Nga Shin te Stoner dhe Simonçeli, pilotët më emocionues të motoçiklizmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 18:15

Nga Shin te Stoner dhe Simonçeli, pilotët më emocionues të motoçiklizmit

Në historinë mbi 70-vjeçare të Moto GP-së kanë qenë të shumtë pilotët, të cilët i kanë fituar zemrat e të apasionuarve të motorëve, falë një drejtimi spektakolar dhe elektrizues, ndonëse nuk mund të ketë rezultuar gjithmonë fitues. Por le të zbulojmë se cilët kanë qenë pilotët që kanë emocionuar më shumë publikun e botës së motorëve.

cnmxm,x

RAY AMM, “ENGJËLLI I VDEKJES” – I lindur në vitin 1927 në Harare në Zimbabve, Ray Amm është një prej pilotëve të rrallë afrikanë në historinë e Moto GPsë. Amm, fillimet e tij i ka pasur në garat e zhvilluara në Rhodesian Meridionale dhe në Afrikën e Jugut, aty ku tregoi për herë të parë grintën në pistë, të cilën e transferoi më pas në Kontinentin e Vjetër duke nisur që prej vitit 1951, ku dhe do të bënte debutimin në kategorinë më të lartë të motoçiklizmit. Kokëfortësia e tij, bashkuar me faktin që vishte një uniformë tërësisht të zezë, bëri që gjermanët ta quanin “Engjëlli i Vdekjes” (Todesengel). Por fati i keq, me disa rrëzime dhe probleme mekanike, e pengoi që të dërgonte në Rhodesi titujt botërorë për 350 dhe 500 cc në vitin 1954. Gjithsesi, ai ishte afrikani i parë që fitoi kompeticionin “Tourist Trophy” me plot tri fitore. Këto suksese bënë që ta afronte në gjirin e saj skuadra MV Agusta për Botërorin 1955, por fati e goditi fatalisht. Në Imola, në një prej pistave të tij të preferuara, në një garë parasezonale të zhvilluar në terren të lagur për shkak të reshjeve të shumta të një dite më parë, Amm ishte në ndjekje të Kavanagh. Por përfundoi i rrëzuar, duke marrë plagë vdekjeprurëse në kokë. Ishte vetëm 28 vjeç.

PHIL READ, LUFTËTARI NGA LUTONI I frymëzuar nga idhulli i tij Geoff Duke, Phil Read ka ditur të fitojë zemrat e tifozëve anglezë në harkun e gati 3 dekadave, falë një stili drejtimi tejet luftarak dhe spektakolarë. Janë të paharrueshme 7 triumfet e tij në vitin 1965, sezon kur fitoi titullin e dytë në klasin 250 cc me Yamahën. Në vitet ’70 ai do të bëhej edhe një prej rivalëve kryesorë të Giacomo Agostinit. Në vitet 1973 dhe 1974 ishte Read ai që do të dilte triumfues me skuadrën MV Agusta, ndërsa ka mbetur në anale gara në “Dutch TT” e vitit 1973. Read dhuroi emocione të mëdha edhe në sezonin 1975, por për vetëm 8 pikë titulli shkoi në favor të Agostinit. Viti i fundit në nivele të larta për anglezin ishte 1977-ta, kur fitoi Botërorin TT-F1 me Hondën, ndërsa triumfoi gjithashtu edhe në Senior TT. Read ishte shumë pranë tripletës me Clasic TT, por një rrëzim ia prishi të gjitha planet. Read, i ndarë nga jeta rreth dy muaj më parë, e mbylli karrierën në vitin 1982 me 52 fitore dhe 121 podiume.

