MOTO GP/ Shkëndija titulli para garës në Australi. Banjaja ndez garën: Martin i shpejtë, por në shkëputje…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2023 | 10:43

MOTO GP/ Shkëndija titulli para garës në Australi. Banjaja ndez garën: Martin i shpejtë, por në shkëputje…

Pas Indonezisë, Botërori i Moto GPsë tashmë është transferuar në Australi, për ndalesën e radhës, e pesta nga fundi i kampionatit. Edhe në vendin e kangurëve pritet një betejë elektrizuese, teksa do të luhet një pjesë e mirë e fateve të titullit ndërmjet Françesko Banjajës dhe Horge Martinit.

MOTO GP

Ditën e djeshme u zhvillua edhe konferenca tradicionale për shtyp e pilotëve, të cilët u shfaqën tepër të karikuar në fundjavën australiane, por theksuan se presin një garë të ndërlikuar. “‘Phillip Island’ është një pistë e veçantë në rast shiu dhe ere, por është një nga pistat që më pëlqen më shumë”, tha ndër të tjera kampioni në fuqi dhe lideri i kampionatit, Françesko Banjaja. Ndërsa Horge Martin, do të përpiqet të lërë pas krahëve gabimin e bërë të dielën në Mandalika: “Pas rënies nuk ishte një mbrëmje e lehtë, por jam i lumtur që mund të përqendrohem në një garë të re”, u shpreh spanjolli.

BANJAJA – Italiani i Dukatit fillimisht flet për karakteristikat e cirkuitit “Phillip Island”: “Kjo është një pistë e veçantë dhe në rast shiu dhe ere mund të jetë e ndërlikuar. Megjithatë, është një nga pistat që më pëlqen më shumë. Këtu është e vështirë të shkëputesh nga grupi nëse nuk fiton një avantazh në fillim. Duhet të menaxhosh dhe më pas të shtysh në xhirot e fundit”, deklaron Peko. Piloti piemontez më pas rikthehet edhe një herë të flasë për garën në Indonezi, fundjavë e cila u mbyll me fitore të dielën dhe rikthimin në krye të renditjes: “Nuk e prisja të kthehesha i pari, pasi Martin ishte vazhdimisht përpara, por më pas ai u rrëzua.

Kur ndodhi, i thashë vetes të qëndroja i qetë. Fitorja e Mandalikës ishte fantastike, rikthimi në shkallën më të lartë të podiumit, duke u nisur nga pozita e trembëdhjetë, ishte i mrekullueshëm. Gjeta përsëri ndjesinë e duhur me motorin dhe jam i kënaqur”, deklaroi piloti i Dukatit zyrtar. Më tej, i pyetur për pikën e dobët të Horge Martinit, italiani u shpreh: “Është shumë i shpejtë dhe nuk shikoj pika të dobëta tek ai, por ndoshta mund të përmirësojë shkëputjen”, tha Banjaja.

MARTIN – Për spanjollin e Dukatit Pramak nuk ka qenë një javë e lehtë, pas atij rrëzimi në Indonezi, që i kushtoi edhe vendin e parë në renditje: “Mbrëmja e së dielës, pas përplasjes, ishte e vështirë, koka ime ishte plot me mendime. Por jam i lumtur që rikthehem menjëherë në pistë, në një garë të re. Ndihem mirë, jam i fortë dhe më duhet vetëm të relaksohem. Duhet të ruajmë qetësinë dhe t’i shkojmë deri në fund. Shpresoj ta rikuperojmë diferencën e pikëve me Pekon, për të shkuar më pas në Valencia me një shans për të luftuar për titullin. Këtu në Australi unë jam zakonisht shumë i shpejtë”, deklaroi Horge Martin, i cili tashmë ndodhet 18 pikë larg kryesuesit Françesko Banjaja.

ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"