Një mbrojtës ikën nga Elbasani, verdheblutë nisin stërvitjen më 24 qershor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2024 | 12:21

Një mbrojtës ikën nga Elbasani, verdheblutë nisin stërvitjen më 24 qershor

Miklovan Pere është i larguari i radhës nga skuadra e Elbasanit. Mbrojtësi, i cili gjatë sezonit të kaluar luajti si titullar me skuadrën, ka ndarë rrugët me verdheblutë vetëm pas një sezoni.

FOTO: F.Hazisllari

FOTO: F.Hazisllari

Peres i ka mbaruar kontrata me elbasanasit dhe palët zgjodhën për të mos e rinovuar atë mes tyre. Ka qenë vetë klubi verdheblu që ka zyrtarizuar këtë largim me një postim në kanalet zyrtare të rrjeteve sociale. Me largimin e tij, verdheblutë duhet të ribëjnë sërish mbrojtjen nga e para. Thuhet kështu, pasi më herët janë larguar dy lojtarët e krahut, Salomao dhe Fernandesh, duke e lënë praktikisht zbuluar këtë repart.

STËRVITJA – Elbasani të zbresë në fushë të hënën e ardhshme, më datë 24 qershor, për të nisur në këtë mënyrë edhe rrugëtimin e verdhebluve mes me të mirave të futbollit shqiptar. Të paktën, kjo datë është lënë për momentin dhe ka pak gjasa që të ndryshojë, për shkak se edhe lojtarët janë lajmëruar kohë më parë. Mbetet për t’u parë nëse gjatë kësaj jave elbasanasit do të bëjnë ndonjë zyrtarizim të ri apo nën urdhrat e Nevil Dedes do të zbresin futbollistët e edicionit të kaluar dhe më pas do të shihen edhe prurjet e reja. Ajo që dihet zyrtarisht për momentin që gjashtë futbollistë nga edicioni i kaluar nuk do të jenë (Pere, Karakaçi, Salomao, Fernandesh, Ivan dhe Bobi), pasi kanë mbyllur aventurën me skuadrën vetëm pas një sezoni. Mbeten për t’u parë edhe mungesat e tjera në seancën e parë, pasi me shumë gjasa ata që nuk do të thirren në apel do të jenë të larguarit e radhës.

MERKATO – Pas emrave që kanë qarkulluar në ditët e para të hapjes së merkatos, në Elbasan i kanë bërë “bllok” çdo informacioni sa i përket ndërhyrjeve në merkato. Duke qenë se për disa prej futbollistëve që kishin kontaktuar hynë në garë edhe skuadra të tjera për të marrë shërbimet, në Elbasan po tregojnë kujdes për çdo tentativë merkatoje. Mungojnë emrat e futbollistëve që po kontaktohen dhe vetëm kur të jenë fakt i kryer do të zbulohen. Megjithatë, ajo që dihet për momentin është afrimi i lojtarëve me peshë, duke parë që verdheblutë janë një nga skuadrat me financat më të shëndosha të këtij edicioni.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"