Olimpiada e 44-t Botërore e Shahut, Aldo Zadrima: Përfaqësim dinjitoz në botërorin indian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 0:02

Olimpiada e 44-t Botërore e Shahut, Aldo Zadrima: Përfaqësim dinjitoz në botërorin indian

Në edicionin e 44-t të Olimpiadës Botërore të Shahut që u zhvillua në muajin gusht në Chennai të Indisë, mori pjesë edhe Shqipëria, e cila u përfaqësua me dy ekipe, djem dhe vajza. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Aldo Zadrima, trajneri i ekipit të vajzave, rrëfen eksperiencën në këtë eveniment.

zadrima5

Z. Aldo, hera e parë që shahu udhëton për në Indinë e largët?

Në olimpiada botërore jemi të pranishëm nga vitit 1962, por lidhur me turneun, atë të këtij viti që u zhvillua në Indi, për shahistët, shahun shqiptar, ishte hera e parë.

Cili ishte stafi, përbërja e shahistëve?

Shahistët djem ishin IM Llambi Pasko (tavolina 2), e me radhë IM Franc Ashiku, Dritan Mehmeti dhe Zino Veleshnja. Trajner Fatos Muço, Mjeshtër Ndërkombëtar dhe trajner i Fide-s. Shahistet vajza ishin: K/Mjeshtre e Fide-s Eglantina Shabanaj në tavolinën e parë e me radhë, Klean Shyqja (K/Mjeshtre e Fide-s, Kler Caku, Rozana Gjergji (K/Mjeshtre e Fides) dhe Eklea Omeri.

Cila ishte paraqitja, si u vlerësua konkurrimi?

Të dyja ekipet, djem dhe vajza, bënë një paraqitje dinjitoze, duke arritur rezultate të kënaqshme. Sigurisht vlen për t’u përmendur se tek ekipi i meshkujve u ndie mungesa e lojtarit titullar të ekipit dhe të tavolinës së parë, Mjeshtrit të Madh, Erald Dervishi, i cili për arsye madhore nuk u aktivizua. Ishte i angazhuar nga organizatorët në forumet e saj, duke u zgjedhur edhe President i Federatës Ballkanike të Shahut.

Cilat ishin rezultatet teknike?

Edhe pse në këto rrethana ekipi i djemve u paraqit mjaft mirë duke e përfunduar garën me 13 pikë, 6 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje duke u renditur në vendin e 53-të nga 187 ekipe pjesëmarrëse.

Po vajzat, si e konsideroni paraqitjen e tyre?

Për sa u përket vajzave, ekipi kishte në përbërje dy shahiste me eksperiencë të gjatë shahistike, si E. Shabanaj dhe R. Gjergji, disa herë kampione të vendit, si dhe tri shahiste të reja të talentuara, me moshë nga 12-16 vjeç që luanin për herë të parë në një turne të tillë të nivelit botëror.

Ekipi kishte bërë përgatitje serioze, duke kaluar dukshëm çdo parashikim, duke u renditur në vendin e 50-të ndërmjet 161 shteteve, nga vendi i 70-të në olimpiadën e kaluar.

Dhe mjaft prej shahistëve plotësojnë normën e mjeshtrave?

Rezultatet ishin të larta, të cilat u shoqëruan edhe me plotësimin e normës së Mjeshtrit të FIDE-s nga disa shahistë, si Z. Veleshnja për djem dhe E. Shyqja e R. Gjergji nga ekipi i femrave. Vlen të theksohet se edhe shahistja 12- vjeçare, Kler Caku, arriti të plotësojë normën e K/ Mjeshtrit të FIDE-s, që përbën një sukses premtues.

Nga FIDE, ekipit shqiptar i jepen medalje të arta?

Një sukses tjetër i ekipit të femrave ishte edhe vlerësimi i FIDE-s me medalje të arta për rezultatet e arritura duke u renditur në vendin e parë ndërmjet ekipit të femrave të grupit C. Në përfundim të Olimpiadës Botërore, për meshkuj fitues u shpall Uzbekistani, ndërsa për vajza ai i Ukrainës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"