vrap tek avioni tjetër për të parë një tjetër. Punë fort e mundimshme. Mund të më thonë: po shtetet e tjera që gjithashtu i kanë jo pak lojtarët e tyre po ashtu jashtë vendit? E vërtetë. Por me një ndryshim. Përsëris: ata mbi 90 për qind i kanë rritur lojtarët prej tokës së tyre dhe këtu nuk ia vlen të komentosh më tej. Kombëtarja e Shqipërisë sa e natyrshme që të duket, aq “e panatyrshme” të duket. E pra: “Çfarë është Kombëtarja?” Më saktë: çfarë është Kombëtarja e Shqipërisë? Ndeshja me Poloninë nuk të jep mundësinë e përgjigjes së kësaj pyetjeje, ndonëse ajo qe ndeshje e mirë. Por ndonjë gjë fort të madhe mbase e kemi të vështirë të presim. Kjo jo vetëm për faktin se Republika Çeke dhe Polonia janë disa shkallë mbi ne në traditat e forcën e futbollit.

Por edhe ngaqë, me sa dimë, ata përherë kanë demonstruar një karakter të fortë e ndjenjë të lartë atdhetarie. Çka dikur, përmes atij që ne në formë disi artificiale, e patëm quajtur “shpirt luftarak”, e demonstronte edhe Kombëtarja e Shqipërisë së vogël. Sot kjo më duket një temë madhe për t’u rihapur dhe do ta përcaktoja se ende ndoshta jemi në kërkim të asaj që do ta quaja “ndjenjë sakrifice”. Çka këtyre lojtarëve të mirë e të sprovuar që kemi, kjo ndjenjë të mos u shuhet sapo ata “mbarojnë punë” me Shqipërinë, e nxitojnë të shkojnë te klubet e tyre joshqiptare me të cilët kanë lidhur jetën e tyre. Ndonëse këtyre djemve të mirë, nuk besoj megjithatë, se mund t’ua marrë mendtë ky lloj nxitimi për atje… Dhe më mbetën sytë te fundi i ndeshjes së Gjermanisë të humbur 2-3 prej Belgjikës, se me çfarë shpirti të lartë, që po e quaj “luftarak”, gjermanët u hodhën në sulm për të përmbysur rezultatin. Mbërritën në 3-2 dhe mandej, janë ato pak minuta që kishin mbetur, ndjenja e lartë e sakrificës tek ata ishte e frikshme për belgët. I ndaloi vërshëllima e fundit e gjyqtarit.

Dhe ishte thjesht një ndeshje miqësore. Ndërkaq, mund të them se në minutat e mbetura të ndeshjes me Poloninë, nuk përjetova te shqiptarët e mi këtë “shpirt të lartë luftarak”. E mu duk se u pajtuan para kohe me rezultatin. E pra, ndryshimi ishte vetëm 1 gol. Qofsha i gabuar, gjithsesi. Pa guxuar të mbërrij ndërkaq, tek ajo që thotë Brera: “Kur fjala top, duhet të rimojë me fjalën atdhe”.

Nuk mendoj se gaboj kur them se Kombëtarja është i gjithë futbolli ynë, deri aty saqë ne të ndalim frymën vetëm për ndeshjet e saj. Aq më tepër që nuk luftojmë as për titullin europian as për atë botëror. Futbolli për një shtet a komb është diçka tjetër. Është një sport apo lojë dëfryese dhe edukuese natyrisht, që gjallëron tejet jetën kulturore e shoqërore të popujve. Kësisoj, edhe ngaqë ai është i përjavshëm. Pra, nuk është vetëm në 5-6 ndeshjet e Kombëtares në një vit.

Për hir të së vërtetës, shumë më i rëndësishëm është ai tjetri që i thonë Kampionati Kombëtar i një vendi, ndeshjet e të cilit pra, luhen çdo javë. Mendoj se ne na duhet ta ulim tonin, zhurmën, jehonën, përsiatjet deri në skaj të mendimit, publicitetit, shkrimeve, komenteve, gjykimeve, absolutizimeve të taktikës e të skemave. Do të ishte më e rëndësishme që para gjithë kësaj, të pyesim: çfarë bëhet me futbollin në Vlorë apo Korçë e përtej?…

Një përgjigje e kësaj pyetjeje do të na çonte jo vetëm te shtimi i skuadrave në Kampionatin Kombëtar për të risjellë qytetet e humbura të futbollit. Më tej, kjo do të na çonte në vendime të forta të tilla si, bie fjala ky: që ndërsa sheh rezultatet e tyre të paarritshme, edhe pse të mbushur edhe këto ekipe me lojtarë shqiptarë të “diasporës”, Kombëtaret shqiptare të 17, 19 e 21-vjeçare të përbëhen vetëm me lojtarë të talentuar të brenda Shqipërisë. Këta kurrë nuk kanë munguar. Prej këtu mandej do të mund nxitemi për të kuptuar më drejtë e më thellë se: “Çfarë është Kombëtarja”…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"