MUNDJE/ Abakarov fantastik, super edhe në Kupën e Botës për ekipe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2022 | 22:58

MUNDJE/ Abakarov fantastik, super edhe në Kupën e Botës për ekipe

Zelimkhan Abakarov vijon të regjistrojë paraqitje të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare. Mundësi çeçen i natyralizuar me pasaportë shqiptare, i cili disa muaj më parë u shpall kampion bote me flamurin kuqezi, këtë herë ka mahnitur në një tjetër event madhor.

Abakarov Cakmashi

29-vjeçari ka spikatur në Kupën e Botës për ekipe në mundjen e stilit të lirë, aktivitet i zhvilluar në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më datat 10-11 dhjetor, event ku Abakarov shoqërohej nga kreu i federatës, Sahit Prizreni. Abakarov, i cili garonte për ekipin “All-World”, regjistroi tri fitore në këtë kompeticion, në po kaq ndeshje të zhvilluara, duke e ndihmuar skuadrën e tij të renditej në vend të tretë.

Abakarov garoi në kategorinë e peshave 57 kg, duke marrë pikë të vyera ekipore. Ai doli triumfues nga tri duele shumë të forta kundër shteteve që janë superfuqi në mundje. Suksesi i parë i tij erdhi ndaj Japonisë, më pas triumfoi edhe ndaj Iranit, për ta mbyllur tripletën e fitoreve përballë Gjeorgjisë. Viti 2022 ka qenë i jashtëzakonshëm për mundësin Abakarov, i cili ka shënuar rezultate historike për Shqipërinë, si titulli kampion bote në Beograd, pa harruar edhe medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"