Mesfushorin e Laçit e duan të gjithë, në lojë hyn dhe Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2024 | 12:45

Mesfushorin e Laçit e duan të gjithë, në lojë hyn dhe Dinamo

Laçi tregoi një nivel poshtë mesatares sezonin e fundit, madje iu desh të siguronte qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar me ndihmën e ndeshjes shtesë, megjithatë disa prej titullarëve të këtij ekipi ranë në sy me performancën e tyre.UJKAMes tyre është mesfushori Serxho Ujka, i cili për një pjesë të mirë të kampionatit mbajti edhe shiritin e kapitenit te kurbinasit. Niveli në rritje që ai ka treguar në sezonin e tretë me fanellën e Laçit, e ka vënë 25-vjeçarin në vitrinë dhe që pas mbylljes së sezonit për të interesohen disa skuadra të Superiores. Ujka pëlqehet shumë nga trajneri i kampionëve në fuqi të Egnatias, por nga burime pranë lojtari mësohet se rrogozhinasit nuk janë të vetmit që e duan.

DINAMO – Një tjetër skuadër e njohur shqiptare që kërkon shërbimet e mesfushorit lezhjan është Dinamo. Mes Ujkës dhe klubit blu, sipas burimeve pranë lojtarit dhe klubit kurbinas, ka pasur kontakte kohët e fundit. Kryeqytetasit janë vënë në kërkim të mesfushorëve me eksperiencë që pas mbylljes së sezonit të fundit dhe një nga këta është edhe Ujka. Tani mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë konkretisht.

SITUATA – Situata e Ujkës në fakt nuk është e lehtë për t’u zgjidhur, të paktën për momentin. Lojtari ka kontratë me Laçin dhe synimi i tij në fakt është që të largohet nga futbolli shqiptar për të luajtur në Itali. Egnatia dhe Dinamo e kërkojnë dhe mbetet për t’u parë, nëse do të ketë ndonjë akord për të ardhmen e 25-vjeçarit. Laçi, nëse do të vendosë ta lejojë të largohet mesfushorin, me siguri do të shohë ofertën më të mirë financiare. Sezonin e fundit Ujka shënoi 5 gola me fanellën e kurbinasve. Përveç Laçit, në Shqipëri ai ka luajtur edhe me Bylisin në Superiore, ndërkohë që ka dalë nga Shënkolli. Nga Laçi janë larguar tashmë dy mesfushorë të tjerë, Altin Kryeziu dhe Klinti Qato, por nga skuadra e sezonit të fundit pritet të ketë edhe “firo” të tjera”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"