Nuk e shpëtoi dot skuadrën nga rënia për në Kategorinë e Dytë, trajneri konfirmon largimin: Nuk do të jem më në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2023 | 11:56

Nuk e shpëtoi dot skuadrën nga rënia për në Kategorinë e Dytë, trajneri konfirmon largimin: Nuk do të jem më në stol

Besëlidhja i përket zyrtarisht Kategorisë së Dytë, nivel që e prek për të tretën herë në 100 vite histori. Rënia është shoqëruar me eksod nga fusha në pankinë. Trajneri Alert Alcani është drejt largimit nga stoli dhe këtë e konfirmoi gjatë një prononcimi enkas për “Panorama Sport”.

Alcani Noka

Shpreh keqardhje që nuk e shpëtoi dot ekipin e zemrës. E pranon që ecuria la për të dëshiruar, e megjithatë mendon se ndikim patën edhe aleancat apo prej gabimeve të arbitrave.

“Performanca e Besëlidhjes gjatë sezonit që lamë pas nuk ishte brenda pritshmërive. Si pasojë nuk arritëm që të mbijetonin. Përveç Alban Brukës, nga të gjithë trajnerët e tjerë që e drejtuan ekipin, unë jam ai që jam mërzitur më shumë. Kjo dihet pasi jo vetëm që te kjo Besëlidhje jam formuar e konsoliduar si futbollist, por më kryesorja është se është ekipi i qytetit tim.

Kur unë e mora në dorëzim ekipin kishte ende shpresa, por dihet se këtu te ne të vjedhin me anë të aleancave, por edhe nga gabime ordinere. Falënderoj presidencën për besimin që kishte tek unë, duke ma ofruar këtë post në një fazë delikate. Jam shumë i mërzitur që nuk arrita që ta justifikoja atë besim.

Gjithçka që do të flasim tani, nuk ndryshon me asgjë. Verdikti është dhënë më shumë se një muaj përpara dhe zyrtarisht Besëlidhja sezonin 2023-2024 do të militojë në Kategorinë e Dytë.

Ka gjasa që sezonin e ri të mos jem më trajner. Arsyet janë disa. Gjithsesi, Besëlidhja për mua mbetet ekipi i zemrës dhe kam besim se presidenca do ta mbështesë pa rezerva ekipin ashtu si deri më sot për ta rikthyer në Kategorinë e Parë”, përfundoi Alcani.

PRENG GJIKOLA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"