Editoriali i Kategorisë së Dytë (rrejshëm e Parë): Një 5-1 “i pavlerë” i Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2022 | 22:33

Editoriali i Kategorisë së Dytë (rrejshëm e Parë): Një 5-1 “i pavlerë” i Flamurtarit

NGA BESNIK DIZDARI
Se Kategori e Dytë është. Tjetër punë që ia kanë vjedhur emrin kampionatit të parë kombëtar të Shqipërisë, i cili për nja tetë dekada e më, është quajtur Kampionati i Kategorisë së Parë. Dhe ia kanë falur Kategorisë së Dytë, duke e quajtur të Parë. Duke shkatërruar pa mëshirë historinë e vërtetë, të ligjëruar madje, të emërtimeve të kampionateve më të vjetra të sportit shqiptar. Dhe ne i durojmë. Më fort se ne i duron qeveria e shteti shqiptar e ministria e tij, gjithë këto vite më të painteresuarit për këto punë në krejt historinë e Shqipërisë. Pa shkuar te KOKSH-i i shpirtit olimpik qytetar.

Besnik-Dizdari

Ndodhi pra, që në këtë kampionatin e ashtuquajtur rrêjshëm i Kategorisë së Parë, datuar 2022 – në të vërtetë Kategori e Dytë – Flamurtari i Vlorës të fitojë 5-1 me Dinamon 18 herë kampione e Shqipërisë. U gëzua shumë Vlora. Ashtu siç u hidhërua po shumë Dinamo. Kur në të vërtetë, edhe gëzimi duhej të ishte krejt i vogël e po aq edhe hidhërimi i Dinamos duhej të ishte po krejt i vogël. Kësisoj, ngaqë po “i vogël” është edhe ky Kampionati i Kategorisë së Dytë (rrêjshëm i Parë). Mirëpo, një djallëzi çemërtuese duket se i ka hutuar keqas pjesëmarrësit e tij. Në subkoshiencë ata kujtojnë se vërtet luajnë në Kampionatin e Kategorisë së Parë, në atë kombëtar të Shqipërisë, që për tetë dekada e më shumë madje, kështu u quajt: Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë.

Sugjestionimi i vetvetishëm ka mbërritur deri aty saqë, mesa duket, Flamurtari, ai i cili fitoi 5-1, ndoshta kujton se ka mundur asisoj Dinamon e kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Dhe po kështu, Dinamo 18 herë kampione, kujton se është mundur 5-1 nga Flamurtari 1 herë kampion i kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Përralla!

Ndeshja Dinamo – Flamurtari, 1-5, nuk ka asgjë të bujshme. Sepse për të pasur bujë të vërteta duhet të jesh pjesë e Kampionatit të Parë Kombëtar të Shqipërisë. Mirëpo, ja që ky kampionat historik, sot kryesisht është i qyteteve të vegjël e i qendrave të vogla të banimit. Madje të atij lloj sendërtimi që i kanë krijuar skuadrat e tyre duke qenë shumë pak i zhvilluar futbolli në tokat e tyre, por duke i organizuar me lojtarë të blerë prej tjetërkujt. Ekonomia e tregut, siç duan të na mbushin mendjen “analistët televizivë”. Sigurisht jo të gjithë, por vetëm disa, ata të cilët, edhe pse janë njerëz të futbollit, kujtojnë se ka ardhur koha që në Shqipërinë e vogël, do të arrish të formosh skuadra “të mëdha” pa e zhvilluar aspak futbollin në qytetin tënd.

flamurtari

Kemi mbërritur kështu te një qerthull i tillë, që fillon nga Kukësi e shkon në Krujë (Krujën e Skënderbeut, e cila nuk ka as stadium madje, por luan diku tjetër); që vazhdon nga Laçi në Shijak (e edhe ky pa stadium, teksa luan gjithashtu në një qytet tjetër); dhe që vjen e mbyllet pa prâ, ky qerthull, nga Rrogozhina deri në Ballsh.

Kësisoj, pavarësisht nga arritjet e dy të parëve, Kukës e Laç të viteve të fundit, kjo që po e quaj gjeopolitikë “origjinale” e futbollit në Shqipëri, na thotë pa mëshirë se kemi vetëm 3 qytete të mëdha, themeluese të Kampionatit Kombëtar, atij të Parë pra, të cilët marrin pjesë në “kampionatin shqiptar”. Siç e pata shkruar i pari në gazetë qysh andej nga fundi i viteve ‘70. Çka kur shoh se sa shumë e përsërisin sot, deri në spekulim, pendohem që e kam emërtuar ashtu, duke e quajtur pra, “kampionati shqiptar”. Kur kështu duhet t’i thonë të huajt, siç themi ne “kampionati italian” apo “kampionati anglez”, e tjerë…

