MOTO GP/ Banjaja dhe Dukati tjetër nivel, triumf absolut në Austri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2023 | 11:12

MOTO GP/ Banjaja dhe Dukati tjetër nivel, triumf absolut në Austri

Françesko Banjaja ka fituar Çmimin e Madh të Austrisë në Moto GP, duke kompletuar dopietën personale të fundjavës në Spilberg, pas triumfit të së shtunës në garën Sprint. Ky është suksesi i pestë sezonal për pilotin e Dukatit. I nisur nga “pole postion” në garën e djeshme, Banjaja vendosi menjëherë diktatin që prej fikjes së semaforëve, për të thyer rezistencën e Bred Binderit të KTM-së.

MOTO GP

Një dominim absolut nga 26-vjeçari italian, i cili mbërriti i shkëputur në finish pas një gare pa histori. Me këtë fitore, Banjaja e dërgon në +62 pikë diferencën nga Horge Martin, me këtë të fundit që dje nuk mundi që të shkonte më shumë se vendi i shtatë. Ndërkohë pas Binderit, podiumi në Austri u kompletua nga Marko Bexeki me motorin e tij Dukati VR46. Një fundjavë perfekte për Peko Banjajën, me “pole”, fitore dhe xhiron më të shpejtë në Sprint, 5 gjithashtu triumf me xhiron më të shpejtë edhe në Çmimin e Madh.

Një dominim i plotë në një pistë ku Dukati vazhdon të bëjë ligjin, e shtata në tetë vitet e fundit për skuadrën italiane. Cirkuit ku vetëm Binder nën reshjet e shiut në vitin 2021 ka mundur që ta thyejë këtë hegjemoni. Dukati “parkoi” gjithashtu plot 4 motorë në pesë vendet e para, ku përveç Bexekit, i cili tashmë është vetëm 6 pikë larg nga vendi i dytë në klasifikim, i katërti u rendit motori tjetër VR46, i drejtuar nga Luka Marini, si dhe Aleks Markez. Vendi i gjashtë për Maverik Vinjalesin e Aprilias, ndërsa pas Horge Martin top-10 e djeshme në Austri u kompletua sipas radhës nga Fabio Kuartararo i Yamahës, Aleiks Espargaro i Aprilias dhe Enea Bastianini, sërish nga Dukati.

Mark Markez nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i 12-të, ndërsa 3 pilotët e vetëm që nuk arritën që ta përfundonin garën ishin Fernandez, Mir dhe Oliveira. Moto GP do të rikthehet për garën e radhës më 3 shtator, datë kur do të mbahet Çmimi i Madh i Katalonjës, me Françesko Banjajën që duket se po marshon i sigurt drejt titullit të dytë radhazi kampion në klasin mbretëror të motoçiklizmit.

MOTO GP

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"