MUNDJE/ Euro kualifikueset për Olimpiadën, Dudaev ndalet në sfidën gjysmëfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 9:23

MUNDJE/ Euro kualifikueset për Olimpiadën, Dudaev ndalet në sfidën gjysmëfinale

Shqipëria e mundjes ka mbyllur dje konkurrimin në Europianin kualifikues për Lojërat Olimpike, aktivitet i zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit më datat 5-7 prill. Kombëtarja kuqezi u përfaqësua në këtë kompeticion me 4 sportistë, teksa Islam Dudaev dhe Paris Karepi garuan në stilin e lirë, ndërsa Kevin Kupi dhe Bajram Sina matën forcat në stilin greko-roman.

dudaev

Pritshmëritë më të mëdha ishin sigurisht të Dudaev, i cili vetëm disa javë më parë shpallej kampion i Europës me Shqipërinë. 29-vjeçari rus, i natyralizuar me pasaportë shqiptare, garoi në kategorinë e peshave 65 kg. Ai e filloi mjaft mirë, teksa në raundin kualifikues mposhti bindshëm 10-0 polakun Dominik Jakub Jagusz. Dudaev shkëlqeu edhe në çerekfinale, teksa triumfoi me rezultatin 10-0 kundër izraelitit Joshua Stuart Finesilver.

Në gjysmëfinale shorti e vendosi ndaj një rivali shumë të fortë si azeri Haji Aliyev, numri 3 në ranglistën botërore. Suksesi në këtë duel do ti jepte Dudaevit biletën kualifikuese për në Olimpiadë, por mundësi kuqezi nuk ja doli. Ai u mposht me rezultatin 6- 3 pas një sfidë me shumë rivalitet.

Tashmë Islam Dudaev do të ketë edhe një shans të fundit për “Paris 2024” në kualifikueset botërore që do të mbahen më datat 9-12 maj në Stamboll. Për sa i përket mundësve të tjerë të Shqipërisë në Europianin kualifikues të Olimpiadës që u mbajt në Baku, ata nuk arritën që të linin gjurmë, duke u eliminuar që në duelet e tyre të para. Kujtojmë që mundja është një nga dy sportet që Shqipëria ka deri më tani kualifikim me normë për në Lojërat Olimpike, teksa Zelimkhan Abakarov e ka siguruar prej kohës biletën për në “Paris 2024”. Ndërsa norma tjetër kualifikuese për në Lojërat Olimpike i përket atletikës, me kampionen Luiza Gega.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"