MOVIOLA E SUPERIORES/ Një javë “qejfi”, akordohen penallti bujare nga arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 16:10

MOVIOLA E SUPERIORES/ Një javë “qejfi”, akordohen penallti bujare nga arbitrat

Java e pestë e Kategorisë Superiore shkoi përgjithësisht mirë për arbitrat në të gjitha ndeshjet. Vendimet e tyre, të ndihmuar edhe nga sistemi VAR, ishin të drejta, ndërsa në ato pak raste ku pati dyshime, nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar të ndeshjeve. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet e diskutueshme të gjykimit.

dinamo partizani jorgji

DINAMO-PARTIZANI 1-3
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë); VAR: Olsion Yzeiraj (Patos) – AVAR: Rejdi Avdo (Tiranë);
Derbi i parë i sezonit mes Partizanit dhe Dinamos, i luajtur në “Elbasan Arena”, u gjykua nga Enea Jorgji, i cili vinte pas debutimit historik në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Arbitri e menaxhoi mirë ndeshjen, por nuk ngurroi të jepte një penallti të dyshimtë për Dinamon, e cila dukej më tepër si një dhuratë për blutë në fund.
58’ Partizani shënon me Bintsukën, pas kombinimeve mes Rrapajt dhe Da Silvës. Në momentin e golit u desh një kontroll i VAR-it, para se Jorgji të drejtonte dorën te mesi i fushës. Pamjet tregojnë se Bintsuka ka qenë në pozicion të rregullt, pasi ai ishte linjën e topit pas shërbimit nga Da Silva. Edhe ky i fundit, në momentin që mori asistin nga Rrapaj, është nisur në pozicion të rregullt.
90+2’ Kaçorri kërkon të futet në driblim dhe sapo Zekolli i ndërhyn me këmbën e majtë, rrëzohet. Jorgji akordon direkt penallti për Dinamon, pa pasur nevojën e VAR-it. Pamjet tregojnë se Jorgji u ka bërë një dhuratë bluve, pasi pamjet filmike tregojnë se mbrojtësi i Partizanit nuk ka shkaktuar faull ndaj sulmuesit të Dinamos, paçka se ky i fundit me rrëzimin e tij ka bindur arbitrin se kemi të bëjmë me 11-metërsh. Rezultati 0-3 për Partizanin në atë moment ndoshta ia bëri më të lehtë edhe arbitrit.

TIRANA-ERZENI 0-1
Gjyqtarë: E.Rusta, E.Ganxhi (Elbasan), E.Çelaj (Vlorë); VAR: K.Bajramaj (Tiranë) – AVAR: S.Dyrmishi (Elbasan);
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi” ka pasur vetëm një rast për moviolë. Gjykoi Emanuela Rusta, e cila mban stemën e FIFA-s, ndërsa në VAR ishin Kreshnik Bajramaj dhe Silvio Dyrmishi.
52’ Mbrojtësi i Tiranës, Gledi Mici, bën një faull taktik ndaj sulmuesit të Erzenit, Agim Zeka, duke e mbajtur dukshëm nga fanella. Arbitrja akordon faull, por nuk e shoqëron me karton të verdhë. Përpara këtij rasti, e kishte ndëshkuar Micin me kartonin e parë të verdhë dhe kësisoj, do të ishte i dyti dhe lojtari dilte me të kuq.

EGNATIA-LAÇI 2-1
Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), A.Zalla (Tiranë), E.Burgu (Fushë-Krujë); VAR: K.Shahini – AVAR: R.Mersinasi (Durrës);
Egnatia-Laçi u gjykua nga Florian Lata i kolegjiumit të Durrësit. Vendimet e kryesorit ishin të drejta, teksa u ndihmua edhe nga VAR-i.
80’ Tresa i Laçit rrëzohet në zonë pas duelit me Malotën, në përpjekje për të dribluar mbrojtësin e Egnatias. Arbitri Lata, i ndodhur afër aksionit, vijon lojën. Vendim i drejtë, pasi ndaj mesfushorit të kurbinasve nuk ka pasur kontakt në ekstremet e penalltisë, por më tepër një hedhje e lojtarit mik për të kërkuar 11-metërsh.
88’ Arbitri akordon penallti për Egnatian pas rrëzimit në zonë të Fangajt, i cili pengohet nga Paulo Zhunior. Vendimi është i drejtë, por 11-metërshi anulohet më pas me VAR, pasi aksioni kishte nisur në pozicion jashtë loje, me protagonist lojtarin nga Mauritania, Lemine.

SKËNDERBEU-KUKËSI 0-1
Gjyqtarë: L.Alla, D.Koreshi, M.Qose (Lushnjë); VAR: K.Cjapi – AVAR: O.Grabova (Fier);
Gjyqtari Laver Alla pati pak punë në ndeshjen e zhvilluar në Korçë, aty ku në VAR ishin Kreshniki Cjapi dhe Orges Grabova. I vetmi rast për moviolë është një gol i anuluar për Skënderbeun.
50’ Juri nxjerr të lirë zonë Shaqen dhe ky i fundit i vetëm me portierin shënon me të majtën nga brenda zonës. Anësori Devis Korreshi ngre flamurin për pozicion jashtë loje dhe pamjet filmike i dhanë të drejtë pas shqyrtimit edhe nga sistemi VAR.

VLLAZNIA-TEUTA 2-0
Gjyqtarë: J.Xhaja (Tiranë), I.Tartari (Fier), N.Bregasi (Tiranë); VAR: K.Prenga (Laç) – AVAR: F.Kolleshi (Tiranë);
Tri raste për moviolë në ndeshjen e zhvilluar “Loro Boriçi”, aty ku kryesor ishte Juxhin Xhaja, që mban stemën e FIFA-s, ndërsa në dhomën e VAR-it monitoronin Klodian Prenga dhe Feliks Kolleshi.
41’ Pas një harkimi në zonë nga Smajli, është Jazxhi i Teutës, i cili prek topin me dorë në duelin me Balajn. Gjyqtari Xhaja akordon direkt penallti për Vllazninë. Vendim i drejtë i kryesorit.
57’ Arifi futet në driblim brenda zonës, por aty ndërhyn Krymi dhe më pas Pusi. Pamjet filmike tregojnë se Krymi i ka hequr topin dhe në këtë moment, mesfushori i Teutës është rrëzuar duke kërkuar penallti. Xhaja nuk është i këtij mendimi, ndërsa edhe pamjet filmike i japin të drejtë, pasi nuk kemi të bëjmë me një 11-metërsh.
97’ Kundërsulm i Vllaznisë me Delajn në krahun e djathtë, ndërsa portieri i Teutës, Dema, del nga zona dhe kërkon ta ndalë, por e devijon topin me dorë në anësore. Arbitri Xhaja akordon faull dhe më pas e ndëshkon portierin me karton të kuq, duke e interpretuar si një rast ku lojtarit iu hoq mundësia e shënimit të golit. Edhe sistemi VAR më pas konfirmon vendimin e marrë nga arbitri kryeqytetas.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"