“Me bursat ka ngërç”, Prizreni: Në Oran shkuam me lekët e federatës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2022 | 23:59

“Me bursat ka ngërç”, Prizreni: Në Oran shkuam me lekët e federatës

Sahit Prizreni, si gjithnjë, është i drejtpërdrejtë kur vjen puna për të ngritur zërin për problematikat e sportit në Shqipëri. I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, ish-kampioni, aktualisht president i Federatës Shqiptare të Mundjes, flet për çështjen e bursave të sportistëve. Prizreni pranon realitetin, teksa konfirmon ngërçin me akordimin e tyre nga Komiteti Olimpik.

SAHIT PRIZRENI

“Ç’është e vërteta, është një konfuzion i madh. Unë di që djemtë e mundjes kanë marrë 4 muaj bursa, por jo nga fillimi i vitit. Sipas atyre që na kanë thënë, është marrë 4-mujorëshi i dytë. Kemi kërkuar informacion dhe na kanë thënë që do t’i marrin, por në këtë situatë realisht as ne vetë nuk dimë se çfarë t’u themi sportistëve.

Nga bisedat që kam pasur me presidentin dhe sekretarin e Komitetit Olimpik, na është premtuar që bursat do të merren, por ka një lloj ngërçi të cilin nuk e di dhe nuk e kuptoj”, shprehet fillimisht Prizreni, i cili më tej shton:

“Për çudi djemtë i kanë marrë bursat në lekë, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, pasi ato vijnë në dollarë dhe jepen në dollarë. Nuk e kuptoj pse mos të ketë transparencë me bursat, ashtu sikurse bëjnë vendet e tjera, duke nisur që nga Kosova, nëse nuk ka asgjë për të fshehur”, deklaroi kreu i mundjes shqiptare. 39-vjeçari më pas zbulon se delegacioni i mundjes ka udhëtuar me lekët e federatës në Lojërat Mesdhetare në Oran, event ku mundësit i dhuruan një medalje ari dhe një argjendi Shqipërisë:

“Po, është e vërtetë, ne kemi shkuar në Lojërat Mesdhetare me paratë tona, pasi KOKSH-i na ka thënë qartë se nuk ka lekë, pra se shteti nuk u ka dhënë lekë. Organizatori përgjegjës për këto lojëra është KOKSH-i, ndërsa ne e kemi marrë vesh në momentet e fundit që duhet të paguanim biletat dhe nuk kishim nga të shkonim. Janë 10 milionë lekë që kemi shpenzuar për këtë event. Detyrimisht që do t’i dërgonim sportistët edhe sikur të mos kishim fond grant siç ishte në fillim të vitit.

Nëse ne do të kishim pritur nga shteti, Federata Shqiptare e Mundjes nuk do të kishte sot 4 medalje në dy turnetë më të fortë botërorë, 1 medalje europiane në mars dhe 2 medalje në mesdhetare (1 ari dhe 1 bronzi). Në buxhetet e federatave nuk parashikohen fare Lojërat Mesdhetare.

Sot e kësaj dite jemi në pikë të hallit me Kampionatin Botëror, pasi janë dy faza përgatitore, për të mos përmendur kampionatet kombëtare. Do të dalim të lypim me projekte te ministria dhe KOKSH-i për t’i realizuar këto aktivitete, të cilat nesër do t’i sjellin medalje Shqipërisë dhe do të krenohen të gjithë siç ndodhi në Mesdhetare”, përfundon Prizreni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"