NOT/ Teuta dhe Stela dominojnë Kupën, Lavdaniti dhe Dande më të mirët. Shikoni tabelat e plota

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2021 | 18:45

NOT/ Teuta dhe Stela dominojnë Kupën, Lavdaniti dhe Dande më të mirët. Shikoni tabelat e plota

Për dy ditë me radhë në akuadromin e kryeqytetit është zhvilluar një nga aktivitetet më kryesore të sportit të notit, Kupa e Shqipërisë për të rritur e fëmijë. 8 ekipet pjesëmarrëse me afro 150 notarë kanë sjellë emocionet, shpirtin e garës dhe konkurrencën, duke arritur dhe 6 rekorde kombëtare.

Not

Në këtë event morën pjesë: Butrinti me trajner Stefan Shendin e Myrto Diolatin, Partizani me trajner Dashamir Bregun, Stela me trajner Sadik Memën, Teuta me trajner Gjergj Ngreçin, Tirana me trajner Arjan Fetishajn, Tradita me trajner Aleks Gjinin, Vlora Not me trajner Tomor Danën dhe Vllaznia me trajner Kol Shirokën. Zv.presidentja e Federatës Shqiptare të Notit, Keida Ushtelenca, e komentoi për “Panorama Sport” me nota pozitive aktivitetin:

“Ashtu si dhe pritej, FSHN ka bërë përpjekje të vazhdueshme si në mbarëvajtjen e aktiviteteve të tilla kombëtare po ashtu në shtimin e pjesëmarrjes, si dhe cilësinë e garave. Siç e patë, janë thyer 6 rekorde kombëtare si ai në 50 metra shpinë për meshkujt te të rriturit nga Xhoi Lavdaniti i Teutës me kohën 27.89 apo po për 50 metra flutur për fëmijë (11-12 vjeç) nga Julia Xhako e Tiranës me kohën 31.78.

Në 800 metra stil i lirë femra për fëmijë, notarja e Stelës, 11-vjeçarja Liana Muka, vendosi kohën 18.45.00. Në 100 metra shpinë për meshkuj të rritur përsëri Xhoi Lavdaniti i Teutës, vendosi kohën 1.00.10 si dhe stafetë 4×200 metra meshkuj për të rritur ekipi i Teutës vendosi rekordin e ri kombëtar me kohën 8.18.15. Kjo tregon se aktiviteti jo vetëm që ia arriti qëllimit, por u kurorëzua me sukses edhe nga numri pjesëmarrës.

Meshkujt

Gjithashtu, puna mjaft e mirë e trajnerëve si dhe vetë protagonistët e garave, pavarësisht pandemisë, treguan se janë stërvitur mirë. Një sukses është edhe cilësia e zhvillimit të garave me gjyqtarë të kualifikuar ndërkombëtarë”, deklaroi Keida Ushtelenca. Në fund të garës u shpall fitues ekipi i Teutës për meshkuj me 284 pikë, ndërsa për femra ekipi i Stelës zuri vendin e parë duke grumbulluar 242 pikë. Notarët më të mirë u shpallën Xhoi Lavdaniti për meshkuj me 1279 pikë dhe Sara Dande për femra me 1110 pikë.

femra

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"