Medalje e artë për Duadaev dhe e argjendtë për Abakarov në Europian, presidenti Prizreni: Krenar për këta djem, gati për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2024 | 16:27

Medalje e artë për Duadaev dhe e argjendtë për Abakarov në Europian, presidenti Prizreni: Krenar për këta djem, gati për…

Afërsisht tri vite më parë, Sahit Prizreni i befasoi të gjithë, me afrimin në radhët e Shqipërisë të Islam Dudaevit dhe Zelimkhan Abakarovit. Që në fillim presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes ishte i bindur se rezultate do të ishin të mëdha dhe ashtu ndodhi, teksa dy djemtë çeçen po shkruajnë historinë e sportit shqiptarë me tituj kampionë Bote dhe Europe.

dudaev abakarov prizreni

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, pas suksesit më të fundit në Europian, medaljes së artë të Dudaevit dhe të argjendtës së Abakarovit, Sahit Prizreni u shfaq shumë i gëzuar dhe i emocionuar për këto arritje: “Çfarë mund të them, janë super rezultate”, ishin fjalët e para nga Prizreni, i cili madje shfaqej edhe më i emocionuar se kur shpallej vetë si sportist, nënkampion Europe apo medalist i bronztë në Botëror me Shqipërinë.

“Jam shumë krenar për të dy sportistët, pasi na kanë nderuar, me paraqitjet e tyre fantastike. Ishim shumë afër medaljes së artë edhe Zelimkhan Abakarovin, por nuk duhet të harrojmë që ai garon në peshën 57 kg dhe arrin të shpallet nënkampion Europe në peshën 61 kg, kështu që ishte një paraqitje më mirë se sa e prisnim. Kemi shkruar historinë, sepse mundja shqiptare për herë të parë ka një kampion Europe. Është një arritje fantastike në të gjitha aspektet. Një medalje ari dhe një argjendi është dhurata më e mirë që mund t’i bënim mundjes dhe sportit”, deklaron presidenti i mundjes shqiptare, i cili më pas fikson edhe objektivat e radhës, duke futur në shënjestër medaljen olimpike:

“Pas Abakarovit, që siç dihet është kualifikuar për në Olimpiadë, tani do të shkojmë me Dudaevin në dy kualifikuese të tjera për të marrë një tjetër biletë kualifikimi me normë për në ‘Paris 2024’. Besoj që do ia dalim dhe do të shkojmë në Lojërat Olimpike për t’i sjellë Shqipërisë medaljen që i mungon”, përfundon prononcimin e tij Sahit Prizreni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"