MOTO GP/ Mark Markez largohet zyrtarisht nga Honda, gati kalimi te Dukati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2023 | 20:24

MOTO GP/ Mark Markez largohet zyrtarisht nga Honda, gati kalimi te Dukati

Honda dhe Mark Markez kanë ndanë rrugët. Lajmin e ka njoftuar vetë skuadra japoneze ditën e djeshme me anë të një komunikate zyrtare. Kontrata katërvjeçare e tetë herë kampionit të botës do të skadonte në vitin e ardhshëm, por palët kanë vendosur që ta mbyllën në mënyrë të parakohshme bashkëpunimin, që ka qenë një nga partneritetet më të suksesshme në historinë e Moto GP-së.

MARKEZ

Kështu Markez ndahet nga Honda pas 11 vitesh, teksa me motorin japonez, piloti spanjoll fitoi gjashtë tituj kampionë në Moto GP, 59 gara, duke regjistruar gjithashtu 101 podiume dhe 64 “pole position”.

MARRËVESHJE E PËRBASHKËT – Honda saktëson në njoftimin e saj se palët kanë rënë dakord reciprokisht për të ndërprerë bashkëpunimin, një vendim “në interesin më të mirë të të dyja palëve për të ndjekur rrugë të tjera në të ardhmen dhe për të arritur sa më mirë objektivat dhe synimet e tyre”. Fitorja e parë e Markezit në klasin mbretëror daton në vitin 2013 në Çmimin e Madh të Amerikës në Teksas. Ai sukses e bëri Markezin fituesin më të ri të një gare në Moto GP, vit në të cilin spanjolli u bë edhe kampioni më i ri botëror në kategorinë më të lartë të motoçiklizmit.

TITUJT – Markez, i cili gjithashtu ka fituar kampionatin botëror 125cc në vitin 2010 dhe kampionatin Moto 2 në 2012-ën, u kurorëzua kampion bote në Moto GP në vitet 2013, 2014, 2016, 2017, 2018 dhe 2019. Në vitin 2014 ai fitoi kampionatin pas një nisjeje të pabesueshme sezoni duke triumfuar në 10 garat e para. Ndërkohë Honda ka komunikuar se palët do të vazhdojnë së bashku deri në fund të këtij sezoni, ndërsa i uron Markezit më të mirën për të ardhmen.

REAGIMI I PILOTIT – Pas komunikatës nga Honda, dje ka reaguar edhe vetë Mark Markez, i cili e ka përshëndetur skuadrën me anë të një postimi në rrjetet sociale. “Kemi ndarë momente të paharrueshme: 6 kampionate botërore, 59 fitore, 101 podiume dhe 64 ‘pole position’. Të qeshura, lot, gëzim, momente të vështira, por mbi të gjitha: një marrëdhënie unike dhe e papërsëritshme. Të ndarë, por gjithmonë bashkë”, kështu u shpreh piloti spanjoll Mark Markez, në profilin e tij në “X”, pas njoftimit të ndarjes me ekipin Honda.

DREJT DUKATIT — Për sa i përket së ardhmes së pilotit spanjoll, skenari më i mundshëm është ai për të cilin është përfolur shumë ditët e fundit, kalimi në skuadrën Gresini të Dukatit. Në një intervistë të fundit, drejtori i përgjithshëm i Dukatit, Xhixhi Dal’Inja, në lidhje me Mark Markezin u shpreh: “Ai është një nga pilotët më të mëdhenj në histori, është mirë që ai dëshiron shumë të drejtojë një Dukati. Largimi nga një Honda zyrtare për një Dukati private është një gjë që duhet nënvizuar dhe që na bën krenarë”, ishte shprehur drejtuesi i skuadrës italiane, duke e njoftuar para kohe largimin e Markezit nga Honda.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"