Mbrojtja e Apolonisë fut “ujë”, ja çfarë kërkon Rodriges nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 13:20

Mbrojtja e Apolonisë fut “ujë”, ja çfarë kërkon Rodriges nga ekipi

Apolonia pësoi një humbje dramatike ndaj Elbasanit, në një ndeshje ku kaloi dy herë në avantazh dhe në fund e mbylli me shifrat 2-3. Fierakët kanë marrë vetëm një pikë në dy ndeshjet e fundit dhe tashmë janë ulur plotësisht me këmbë në tokë. Trajneri Jerai Rodriges nuk e ka lënë pushim skuadrën, por menjëherë ka drejtuar dje seancën e radhës, që ka zgjatur 70 minuta.

apolonia

Apolonia luan të enjten në Fier kundër Burrelit dhe synimi është kthesa e menjëhershme te fitoret, për të qëndruar në korsinë e skuadrave pretendente për dy vendet e para, që të japin një biletë direkte për ngjitjen në elitë. Stafi ka shumë pak kohë në dispozicion për të përgatitur këtë takim.

“Thjesht dhe vetëm duhet të jemi më të qetë, të duruar, të përkushtuar dhe të përulur. Duhet të vazhdojmë të punojmë fort që të marrim fitoren e parë në shtëpi të enjten. Unë besoj shumë te ju, gjithashtu jam krenar për lojën që bëni. Të bëjmë durim, sepse gjithçka do të vijë duke u përmirësuar”, ka thënë dje para skuadrës në një fjalim të shkurtër që mbajti trajneri Rodriges.

Vetëm në 15 minutat e fundit i gjithë grupi u stërvit i plotë gjatë ditës së djeshme, pasi titullarët kryen një seancë më të lehtë në krahasim me ata që nuk ishin aktivizuar në Elbasan. Ndërkohë, nëse shikojmë statistikat, bardhejeshilët kanë arritur të shënojë 7 gola në 4 ndeshje të luajtura.

Mirëpo, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për prapavijën, e cila në dy ndeshjet e fundit ka pësuar plot katër gola. Rodriges, si një “merakli” i këtij reparti, me patjetër do të kërkojë të përmirësojë shumëçka.

Këtë sezon Apolonia ka vetëm katër mbrojtës të mirëfilltë në dispozicion, sepse i djathti Hebeja dhe i majti Topi, janë mesfushorë. Gjithsesi, fitorja ndaj Burrelit në Fier do të ishte “ilaçi” i vetëm në këtë situatë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"