Ndeshja Besa-Skënderbeu/ Dervishi: Kemi lënë shumë pikë në Peqin, të mundim korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 9:38

Ndeshja Besa-Skënderbeu/ Dervishi: Kemi lënë shumë pikë në Peqin, të mundim korçarët

Kudo ku ka drejtuar, qoftë në Superiore apo në Kategorinë e Parë, Gugash Magani ka preferuar të ketë në krah Klodian Dervishin, me të cilin dikur ka qenë shok skuadre te Shkumbini. Ndihmësi i Maganit njeh më mirë se kushdo timonierin verdhezi dhe kur ai flet, natyrisht që ka shumë gjëra të përbashkëta me Maganin.

cd8d1d94-cac4-4a3b-a973-2b30b4a9bd00

“E njoh më mirë se kushdo Gugashin dhe ai kurrë nuk dorëzohet. Edhe atëherë kur të tjerëve u lëkundet besimi. I vetëm, ai preferon të mbështesë, motivojë dhe japë besimin çdo ekipi që ka drejtuar, pavarësisht skeptikëve. Kështu po bën edhe me Besën, pavarësisht lëkundjeve në rezultate apo moshës fare të re të ekipit, ai ka besuar që ditën e parë e vijon të besojë, se ky grup mund dhe duhet t’ia dalë”, thotë në bisedën për “Panorama Sport” zv.trajneri i Besës.

Duke u kthyer te ballafaqimi i sotëm ndaj Skënderbeut, Dervishi shprehet se me dhjetëra herë ka qenë në pankinë në përballjet ndaj korçarëve.

“Kam përjetuar shumë duele ndaj Skënderbeut në ekipe të ndryshme, ku kemi drejtuar me Maganin. Di t’u them, se këto 10 vitet e fundit, klubi korçar është mjaft mirë i organizuar. Sidomos këtë sezon, me sa shoh ka rritur ndjeshëm ambiciet. Me këtë vlerësim, jemi përgatitur gjatë gjithë kësaj jave. Do të jetë një përplasje rivalësh të denjë, pasi të dy ekipet kanë futbollistë cilësorë dhe ambicie të njëjta. Jo më kot fola në fillim për ambiciet e Maganit. Doja të thosha se edhe ndaj Skënderbeut, ai, unë dhe i gjithë ekipi, do të hyjmë në fushë vetëm për fitore. Pres një ndeshje të fortë dhe të bukur sot në Peqin. Besa dëshiron ta mbyllë me fitore këtë vit, pasi pikërisht këtu në Peqin kemi lënë aq pikë, sa do të na kishin pozicionuar sot ne në krye, jo Dinamon. Një fitore do të ishte njëfarë autokritike dhe derë e hapur, që me kthimin në janar të synojmë pastaj kreun”, deklaroi numri dy i pankinës.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"