Kështu pra, ky “kampionat shqiptar”, siç po i thonë “analistët”, a thua se nuk janë njerëz të Shqipërisë, por të një shteti tjetër, ka në gjirin e tij vetëm 3 qytete të mëdha themeluese të tij: Shkodrën me Vllazninë, Durrësin me Teutën dhe Tiranën me SK Tiranën e Partizanin. Dhe ka flakur tej gjithë Jugun e Shqipërisë, madje edhe atë të Mesme të Shqipërisë. Që prej Kavajës së Besës e Elbasanit të KS apo AF Elbasanit, e deri te Berati i Tomorit. Për të udhëtuar më tej në këtë rrugë pa krye deri te Vlora e Flamurtarit, te Korça e Skënderbeut. Dhe deri te Gjirokastra e atij që edhe ky si Elbasani u quaka AF Luftëtari – të dy këta as në të Parën e as në të Dytën, por në të Tretën. Këtu keni mbërritur me (ç)organizimet tuaja të kampionatit kombëtar të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra, tash bukur nja shtatë vjet! Dhe pa asnjë rritje e fuqizim cilësor, me stadiume bosh, me dështime shembullore në Kupat e Europës.

Hartën që e kemi botuar besoj se e kujtoni. Ndonëse harresa e qëllimshme juaja më bën të dyshoj për këtë.

E tash triumfi i Flamurtarit 5-1 në Tiranë me Dinamon. Fitore “e madhe” që për çudi nuk mund ta përfshij në historinë e kampionatit të Shqipërisë, atij kombëtar të rangut të parë. Më duhet ta përfshij vetëm në historinë e Kampionatit të Kategorisë së Dytë të atdheut tonë të dashur, të cilit pa pikë atdhetarie, ia kanë përjashtuar më shumë se gjysmën e qyteteve të mëdha, tradicionale, themeluese të futbollit të Shqipërisë.

Po guxoj ta quaj “të pavlerë” 5-1-shin e Flamurtarit të Vlorës të Barcelonës e Partizanit të Beogradit, ngaqë ky 5-1 është rezultat i një bote tjetër. Është rezultat i botës së dytë të Kategorisë së Dytë. Nuk është rezultat i botës së parë pra, atë të kampionatit kombëtar të vërtetë të Kategorisë së Parë të Shqipërisë, siç është quajtur zyrtarisht ai për shtatë a tetë dekada me radhë.

E pra, nuk shkon kurrsesi kjo lloj euforie që lind prej (ç)organizimeve krejt amatore në futbollin sot profesionist shqiptar, nëse vërtet ky është i tillë. Edhe ngaqë për fatin e keq të tij, ky futboll ka një kampionat kombëtar me vetëm 10 skuadra. Ku më fort se titujt kampionë, fatet e mëdha i përcaktojnë vendet e 9-ta e të 10-ta të renditjes së tij, madje edhe vendi i 8-të, që përjashtojnë pa mëshirë si askund në botë, prej kampionatit, 30 për qind të skuadrave! Qofsh ti Vlorë a Elbasan, Korçë, Berat, Kavajë, a Gjirokastër. Pse jo, qofsh edhe Lushnjë a Fier. Pa harruar ndërkohë se pikërisht vendi i 9-të përjashtoi pak më parë deri dhe një Shkodër, një Tiranë a një Partizan.

E pra, a kam të drejtë ta zbeh fitoren 5-1 të Flamurtarit ndaj Dinamos? A vërtet kam të drejtë ta zvogëloj kësisoj hidhërimin e humbjes së Dinamos? Aq më tepër kur shoh se renditja e këtij kampionati të rangut të dytë u bë vërtet “interesante”?

Mirëpo, nëse rikthehen, bie fjala, Dinamo e Flamurtari, sa vjet do të presim që të rikthehet Besa që ndodhet në vendin e 7-të? Ndërsa nuk di se çka të them për rikthimin e skuadrës sonë më të suksesshme të shekullit XXI që është Skënderbeu i Korçës, sot i 3-ti në Kategorinë e Dytë.

Sa vjet duhet të presim që të rikthehet Tomori i Beratit që është i 13-ti në këtë Kategori të Dytë? Sa “shekuj” duhet të presim që të rikthehet Elbasani i stadiumit europian, i cili është thjesht i 4-ti në Kategorinë e Tretë, se e Tretë është? Të cilit nuk i ka mbetur gjë tjetër, veçse të lëshojë me qira rregullisht stadiumin e tij modern… E edhe kjo, me sa duket, qenka ekonomi tregu e futbollit. (Për fat Gjirokastra e AF Luftëtarit qenka një vend më lart se ajo elbasanase.)

Janë nënshtruar të gjithë. Nuk bëzajnë. Janë nënshtruar gazetarë e opinionistë, analistë e komentatorë. Mbi të gjitha, janë nënshtruar presidentë klubesh e kryetarë bashkish. E këta të fundit janë vërtet më të qetët, sepse duke i pasur skuadrat në Kategoritë e 2-ta e të 3-ta, duket se kanë më pak telashe: stadiume bosh, harxhime financiare shumë më të pakta, qetësi, gëzime të bukura të dikurshme futbollistike krejt të harruara…

Dhe?

