Medalja e artë në Botëror, trajneri Çakmashi tregon emocionet e Beogradit: Abakarov na i bëri zemrat mal, ju tregoj si është Zelimkhani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 23:44

Medalja e artë në Botëror, trajneri Çakmashi tregon emocionet e Beogradit: Abakarov na i bëri zemrat mal, ju tregoj si është Zelimkhani

Shqipëria vetëm pak ditë më parë regjistroi një rezultat historik, me medaljen e artë të fituar nga Zelimkhan Abakarov në Kampionatin Botëror të mundjes që u mbajt në Beograd. Pjesë e këtij suksesi është pa diskutim edhe trajneri i kombëtares, Leonard Çakmashi.

Cakmashi dhe Abakarov

Një njeri fjalëpakë, por shumë punëtor, i cili pas një karrierë me plot tituj si sportist, prej vitesh është trajner i Kombëtares edhe i Tiranës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, pas kthimit në Shqipëri, Çakmashi rrëfen emocionet e Botërorit.

“Na i bëri zemrat mal”, janë fjalët e para që thotë për Zelimkhanin, për të cilin më pas flet me detaje si në aspektin njerëzor gjithashtu edhe në atë sportiv. Çakmashi është i bindur se Shqipëria do të fitonte më shumë medalje nëse do të shkonte me ekip të plotë në Botëror, gjë të cilën nuk kishte mundësi ta bënte për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm të federatës.

Leonard, si ndiheni pas këtij rezultati? E prisnit medaljen e artë në Botëror?

Ishte shumë emocionuese. Na e ka bërë zemrën mal Zelimkhani. Të them të drejtën, duke parë edhe cilësitë e dy sportistëve, e prisja që do të arrinim rezultatet të larta. Më erdhi shumë keq për Islam Dudaevin, sepse duhej të ishte edhe ai në podium me medalje bronzi, por as vetë nuk e di se si e humbi ndeshjen në ato 30 sekonda të fundit, kur kryesonte me 7 pikë. Mund të them se ia fali medaljen armenit dhe më erdhi shumë keq, por sporti i ka këto.

Duke u kthyer te Zelikmkhan Abakarov, çfarë e bën të veçantë këtë mundës?

Nëse çdo sportist shoqërohet nga emocionet, Zelimkhani është shumë i vendosur për atë që kërkon dhe nuk përfshihet në emocione. Pra, duke qenë shumë i vendosur për ta kënduar himnin tonë kombëtar në Beograd, fokusohet vetëm te ndeshja.

Gjithnjë e pyesnim “Zelim si dukesh? Si je? Do ia dalësh?”, ndërsa ai, gjithmonë i qetë, na thoshte se “me Zotin para (duke qenë se është edhe besimtar) do ta ngrejë këtë flamur”. Dhe ia arriti vërtetë qëllimit. Ka cilësi të përkryera si sportist. Është njeri shumë punëtor dhe shumë i disiplinuar në stërvitje. Na i ka gëzuar zemrat të gjithëve.

Çfarë natyre është?

Të them të drejtën është natyrë shumë e qetë, por në momentin që e cenon pak, reagon, ashtu sikurse edhe në sport. Edhe në ndeshjen finale kundër amerikanit, i cili përpiqej në të gjitha format për ta nervozuar, por gjithnjë Zelimkhani reagimet i ka të kujdesshme dhe nuk e humbet asnjëherë kthjelltësinë. Është shumë luftarak.

Si e shpjegoni traditën e çeçenëve në mundje?

Ata e kanë mundjen sportin e parë, siç kemi ne këtu futbollin ku të gjithë flasin për të. Po të shkosh në Dagestan të gjithë flasin për mundjen dhe janë shumë të apasionuar pas këtij sporti. Duke qenë sporti i parë, ka shumë mundës që stërviten dhe ka rivalitet të lartë. Për këtë janë edhe në këto nivele kaq të larta.

Por janë gjithashtu njerëz shumë të disiplinuar. Me ta nuk ndodh ndonjëherë që të thonë se po e lë sot stërvitjen, sepse do ta bëj nesër. Kjo gjë nuk ndodh kurrë. Për ta stërvitja dhe puna me disiplinë janë të parat, duke u privuar nga qejfet dhe nga shumë gjëra të tjera.

Përveç Abakarovit apo Dudaevit, a ka mundja shqiptare sot sportistë të tjerë të aftë për të synuar medalje në nivele kaq të larta?

Sigurisht, sepse edhe mundësit tanë kanë nivel shumë të lartë. Me ardhjen e dy mundësve çeçenë, edhe sportistët tanë po stërviten dhe kanë marrë shumë prej tyre. Në Botëror nëse do të kishim mundësi prej buxhetit, ne do të fitonim edhe medalje të tjera me sportistët e formuar këtu, por federata e kishte të pamundur që të dërgonte sportistë të tjerë në këtë kompeticion.

Abakarov Cakmashi

Duke biseduar edhe me presidentin Sahit Prizreni, i cili është edhe ishkampion i mundjes, e menduam që të dërgojmë vetëm Abakarovin dhe Dudaevin. Në Shqipëri ka shumë mundës të aftë për të fituar medalje si Paris Karepi, Osman Hajdari, Elmaz Kryeziu, Orges Lila etj. Nëse do të ishin edhe këta djem në Botëror, them që do të fitonim edhe medalje të tjera.

Pra, afrimi i mundësve çeçenë do të ketë një ndikim pozitiv edhe për mundësit e tjerë këtu?

Pa diskutim që po. Mjafton të përmendim vetëm faktin, ku me ardhjen e mundësve nga Dagestani, ne na janë hapur dyert për t’u stërvitur në kampe në Çeçeni apo në Azerbajxhan. Edhe sportistët tanë këtu, duke pasur rivalitet kanë mundësi që të ecin më shumë përpara. Aktualisht kemi një grup sportistësh që janë pothuajse në nivelin e Zelimkhan Abakarovit dhe të Islam Dudaevit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"