“Ndihesha i lodhur”, Abazaj pas duelit me Partizanin: Rezultat i mirë, por mund të fitonim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2023 | 14:47

“Ndihesha i lodhur”, Abazaj pas duelit me Partizanin: Rezultat i mirë, por mund të fitonim

Sulmuesi i Tiranës, Kristal Abazaj, foli ekskluzivisht për “Panorama Sport” pas ndeshjes. Ai u shpreh se barazimi është një rezultat pozitiv, duke pasur parasysh situatën në të cilën vinte Tirana.

abazaj

Çfarë do të thotë për Tiranën ky barazim?

Duke parë garën, duke parë mungesat dhe situatën se ku ishim, besoj se edhe barazimi është në rregull. Në fakt, synimi dhe objektivi ynë ishte ta fitonim ndeshjen, pasi i kishim rastet dhe mundësitë, por duke parë situatën se si erdhëm në këtë ndeshje, barazimi është një rezultat i pranueshëm.

Si ka qenë atmosfera gjatë javës në përgatitjen e këtij derbi, duke ditur se keni pasur tri mungesa të rëndësishme?

Ka qenë perfekte. Mungesat nuk kanë ndikuar. Mendoj se gjithçka ka qenë në rregull falë trajnerit dhe të gjithë grupit.

Si shkoi kjo ndeshje për ju? Patët disa hapësira, por nuk arritët dot te goli…

Të them të drejtën ndihesha i lodhur, por e kam thënë se kur ekipi ka nevojë, unë do të jem aty gjithmonë.

Edhe sa kohë do t’ju duhen për t’u rikuperuar plotësisht?

Me rregullore dhe sipas asaj që thonë mjekët, unë sezonin do të duhej ta kisha mbyllur, sepse vuaj nga një tërheqje e gradës së dytë, por do të ndihmoj ekipin për objektivat, pasi për këtë gjë ndodhem këtu.

Ju pret një tjetër “luftë” me Laçin. Si e prisni?

Po tani nuk ka më ndeshje të lehta. Çdo ndeshje është e vështirë, pasi dihen objektivat tonë. Edhe ekipet kundërshtare kanë synimet e veta. Disa luftojnë për Europë, disa për mbijetesë dhe kërkojnë të fitojnë çdo ndeshje.

Do ta keni më të lehtë ndaj Laçit me ndihmën e Hasanit?

Normalisht, ai është golashënuesi ynë dhe na e bën edhe ne të tjerëve punën më të lehtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"