Kavaja, 8 vjet pa u kthyer në kampionatin kombëtar!

Elbasani, 7 vjet pa u kthyer në kampionatin kombëtar!

Berati, 9 vjet pa u kthyer në kampionatin kombëtar!

Dinamo e Tiranës në 10 vjetët e fundit, vetëm 1 vit në kampionatin kombëtar!

Nuk kemi më ndeshje Teuta – Besa. Nuk ka më ndeshje Tirana – Elbasani. Nuk ka më ndeshje Berati – Partizani. Që sa të bukura që kanë qenë! Nuk shkon më Besa e Kavajës në Shkodër që sa me gëzim është pritur! Nuk mbërrin më në Tiranën e kampionatit kombëtar Tomori i Beratit. Sa vjet ka që Elbasani nuk luan në Durrës? Keni shkatërruar miqësitë më të fuqishme sportive të vendit. Them kështu sepse nuk dua të përdor idenë e “forcimit të unitetit kombëtar edhe përmes sportit”, siç na këshillonte dikur me dinakëri e prepotencë Partia e asokohe…

Kush i ndaloi? Kush dha urdhër që të mos vijnë? Kush guxoi të mos merakoset aspak që kështu, qytetet me popullsitë më të mëdha në Shqipëri, siç e kemi thënë qindra herë, të boshatisin stadiumet, duke shteruar fort edhe kësisoj financat e klubeve? Dhe mandej guxoni e thërrisni: “ekonomia e tregut”!…

A vërtetë mendoni se përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të komplikuara? Përkundrazi, janë krejt të qarta e të menjëhershme: i ndaloi, i shoi, vetëm ai, (ç)organizimi “madhështor” i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai i cila sapo me gjasë e themeloi, e heshti edhe Ligën Profesioniste të Futbollit, anëtare të së cilës në pavarësi të plotë i takon të jenë klubet e futbollit, duke vendosur vetë ata për fatin e tyre. Është cenuar keqas pavarësia e skuadrave shqiptare. Janë të nënshtruara po keqas te FSHF-ja. Ndonëse ajo nuk e ka pronë të saj futbollin kombëtar.

Ka ndodhur më 1974-ën. 17 Nëntori i Tiranës (SK Tirana) u rendit e 13-ta në kampionatin kombëtar që quhej i Kategorisë së Parë. E megjithatë nuk zbriti në Kategorinë e Dytë. Luajti një “play off” me të dytën e Kategorisë së Dytë dhe nuk ra. Dhe më e rëndësishmja: nuk ra sepse ishin 14 skuadra në kampionatin kombëtar. Jo si sot vetëm 10, e ku ky vend i 10-të, madje edhe i 9-ti i Shqipërisë gjithashtu të flakin tej. U bëra monoton duke përsëritur shpesh rastin e 17 Nëntorit të vitit 1974. Mirëpo kjo është monotoni e kujtesës për ata që me qëllim harrojnë.

Shqipëria e futbollit të kampionatit të saj kombëtar, sot është gjysmë Shqipëri e futbollit kësisoj. Vazhdoni me 10 skuadra e me gjysmën e Shqipërisë në rangun e lartë qytetar futbollistik. Bukur! I keni mposhtur të gjithë. Me përjashtim të shkrimeve tona që nuk do të ndalin. Sepse këtë profesion të shenjtë, nuk mund ta mposhtin servilët shembullorë përreth futbollit shqiptar, që çuditërisht nuk qenkan aq të paktë sa kemi kujtuar.

Tash mund të gëzoheni fort për fitoren si kjo 5-1 e Flamurtarit dhe mund të hidhëroheni po aq fort për humbjen e Dinamos. E pra, nuk ia vlen. Sepse ky gëzim dhe ky hidhërim përbëjnë thjesht një vogëlsi të një historie të rangut të dytë.

Dhe lajmi i fundit: Teuta e një prej qyteteve më futbollistike të Shqipërisë, themeluese madje, që është ai i Durrësit, ndodhet në vendin e fundit – në të vërtetë, thjesht në vendin e 10-të – të kampionatit të Shqipërisë. Ka 61 vjet që nuk ka zbritur atje poshtë. Nuk ka zbritur edhe kur është renditur jo e 10-ta në Shqipëri, por edhe kur është renditur e 13- ta, sepse nuk kanë qenë 10 skuadra si sot, por 14. Mos ndoshta tani e ka radhën Durrësi i Teutës?… Ndoshta do t’i gëzoheni edhe kësaj, ndonëse ky po, mund të jetë hidhërimi i vërtetë. Ose vazhdimësia e hidhërimeve të vërteta në krizën e futbollit të Republikës së Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"