Mbrojtësi i Apolonisë sheh vetëm trepikëshin në “derbi”, Repaj: E likuidojmë Lushnjën, në shtëpi nuk falim askënd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2023 | 21:10

Mbrojtësi i Apolonisë sheh vetëm trepikëshin në “derbi”, Repaj: E likuidojmë Lushnjën, në shtëpi nuk falim askënd

Apolonia nuk ka në plan që të falë askënd në shtëpi. Të mërkurën presin Lushnjën dhe llogaritë janë të qarta. Me këtë mision do të zbresin në fushë, ndonëse nuk e parashikojnë fort të lehtë. Në fund të fundit luhet derbi dhe ngarkesa emocionale është më e madhe. Këtë e thotë edhe Serjan Repaj, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”:

repaj apolonia

“Duhet të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’ dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje. Në kategorinë e Parë nuk ka ekipe të lehta dhe as renditja nuk duhet të merret fort në konsideratë. Sidoqoftë, misioni ynë nuk ndryshon. Ndaj Lushnjës presim vetëm fitoren. Respektin dhe vlerësimin e kemi maksimal për cilëndo skuadër që kemi përballë, mirëpo duhet të fitojmë çdo ndeshje që e luajmë në shtëpi. Hapi fals është i ndaluar në stadiumin ‘Loni Papuçiu’. Besoj fort te vazhdimësia.

Skuadra është konsoliduar ndjeshëm dhe është në rritje të vazhdueshme. Jemi të uritur për të grumbulluar sa më shumë pikë, sepse kemi hyrë në fazën më delikate të sezonit. Duhet të tregohemi edhe më të kujdesshëm dhe të ruajmë vigjilencën për ta nisur siç duhet fazën e dytë. Pak rëndësi ka kush është kundërshtari i radhës, me rëndësi është që misioni ynë të mos diskutohet asnjëherë”, tha fillimisht 23-vjeçari. Shkodrani dha një koment edhe për bilancin e fazës së parë. “Kemi bërë një fazë të parë të mirë dhe jemi të kënaqur nga rezultatet. Përbërja e ekipit është shumë cilësore, ndaj edhe loja do të përmirësohet në vijim.

Dihet se çfarë synojmë ne dhe kam besim se do të vazhdojmë me këto ritme. Për sa kohë nuk ekziston perfeksioni, mendoj se gjithmonë ka vend për më mirë. Ne jemi ekip i ri me plot dëshirë, vullnet e ambicie për të arritur shumëçka. Ajo që më ngroh, është loja. Ne edhe kur kemi humbur, kemi bërë lojëra të mira. Ndoshta me pak kujdes dhe me më shumë fat mund t’ia kishim dalë për t’u ngjitur më lart në renditje. Pasi edhe fati nuk ka qenë në krahun tonë dhe kjo na ka penalizuar pak”, përfundoi autori i dy golave për bardhejeshilët.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"