BARRY SHEENE, I MADH DHE I PAFAT Pasi debutoi në garat motoçiklistike falë miqësisë së babait të tij me Francisco Bulton, Barry Sheene do të shndërrohej në një nga ikonat e Botërorit në vitet ’70 dhe ’80. Periudha më e mirë e karrierës së Barryt, ishin sezonet 1976 dhe 1977, kur fitoi edhe dy titujt e vetëm në klasin 500 cc me motorin Suzuki RG 500. Por që në vitin 1975 Barry e kishte realizuar garën më të mirë të karrierës, duke triumfuar në Dutch TT pas një parakalimi në momentet finale ndaj Giacomo Agostinit. Më tej konkurrenca e lartë me kampionët e rinj amerikanë e nxori në plan të dytë, ndërsa garat e tij u shoqëruan me rrëzime të shumta, kjo edhe falë shpirtit të tij të madh luftarak. I tmerrshëm ishte dëmtimi i pësuar në vitin 1982 në Silverstone, kur theu këmbët pas një përplasjeje me motorin e Patric Igoa. Mjekët ishin të detyruar të përdornin 27 vida për t’i ribashkuar kockat, ndërsa Sheene që prej atëherë do të bëhej piloti me më shumë fraktura i Motobotërorit. Pas tërheqjes, në vitin 1984 u transferua në Australi, duke vijuar karrierën si komentues televiziv. Për fat të keq pas një sëmundjeje të rëndë, u nda nga jeta në mars të vitit 2003, një ditë para se të ushtronte rolin e “starterit” në Çmimin e Madh të Australisë në F1.

WAYNE GARDNER, SA I PAFAT I lindur në Wollongong të Australisë, Wayne Gardner e lidh fatin e tij në Motobotëror me Hondën që prej debutimit në vitin 1983. Sezonet e para karakterizohen me disa episode të pafate, si fitorja e sfumuar në fund në Mizano 1985 pas një dueli të gjatë kundër Eddie Lawson. Por në vitin 1986 në Spanjë, vjen fitorja e parë për të, që pasohet nga dy suksese të bukura në Asen dhe Silverstone, ndërsa Gardner e mbyll sezonin si nënkampion pas Lawson. Megjithatë, takimi me titullin është vetëm për një vit, pasi në sesionin pasardhës, Wayne merr shtatë fitore të vuajtura, ku veçohen ato në Zelteveg dhe Rijeka, duke bërë të tijin Botërori në klasin 500 cc. Australiani e vijon betejën për titullin edhe në vitin 1988, por pas një dueli të ashpër me Lawson në Zeltveg, rrëzohet dhe dorëzohet. Më tej në edicionet e radhës shoqërohet një seri rrëzimesh dhe dëmtimesh, ku veçohen ato në Laguna Seka 1989 dhe në Suzuka 1992, vit ku pëson një tjetër rrëzim në Muxhelo, por që në pjesën e dytë të sezonit e merr veten dhe siguron fitoren e fundit në karrierë në Donington. Gardner kishte edhe garat e famshme Endurance në vitet 1985, 1986 dhe 1991, për të kaluar më pas në automobilizëm si një prej protagonistëve të parë në epokën V8 me makinën australiane ATCC. Më tej ka kontribuar në karrierën e të birit, Remy, kampion bote në Moto 2 në vitin 2021. Me këtë sukses familja Gardner është e vetmja, bashkë me atë të Kenny Roberts, që regjistron tituj botërorë si babai ashtu edhe djali.

KEVIN SCHWANTZ, SPEKTAKËL ME SUZUKIN Duke nisur nga viti 1986 në Motobotëror zbarkon një djalosh nga Teksasi, i destinuar për t’u bërë një legjendë e motorëve. Bëhet fjalë për Kevin Schwabtz, i cili me Suzukin bën në pistë të keqin, falë një egoje ekstremisht të lartë. Në vitet e para kjo përkthehet në rrëzime të shumta, të cilat e komplikojnë ofensivën për titullin kampion. Për t’u veçuar është debutimi i tij në Asen, ku përfundon i rrëzuar plot tri herë mes kualifikueseve dhe garës. Sukseset e para për të do të vijnë në vitin 1988, ku fiton në Suzuka dhe në cirkuitin e vjetër të Hokenhaimring, por një sërë rrëzimesh e zbresin në vend të tetë në fund të sezonit. Megjithatë, gjatë atij edicioni vjen edhe “shenjtërimi” në Makao, me motorin Suzuki duke dhuruar spektakël në pistë, ku argëtohet dhe i dominon të gjithë kundërshtarët për të mahnitur botën me stilin e tij të drejtimit. Në vitin 1989 regjistron tri fitore, në 1990-ën numri i sukseseve është 5, për ta mbyllur si nënkampion pas Wayne Rainey. Ndërsa një vit më vonë e mbyll i treti. Në vitin 1993 duket se janë pjekur të gjitha kushtet për të synuar majën, duke sulmuar kampionin e shumëfishtë Rainey. Kevin fiton katër gara, duke bërë që fundi i sezonit të jetë tejet i zjarrtë. Në Mizaon rivali i tij, Rainey pëson një rrëzim të tmerrshëm, si pasojë e të cilit mbetet i paralizuar. Kështu, Schwantz merr kreun pas garës dhe bën të tijin më pas titullin e parë kampion me një diferencë të madhe me rivalët e tjerë. Më tej dëmtimet e shumta i kushtëzojnë karrierën, ndërsa vendos të tërhiqet në vitin 1995. Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit në nderim të tij vendos që të tërheqë numrin 34 që Schwantz kishte mbajtur gjithnjë.

