Sporti si element me interes publik për shoqërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2019 | 21:52

Sporti si element me interes publik për shoqërinë

ARTAN SHYTI

aRTAN SHYTI

Rëndësia dhe pesha e sportit në shoqëri është rritur në përmasa të paimagjinueshme. Edhe më optimistët e shekullit 20 nuk do të mund të parashikonin se aktiviteti sportiv do të merrte këtë përhapje dhe intensitet në shoqërinë e shekullit të 21-të.

Sot, pa asnjë dyshim, sporti në të gjitha aspektet e ekzistencës dhe zhvillimit të tij, është elementi më i pranishëm në jetën e njerëzve, është argëtimi kryesor për të gjithë pjesëtarët e familjes, evenimenti më interesant për mediat, biznesin dhe politikën. Shoqëria njerëzore ka hyrë kështu në epokën e sportit dhe me siguri do të qëndrojë gjatë në të.

Sporti përcaktohet sot si mjeti më efikas i edukimit, argëtimit, parandalimit të sëmundjeve, zhvillimit të identitetit kombëtar, forcimit të marrëdhënieve sociale dhe eliminimit të faktorëve negativë shëndetësorë e socialë të zhvillimit të fëmijëve, alternativë e shëndetshme për kohën e lirë të rinisë, mundësi karriere dhe përfitimi ekonomik për ata që ushtrojnë sportin profesionist, mundësi punësimi dhe degë e rëndësishme e ekonomisë kombëtare dhe ndërkombëtare, “ilaçi” më i mirë për një moshë të tretë aktive dhe produktive.

Sa thamë më sipër dhe plot aspekte të tjera që mund të shtohen, dëshmojnë se sporti nuk është e nuk do të jetë një çështje private e njerëzve, siç ka qenë konceptuar deri në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Sporti është sot një faktor i rëndësishëm i jetës shoqërore prandaj edhe zhvillimi i tij është një çështje me interes publik. Si i tillë, ai duhet të përfshihet edhe më fuqishëm në vëmendjen e shtetit dhe të zërë vendin që i takon përkrah arsimit e shëndetësisë, të cilat përbëjnë dy nga elementet klasike me interes publik të shoqërisë dhe për pasojë, detyra thelbësore të qeverisë.

Por, në realitet ndodh që ndërsa buxhetet shtetërore për arsimin dhe shëndetësinë janë shumë më të larta se sporti dhe rriten, me të drejtë, vazhdimisht, buxheti i sportit rritet me ritme shumë më të ngadalta dhe është shumë më i ulët se nevojat reale të Sistemit Sportiv Kombëtar. Arsyeja pse kjo ndodh mbetet konceptuale dhe për këtë nuk duhet fajësuar vetëm politika apo qeveritë që ajo prodhon.

Prandaj, një nga punët më të rëndësishme që duhet të bëjnë njerëzit e sportit është që të afirmojnë sportin si aktivitet me interes publik për shoqërinë. Sepse në vlerësimin e sportit si element me interes publik, qëndron perspektiva e një zhvillimi shumë më intensiv të tij në Shqipëri.

Ndaj, specialistët e sportit, shkollat e larta të sportit, institucionet e organizatat sportive, duhet të jenë shumë më aktive në analizën, studimin dhe promovimin e të gjitha vlerave të sportit për shoqërinë. Kjo do të na bëjë shumë më interesantë për shoqërinë, sepse vetëm nëse bëhemi realisht interesantë për shoqërinë, do të bëhet shteti i interesuar për zhvillimin e sportit.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"