MUNDJE/ Medalje bronzi në Europian, Islam Dudaev nderon Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2022 | 21:07

MUNDJE/ Medalje bronzi në Europian, Islam Dudaev nderon Shqipërinë

Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Europian të Mundjes që po mbahet në Budapest, duke u kthyer nga Hungaria me një medalje bronzi, të fituar nga Islam Dudaev në stilin e lirë. Sportisti çeçen, i natyralizuar me pasaportë shqiptare disa muaj më parë, vazhdon të regjistrojë rezultatet të rëndësishme në arenën ndërkombëtare nën flamurin kuqezi.

277339347_415434566915567_3819482286878436873_n (1)

Islam Dudaev në podium

Suksesi më i fundit erdhi në Europian, aty ku u ngjit në shkallën e tretë të podiumit për peshat 65 kg. Dudaev e nisi rrugëtimin në këtë event duke mposhtur në kualifikuese maltezin Adam Vella me rezultatin 10-0. Më pas në çerekfinale ai u mund nga hungarezi Iszmail Muszukajev në shifrat 10-0, por kaloi me suksesin sfidën për medaljen e bronztë, teksa mposhti 5-0 polakun Krzysztof Bienkowski.

Një paraqitje e shkëlqyer nga Dudaev, që nderon Shqipërinë në një event kaq madhor siç është Kampionati Europian. Në këtë kompeticion kombëtarja jonë e mundjes u përfaqësua me 4 sportistë, të gjithë në stilin e lirë.

Përveç Dudaevit, garoi edhe Zelimkhan Abakarov në peshat 61, i cili fitoi kualifikueset por u mund në çerekfinale. Ndërsa Orges Lila në peshat 70 kg dhe Paris Karepi në 125 kg, u mundën që në raundin kualifikues.

277358133_386325639714460_1755678998845773289_n (1)

Islam Dudaev me Sahit Prizrenin, presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"