Mundja kërkon medalje në Olimpiadë/ Abakarov: Objektivi u arrit; Prizreni është i bindur: Ia dalim, por duhet të zgjohet shteti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2023 | 18:35

Mundja kërkon medalje në Olimpiadë/ Abakarov: Objektivi u arrit; Prizreni është i bindur: Ia dalim, por duhet të zgjohet shteti

Mundja shqiptare vazhdon të sjellë medalje dhe çojë lart flamurin kuqezi në skenat më të rëndësishme. Zelimkan Abakarov, pas titullit kampion bote të vitit të kaluar, këtë vit mori medaljen e bronztë në Botërorin i cili u zhvillua në Beograd.

abakarov

Në një intervistë të dhënë për “Sport News” në “News 24”, ai ka shpjeguar se është i lumtur për medaljen, por edhe sepse siguroi biletën për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike 2024. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, edhe presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni, shpreh bindjen që medalja olimpike është e mundur, por duhet tashmë që të përfshihet edhe shteti shqiptar, për një program të qartë që të ndihmojë në arritjen e këtij objektivi.

Abakarov, këtë herë kthehesh në Shqipëri me medalje bronzi. Të vjen keq që nuk mbrojtje dot titullin kampion botë, apo dhe kjo është një arritje e madhe?
Nuk më vjen keq që mora medalje bronzi. Titullin kampion është më e vështirë ta ruash se sa ta fitosh atë për herë të parë, prandaj them se çdo gjë shkoi siç ishte shkruar. Nuk pendohem për asgjë, përkundrazi, do të përpiqem të bëj paraqitje më të mirë në vijim.

Sahit, nuk është se Shqipëria fiton shpesh medalje në Botëror. Ishte hera e parë me Abakarov, por prisnin sërish shumë. Do ishte perfekte të mbronte titullin në Beograd…
E vërteta është që ne në Botëror shkuam si kampion bote, realisht synimi ishte që të përsërisnim historinë, por që thellë-thellë misioni ishte kualifikimi për në Olimpiadë duke qenë se ishte edhe gara e parë kualifikuese, gara me numrin më të madh, ku vetëm 5 të parët në botë hyjnë në normë olimpike. Atë që Federata, shteti shqiptar ka bërë për Zelimin, ai ia ktheu duke bërë maksimumin. Norma olimpike pas tre olimpiadave është një arritje e madhe pasi hera e fundit që Shqipëria ka marrë pjesë në Olimpiadë ka qenë në vitin 2008, kështu që Zelimi është ai që po na jep shpresë, jo vetëm mundjes, por Shqipërisë, t’i japim atë që i mungon këtij vendi, medalje olimpike. Unë jam i bindur që Zelimi do ta arrijë.

Abakarov, mund të më tregosh diçka më tepër për shenjën poshtë syrit?
Shenjen (hematomën) në sy e mora gjatë përleshjes së parë me kanadezin, rastësisht e goditem me koke njeri-tjetrin dhe mbeti shenja.

Abakarov, jeni bërë pak më shumë shqiptar këtë periudhë. Si po shkon jetesa në Tiranë, të njohin më shumë tani, si të presin njerëzit?
Më pëlqen jetesa në Tiranë, i kam kushtet për të jetuar dhe t’u trajnuar. Me sa kam vene re, ne qytet ka shume njerëz që më njohin.

Herën e fundit që të kam intervistuar kishe në qafë medalje ari, tani bronzi. Çfarë objektivi keni tani, çfarë pret nga e ardhmja?
Vitin e kaluar fitova titullin kampion, ndërsa kësaj here fati nuk ishte me mua, por qëllimi kryesor janë Lojërat Olimpike në Paris dhe ne ia dolëm të fitonim një biletë. Më tej do të vijoj përgatitjen për Lojërat Olimpike në Paris.

Sahit, ka ndryshuar diçka pasi i sollët Shqipërisë një medalje ari, tani bronz në Botëror. Ka ndryshuar qasje shteti ndaj mundjes?
Impakti që Zelimi i ka sjell vendit dhe në veçanti mundjes, ka qenë i jashtëzakonshëm. Fatkeqësisht qasja nuk ka qenë ajo e duhura, sepse vetëm kur mendojmë që jemi në prag të Lojërave Olimpike dhe aktualisht nuk kemi një program për këta sportistë që e kanë dëshmuar vjet, tashmë këtë vit, janë më normë olimpike, e kanë dëshmuar që këta janë pretendnetë për t’i sjellë Shqipërisë atë që i ka munguar, atë që nuk e ka bërë kurrë. Shoh një përgjumje në fakt. Ne sot kemi ardhur si pretendent kryesor, pasi kemi mundur kampionin e botës në fuqi, një nga sportistët më të mirë në botë. Tani i mbetet shtetit të zgjohet, të bëjë një projekt të posaçëm, jo vetëm për Zelimin. Fatkeqësisht nuk e kam dëgjuar, nuk shoh një qasje që kjo të ndodhë, por mbetem me shpresë. Ne si Federatë do të bëjmë të pamundur që rrugëtimi i Zelimit për në Paris të jetë më i miri i mundshëm, por ju siguroj që do të jetë e vështirë nëse na lënë vetëm.

Sahit, na mungon vetëm një medalje në Lojërat Olimpike. A mund të arrijë Abakarov këtë objektiv? Çfarë i duhet mundjes kuqezi dhe Abakarovit për të siguruar medalje olimpike?
Sporti ka nevojë për projekte, sporti ka nevojë për para, që ne si drejtues të Federatës t’i mundësojmë rrugëtimin djemve që ata të na sjellin atë që kanë. Nuk kam asnjë dyshim që Zelimi është mes medalistëve olimpik. Dihet që sporti ka ato të papriturat e saj, por ajo që kam parë te Zelimi është e jashtëzakonshme, i ka sjellë Shqipërisë rreth dhjetë medalje në dy vite. Pjesëmarrja në Olimpiadë, sigurimi i bursës olimpike na mbush me shpresë, me besim që mund t’ia dalim. Tani na mbetet neve që këtij djali t’i mundësojmë kushtet që në Paris2024 t’i sjellë medalje Shqipërisë.

Si është qasja e brezit të ri për sportin e mundjes?
Kjo është një pyetje shumë delikate. Ne kemi një problem të madh, pasi është një problem kombëtar. Fakti që djemtë tanë sapo mbushin 17-18 vjeç ikin, dhe kjo është një fatkeqësi që e them me keqardhje. Ne po bëjmë maksimumin që djemtë tanë të kenë ambientet ku të stërviten, të kenë trajnerë të kualifikuar. Janë disa palestra që janë rinovuar, kjo fal federatës dhe miqve të federatës, jo shtetit, duhet ta theksoj, jo shtetit. Kjo është detyrë e tyre, e shtetit, e bashkive, apo ministrive. I bëj thirrje rinisë tonë të afrohet te sporti, neve mbetet që t’i krijojmë kushtet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"