MOTO GP/ Duel elektrizues në shtëpinë e Dukatit. Banjaja-Martin, luftë nervash për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2023 | 14:29

MOTO GP/ Duel elektrizues në shtëpinë e Dukatit. Banjaja-Martin, luftë nervash për titullin kampion

Botërori 2023 i Moto GP-së po dhuron një betejë mjaft interesante për titullin kampion, mes dy pilotëve të Dukatit, Françesko Banjajës dhe Horge Martinit. Ky i fundit pasi fitoi të shtunën garën Sprint në Indonezi mori kreun, por do të mbahet mend si piloti që ka qëndruar më pak kohë si lider i kampionatit.

BANJAAA

Spanjolli e lëshoi vendin e parë të dielën në garën e madhe, pas vetëm 24 orësh, 21 minutash e 34 sekondash si lider. Horge Martin u rrëzua kur po komandonte garën indoneziane, ndërsa kishte pothuajse tre sekonda avantazh nga ndjekësi më i afërt. Rrëzimi për pilotin spanjoll erdhi në momentin kur ishte lider i kampionatit me 16 pikë avantazh nga Banjaja, me italianin që klasifikohej i treti gjatë garës në atë çast. Por me Martin KO dhe me parakalimin e Pekos ndaj Maverik Vinjalesit, italiani u rikthye në fron, tashmë me 18 pikë epërsi. Kështu edhe një herë do të jetë Horge Martin ndjekësi dhe Françesko Banjaja lideri, ashti sikurse ka qenë thuajse i gjithë Botërori, ndërsa tashmë kanë mbetur edhe 5 gara nga fundi.

MORALI – Gara e së dielës mund të konsiderohet si një pikë kthese për kampionin në fuqi të Moto GP-së dhe këtë e gjë piloti italian e pranoi edhe vetë pas triumfit në Indonezi: “Kjo fitore është e ngjashme me atë në Malajzi. Unë e di shumë mirë që Horge është shumë i shpejtë, por ne e kishim nevojën e një hakmarrjeje të tillë. Kjo na jep shumë kurajë”, pohoi Banjaja. Ndërkohë nga ana tjetër, Horge Martin ka në krahun e tij kronometrin: “Banjaja ishte fantastik, sepse rikuperoi shumë nga pas, por mendoj se jemi më të fortë në këtë moment. Unë jam më i shpejti, piloti me më shumë shpejtësi”, deklaroi spanjolli duke i dërguar një mesazh kundërshtarit të tij.

DOBËSITË – Peko e pranoi se ishte në vështirësi dhe se triumfi në Indonezi erdhi në momentin e duhur për të: “Pas Barcelonës nuk kalova një periudhë të lehtë. Fillova të humbas pikë dhe ndjesitë e mia në motor ishin larg nga më të mirat, ndërsa Martin, në të njëjtën kohë, filloi të forcohej. Ndoshta, gjithashtu, ai pa që unë kisha dobësi dhe rritej në ambiciet e tij. Horge është shumë i fortë, padyshim. Unë po punoja shumë për të rifituar ndjesitë e mia me motorin. Është e vërtetë që po dilja në podiume, por gjithmonë ndiqja të tjerët. Nuk po arrija të ngjitesha në krye të podiumit”, rrëfeu piloti piemontez.

GJEST HAKMARRËS – Banjaja, i cili është shfaqur gjithmonë i respektueshëm, pas suksesit në Indonezi bëri një gjest duke vënë dorën në vesh. Veprim të cilin Peko e shpjegoi kështu: “Nuk ishte për dikë specifik, por për njerëzit që flasin shumë, që kanë një gjuhë shumë të gjatë. Ndonjëherë është më mirë të presësh të flasësh derisa të përfundojë sezoni”, u shpreh 26-vjeçari i Dukatit zyrtar. Ndërsa me 5 gara deri në fund të kampionatit, tashmë padyshim do të jetë një luftë nervash, me mesazhe të kryqëzuara brenda dhe jashtë pistës nga të dy pilotët. Ndërsa në mes qëndron Dukati me Lenovon e Banjajës dhe Pramak të Martinit, në një Botëror që premton 5 gara elektrizuese, duke nisur që nga kjo fundjavë në Australi.

RENDITJA

ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"