MMA në Shqipëri, Arjan Rizaj: Asnjë mbështetje, shteti po na shpërfill! Meritojmë fond si të tjerët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2023 | 13:27

MMA në Shqipëri, Arjan Rizaj: Asnjë mbështetje, shteti po na shpërfill! Meritojmë fond si të tjerët

Mbështetja financiare ka qenë gjithnjë një prej problematikave më të mëdha të federatave sportive në Shqipëri, të cilat gjithnjë janë ankuar për të ardhurat e pakta që marrin nga shteti për të përballuar aktivitetet e tyre.ledio4

Por ka edhe nga ato federata që nuk marrin asnjë qindarkë, ndonëse çdo vit organizojnë aktivitete, duke nxjerrë madje edhe kampionë. Njëra prej tyre është Federata Shqiptare e Ndeshjes së Lirë (MMA), e cila prej 12 vitesh drejtohet nga Arjan Rizaj. Ndonëse bëhet fjalë për një sport që po masivizohet gjithnjë e më shumë, në Shqipëri mungon krejtësisht mbështetja. Jo vetëm kaq, por madje kërkojnë që ta ndalojnë edhe si sport.

Këtë e konfirmon vetë Rizaj në një prononcim për “Panorama Sport”, duke shprehur shqetësimin e tij për injorimin total që i është bërë nga institucionet shtetërore: “Unë kam 12 vite që kam organizuar Federatën e Ndeshjes së Lirë (MMA) këtu në Shqipëri. Dërgoj shkresa, më thonë nuk e keni bërë mirë letrën, e dërgoj më pas me argument, të thonë nuk je federatë. Më pas të thonë ky sport nuk njihet, sepse na e ndalon Këshilli i Europës, ndërkohë sot sporti MMA në shtete si Franca, Belgjika, Holanda, Anglia apo edhe në Amerikë, është sporti primar dhe më i zhvilluari për të rinjtë dhe është sport i kohës. Nuk e kuptoj se kush janë këta njerëz që e ndalojnë këtu në Shqipëri”, deklaron presidenti i MMA-së shqiptare.

Më tej tregon me detaje se si po e shpërfillin institucionet: “Nuk kemi asnjë lloj ndihme nga shteti. I jam drejtuar ministres së Arsimit dhe Sportit, me të cilën kam pasur një takim disa kohë më parë. Më thanë që kur të bëhet fondi për sportin do të mbështesim, por më pas më dhanë një përgjigje tallëse nga sekretari i përgjithshëm duke më thënë që nuk jemi federatë. Na thonë jeni shoqatë sportive, ndërkohë që jam federatë dhe paguaj taksa si e tillë në shtetin shqiptar. Vetëm para dy javësh kam paguar mbi 1 milion lekë, në një kohë kur nuk kemi asnjë lloj mbështetje. Pra, të thonë që nuk je federatë, në një kohë kur jam i regjistruar me NIPT, me vendim gjykate dhe me të gjitha”, shprehet Rizaj.

TRAJTIM ME DY STANDARDE – Kreu i MMA-së, më tej thekson se ministria përdor dy standarde në mbështetjen e federatave, teksa thotë se po përfitojnë ato që janë fiktive, të cilat nuk bëjnë aktivitete: “Këtu ka federata që deri në vitin 2019 kanë qenë të paregjistruara në gjykatë nga ’90 e këtej dhe si i kanë marrë këto fonde?! Ju garantoj që sot ka federata fiktive që mund të verifikohen lehtësisht, të cilat marrin lekë nga shteti pa bërë asnjë aktivitet, ndërkohë që unë kam bërë 50 aktivitete nga viti 2012 dhe deri më sot. Kam zënë dy vende të treta në botë në vitin 2017, kam nxjerrë kampionë Ballkani, sportistë që po shkëlqejnë në Europë dhe në botë dhe nuk kam marrë asnjë mbështetje. Kjo nuk është një kauzë që unë e kam për vete, pasi jam në punë, profesionist, instruktor në gardën e republikës dhe trajner. Tani unë paguaj për taksat, për të gjitha detyrimet, për aktivitetet, për sportistët dhe kam zero mbështetje. Për çfarë duhet t’i paguaj?! Nuk është aspak e drejtë, pasi në një kohë kur kemi emrin dhe statusin e federatës, mendoj që duhet të mbështetemi të gjithë në bazë të aktiviteteve që kemi dhe jo të na fyejnë”, shprehet Arjan Rizaj.

“NUK JEMI SPORT I DHUNSHËM” – Drejtuesi i Federatës Shqiptare të Ndeshjes së Lirë shpjegon se ky sport nuk mund të konsiderohet kurrsesi i dhunshëm: “Ky nuk është aspak një sport i dhunshëm, përkundrazi është një aktivitet që i disiplinon fëmijët dhe të rinjtë, pasi pa disiplinë jam unë i pari që nuk i pranoj brenda palestrës. Ndërsa, sa për informacion, deri në moshën 16 vjeç në MMA nuk lejohen goditjet në kohë. Pra, është një sport shumë herë më pak i rrezikshëm se boksi apo sporte të tjera”, deklaron Riza, i cili thekson se vetëm dashuria dhe pasioni për MMA-në kanë bërë që ta mbajë gjallë këtë sport në Shqipëri.

“Kjo federatë është një e mirë shoqërore, por këtu nuk mbështetet zhvillimi dhe progresi i një gjëje të caktuar. E dua këtë sport me shpirt, më vijnë të rinjtë në palestër dhe po e mbaj me shpenzimet e mia, me ato abonimet që kam në palestër si dhe me ndihmën e ndonjë miku apo shoku”.

Sporti i ndeshjeve të lira pret që së shpejti të bëhet edhe olimpik: “Jemi anëtarë në KOKSH, si dhe në federatën botërore dhe në të ardhmen e afërt pritet të bëhemi edhe sport olimpik. Ndërkombëtarët çuditen me trajtimin që i bëhet federatës sonë këtu dhe më vjen vërtetë turp dhe jam shumë i zhgënjyer për këtë situatë”, përfundon prononcimin e tij, Arjan Rizaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"