MUNDJE/ Marjan Kola dhe Endrio Avdyli, sportistët më të mirë të Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 14:17

MUNDJE/ Marjan Kola dhe Endrio Avdyli, sportistët më të mirë të Kupës

 Vetëm një javë pas zhvillimit të turneut ndërkombëtar “Muhamet Malo”, Federata Shqiptare e Mundjes ka organizuar një tjetër kompeticion të rëndësishëm, këtë herë Kupën e Shqipërisë për të rritur.

MUNDJE

Sportistë nga të gjitha ekipet e vendit zbritën në tapet në sallën “Farie Hoti” për të matur forcat për trofeun e dytë më të rëndësishëm në arenën kombëtare, ku si gjithnjë mundësit konkurruan në stilin greko-roman dhe në atë të lirë. Edhe një herë tjetër ishte skuadra e Tiranës ajo që e dominoi aktivitetin në rang ekipor, duke u shpallur fituese e Kupës në të dyja stilet.

Për ta nisur nga stili greko-roman, bardheblutë u renditën në vend të parë, duke lënë pas Besëlidhjen dhe Studentin që plotësuan podiumin. Ndërsa mundësi më i mirë i aktivitetit në stilin greko-roman u shpall sportisti i skuadrës së Besëlidhjes, Marjan Kola, i cili bëri një paraqitje të shkëlqyer. Ndërkohë fitues sipas peshave respektive u shpallën: Mikel Troplini (Tirana), Ergi Uku (Tirana), Amarildo Laska (Besëlidhja), Jurgen Uku (Tirana), Gjetë Prenga (Besëlidhja), Klodian Shehu (Tirana), Kevin Kupi (Tirana), Marjan Kola (Besëlidhja), Julian Shehu (Tirana) dhe Erind Përnokaj (Besëlidhja).

Duke kaluar në stilin e lirë, siç e përmendëm edhe më lart, Tirana triumfoi për ekipe, duke lënë pas në vend të dytë Teutën dhe në vend të tretë Vllazninë. Për sa i përket mundësit më të mirë të Kupës, vlerësimi shkoi për Endrio Avdylin e Teutës. Kampionë në peshat përkatësi në këtë stil u shpallën: Oltian Bardhi (Tirana), Endrio Avdyli (Teuta), Zelimkhan Abakarov (Tirana), Islam Dudaev (Tirana), Elmaz Kryeziu (Tirana), Eriglent Prizreni (Tirana), Orgest Lila (Tirana), Marjus Malko (Teuta), Emiljano Onuzi (Tirana dhe Paris Karepi (Tirana). Tashmë më mbylljen e Kupës, fokusi kryesor i Federatës Shqiptare të Mundjes shkon të Kampionati Europian U-17, event që do të mbahet në vendin tonë gjatë muajit qershor.

MUNDJE (1)

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"