Merkato e komplikuar por me garanci financiare, Dinamo s’është më “pjaca” e dikurshme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2023 | 12:38

Merkato e komplikuar por me garanci financiare, Dinamo s’është më “pjaca” e dikurshme

Stërvitjet do të vazhdojë edhe këtë javë, por Dinamo ka nisur “de facto” pushimet e verës. E megjithatë, kjo gjë prek vetëm ekipin. Për klubin situata është tjetër. Drejtuesit po merren me merkaton dhe ndërtimin e një skuadre që më së paku të mos hasë vështirësi në elitë.

dinamo

Janë fiksuar në letër tashmë lojtarët që u duhen, pjesa më e madhe nga kampionatit shqiptar, ndërsa për ndonjë rol specifik sytë janë hedhur përtej kufijve. Këto ditë do të zhvillohen bisedimet konkrete me emrat e piketuar, njëkohësisht duhet gjetur edhe mënyra për të përcjellë ata elementë, që nuk janë në planet e skuadrës së re.

SYTË, NË SUPERIORE – Për të forcuar Dinamon, drejtuesit kanë si parim të afrojnë lojtarë që e njohin mirë Superioren. Pra, elementë që aktualisht janë pjesë e elitës, por në fund kontrate me klubet e tyre. Dinamo nuk mund të paguajë për të blerë kartonin e lojtarëve, ashtu si shumica e klubeve të tjera shqiptare. Në merkaton që po vjen, përtej emrit të madh si klubi i dytë më i titulluar në vend, Dinamo ka vështirësi të mëdha, sepse prej një kohe të gjatë nuk luan në Europë dhe nuk është në majën e futbollit shqiptar.

Për momentin nuk është një ekip “pjace” dhe logjikisht ka humbur jo pak në sytë e lojtarëve me kualitet dhe ambicie. Në këtë sens, lojtarë të caktuar, të kërkuar njëkohësisht nga disa klube, preferojnë të shkojnë, për shembull te skuadra kampione apo nënkampione e Superiores. Dinamo ka si “armë” të fortë të sajën garancinë financiare, por nuk mund të bëjë çmenduri në tregun aktual të futbollistëve. Blutë mund të rrëmbejnë ndonjë nga elementët më të mirë të skuadrave që bien nga kategoria apo të skuadrave mesatare. Kostot do të jenë më të larta për një sulmues kalibri apo për ndonjë rol tjetër me peshë në skuadër, por edhe këtu blutë synojnë të operojnë me shumë kujdes, sepse nuk duan të digjen.

PISTA E HUAJ – Pista e huaj është dytësore në merkaton e Dinamos. Kjo pistë mund të ndiqet për një ose dy sulmues me nivel, duke qenë se tregu në Shqipëri nuk afron shumë alternativa. Kontaktet e para, sipas asaj që mëson gazeta, kanë nisur, por ende nuk mund të flitet as për akorde paraprake. Blutë do të presin përfundimin e Superiores, për të mësuar se çfarë do të “peshkojnë” konkretisht, për t’iu drejtuar më pas pistës së huaj. Në këtë moment duket se kjo merkato vere do të jetë jo pak e komplikuar për kryeqytetasit.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"