GIANCARLO FALAPPA, LUANI I “JESI”-it Një prej pilotëve që përfaqëson më së miri “shkollën jesina”, Giancarlo Falappa, e nis karrierën në motokros duke marrë pjesë në Botërorit 250 cc në vitet 1982-1984, për ta kaluar më pas te garat e shpejtësisë në ‘89 ku debuton në Superbike me skuadrën Bimota, duke e nisur me fitore që në Donington. Sezonin e mbyll në vend të gjashtë, për të kaluar më tej te Dukati. Piloti italian është nga ata nuk bën kompromis dhe lufton vetëm për të fituar. Por në Zeltveg do të regjistrojë edhe aksidentin e parë të rëndë në karrierë, teksa pas një rrëzimi përfundon me 26 fraktura në këmbë, ashtu si idhulli i tij tetë vite më parë, Barry Sheene. Përtej frakturave të një dëmtimi horror, humbet edhe dy litra gjak, pasi dëmton arterien femorale. Megjithatë, pas 12 ditëve në koma, “Luani i Jesit” rikuperohet, për t’u kthyer në pistë në vitin 1991 me Dukatin. Ndonëse konkurrenca është e lartë, Falappa arrin të emocionojë në Zelveg, Asen dhe Manfeild, duke e mbyllur sezonin 1992 në vend të katërt. Një vit më vonë e fillon furishëm, me një fitore spektakolare mes shiut në Angli, duke mbetur si një prej imazheve më të bukura të motoçiklizmit teksa kalon finishin me duart e ngritura. Megjithatë, kampioni nuk vijon në mënyrën më të mirë, pasi Falappa është i pafat në disa gara për ta mbyllur në vend të pestë. Në ‘94 në Mizano me Dukatin e ri 916, italiani do të shënojë edhe një prej fitoreve më të bukura. Dukej fillimi i një rrugëtimi drejt titullit, por një rrëzim gjatë provave në Albasete të Spanjës i shkaktuar pas një problemi në motor, e dërgon për herë të dytë në koma. Pas 38 ditësh në luftë me jetën, Falappa e fiton betejën e tij, por duhet që ta ndalojë aty karrierën.

CARL FOGARTY, “MBRETI” I SUPERBIKE Kishte spikatur që në fillim në garat britanike, por Carl Fogarty futet fuqishëm në Superbike duke “qethur” titullin në vitin 1993 me motorin Dukati. Vetëm disa rrëzime të ardhura si rrjedhojë e drejtimit të tij agresiv, bënë që titulli të shkonte për Scott Russell të Kavasakit. Por një vit më vonë, Fogarty kundërsulmon fuqishëm, teksa pas suksesit në garën finale në “Phillip Island” bën të tijin titullin e shumëdëshiruar, duke rikthyer Dukatin në majë pas një pauze 1-vjeçare. Kampionati i dytë vjen një në vitin 1995, pas një dominimi me 13 fitore dhe 6 vende të dyta, ndërsa në vitin 1998 plotëson tripletën e titujve. Fogarty merr emërtimin “mbret” teksa në 1999 bën të tijin edhe titullin e katërt kampion, por një dëmtim i pësuar një vit më vonë e detyron anglezin që t’i japë fund karrierës.

CASEY STONER, GJENI DHE ÇRREGULLSI Pas triumfeve nga Gardner, Beattue dhe Dooha, Australia e motoçiklizmit rikthehet në majë falë Casey Stoner. Nga viti 2002 deri në 2005-ën, Casey shpalos repertorin si klasin 125 cc gjithashtu edhe në 250, por ashpërsia e tij bën që të rrëzohet shumë herë, duke parë t’i sfumohen fitore e madje në disa raste humbet edhe gara për shkaqe dëmtimi. Në vitin 2004 e mbyll i pesti në klasin 125 me motorin KTM, ndërsa një vit më vonë shpallet nënkampion në 250 me Aprilian zyrtare, duke fituar 5 gara, skuadër që e promovon edhe në Moto GP në sezonin 2006. Në këtë vit, Stoner alternon gara të mëdha me rrëzime të jashtëzakonshme si në rastin e Sashsenringut. Në 2007-ën vjen kalimi te Dukati dhe që në Losail merr fitoren e parë për ta mbyllur kampionatin i pari me plot 10 suksese, duke qenë piloti i fundit që i kishte dhuruar titullin Dukatit deri në triumfin e këtij viti nga Bagnaia. Në edicionet e mëtejshme, Stoner pëson rënie rezultatesh, edhe pse 2008-ën e mbyll me 6 fitore. Në 2009-ën një dëmtim në Brno bën që të humbasë tri gara, ndërsa me 4 suksese sezonale e përfundon kampionatin në vend të katërt, pozicion ku do të renditej edhe një vit më vonë, por me tri gara të fituara. Por më tej është Hinda që beson te piloti australian, ndërsa Stoner e shpërblen besimin me paraqitje fantastike në vitin 2011, sezon ku shënon 10 fitore, për të futur në kasafortë titullin e dytë pas një beteje të egër me Valentino Rosin. Ndërkohë, si pasojë e rrëzimeve të shumta, në vitin 2012 Stoner ngre flamurin e bardhë duke njoftuar tërheqjen në fund të sezonit. Megjithatë, në atë vit arrin 5 fitore, ku e fundit në “Phillip Island” konsiderohet si më e bukura e karrierës. Në 2015-ën tenton rikthimin në garën 8-orëshe në Suzuka, por rrëzohet që në fillim dhe u jep fund përfundimisht motorëve.

GRINTA E “SUPERSIC” Një prej pilotëve më të guximshëm në historinë e Motobotërorit është sigurisht i madhi Marco Simoncelli. “Supersic”, i lindur pak hapa larg Autodrimot të Mizanos, rritet me “bukë dhe motorë”, duke qenë nga të paktët e brezit të ri në Moto GP që i shikonte garat si betejë që nga metri i parë deri në vijën e finishit. Debuton në vitin 2003 në klasin 125, ndërsa një sezon më vonë merr fitoren e parë në pistën e lagur në Herez. Që në fillim vërehet shpirti i lartë luftarak, që e bën shpeshherë t’i mbyllë garat i shkëputur. Në 2006-ën kalon në klasin 250, ku pas dy vitesh të vështira, nis të shfaqë potencialin e tij duke luftuar për pozicionet e kreut. Në 2008-ën shënon 5 fitore, 2 vende të dyta dhe 2 vende të treta, duke rikuperuar kështu nisjen e vështirë të sezonit për t’u shpallur kampion. Në edicionin pasardhës, “Sic” mbetet në kategorinë 250, por vijon të dhurojë emocione. I paharrueshëm është dueli me Hector Barberan në Sepang, me dy pilotët që e mbyllin në barazim pikësh, ndërsa diferencën në favor të spanjollit e bën vetëm xhiroja më e shpejtë. Në 2009-ën italiani debuton edhe në Superbike në Imola me Aprilian, ku në pjesën e dytë spikat duke u klasifikuar i treti pas një parakalimi spektakolar në xhiron e fundit ndaj Max Biaggit. Në 2010-ën kalon në Moto GP te skuadra Gresini dhe menjëherë shfaq cilësitë e tij si një pilot i shpejtë dhe spektakolar, me një vend të katërt në Estoril, si rezultati më i mirë sezonal. Një sezon më vonë, piloti nga Rimini duket gati për të synuar vendet e kreut, por shpeshherë është pafat, si për shembull në Montmelo kur rrëzohet, teksa ishte i pari, apo në Asen ku për shkak të problemeve me motorin Honda, nuk shfrytëzon nisjen nga “pole”. Në Brno merr një vend të tretë, ndërsa flirton me podiumin në Misano pas një sfide të bukur deri në fund me Dovizioson. Në “Phillip Island” vjen një vend i dytë shumë i bukur për “Sic”, që do të ishte “testament” sportiv për kampionin italian. Në një aksident të tmerrshëm në Sepang, Simoncelli humbet kontrollin e Hondës që në kthesat e para. Tenton të shmangë rrëzimin, por fati është i shkruar. Ëndrrat për lavdi të Simoncellit përfundojnë në moshën 24-vjeçare mes lotëve të të gjithëve.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"