Mashtrimi sportiv/ Fotoja dhe rezultati fals, si AIU kapi mat Federatën Shqiptare të Atletikës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2023 | 11:59

Mashtrimi sportiv/ Fotoja dhe rezultati fals, si AIU kapi mat Federatën Shqiptare të Atletikës

Disa muaj më parë një “tërmet” tronditi atletikën shqiptare. Pas një skandali për mashtrim sportiv, Njësia e Integritetit të Atletikës pezulloi presidentin e FSHA-së, Gjergj Ruli, sekretarin Nikolin Dionisi si dhe atletin Izmir Smajlaj.

smajlaj

Por nëse kampioni shkodran vetëm pak ditë më parë e fitoi betejën e tij ligjore, duke u shpallur i pafajshëm, dy drejtuesit e lartë të federatës morën ndëshkime të rënda: 5 vite pezullim për Rulin dhe 4 për Dionisin. Së fundmi, Njësia e Integritetit të Atletikës (AIU) ka zbardhur edhe vendimin, të argumentuar. “Këto sanksione janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e sportit të atletikës dhe janë një paralajmërim për ata që qeverisin atletikën në mbarë botën. Ato kanë një rëndësi të madhe, duke sinjalizuar se Njësia e Integritetit të Atletikës është serioze për ndjekjen penale të zyrtarëve të federatës që shkelin standardet e integritetit”, është shprehur kryetari i AIU, David Howman, pas shpalljes së vendimeve.

Howman theksoi angazhimin e AIU për të luftuar manipulimin e konkurrencës dhe mashtrimin sportiv. “Zyrtarët e federatës supozohet të mbështesin lojën e ndershme dhe sportin e pastër dhe ne do t’i mbajmë ata përgjegjës për veprimet e tyre, nëse provat tregojnë se ata po veprojnë ndryshe,” shtoi Howman. Vendimet kundër shqiptarëve konfirmojnë shkeljet e Kodit të Sjelljes së Integritetit të Atletikës Botërore (Kodi), në periudhën maj-korrik 2021, në lidhje me paraqitjen në Atletikën Botërore të një rezultati të garës për kërcyesin, Izmir Smajlaj, në aktivitetin “Dita e Kërcimeve” të zhvilluar më 8 maj 2021 në Tiranë. Smajlaj u rendit i pari në atë garë me rekord kombëtar dhe distancë më të mirë personale prej 8.16 metrash. Ai rezultat kontribuoi që atleti të siguronte një vend universaliteti për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Tokio 2020 (të mbajtura në verën e 2021-shit). Ndërsa Ruli, përveçse president i federatës ishte gjithashtu trajneri i Smajlajt dhe udhëtoi me sportistin për në Tokio.

DETAJET – AIU kishte pretenduar se Ruli, Dionisi dhe Smajlaj komplotuan së bashku dhe dorëzuan në federatën botërore lexime të falsifikuara të matjes së erës në lidhje me garën. Ndërsa kur u është kërkuar prova e përdorimit të pajisjeve matëse të erës në garë, kanë dorëzuar një fotografi të falsifikuar në AIU. Fotoja e paraqitur ishte e falsifikuar dhe tregonte Smajlajn duke qëndruar në pistën e kërcimit për së gjati përballë pajisjeve matëse të erës, por AIU raporton se Ruli, Dionisi dhe Smajlaj në fund pranuan se në fakt nuk kishte pajisje matëse të erës në konkursin përkatës dhe se kjo foto ishte bërë në një ditë tjetër. Të tre u akuzuan për shkelje të standardeve të mëposhtme të integritetit në Kod: Ndershmëria, Ruajtja e Integritetit të Konkurrencës, Dështimi për të raportuar si dhe Bashkëfajësia.

Dionisi pranoi të gjitha akuzat duke marrë një ndëshkim më të kufizuar, prej 4 vitesh nga 9 dhjetori 2022 deri më 8 dhjetor 2026. Ruli i kundërshtoi akuzat përpara Gjykatës Disiplinore, e cila vendosi se presidenti i FSHA-së ishte i përfshirë me vetëdije në falsifikimin e leximeve të matjes së erës dhe i përfshirë me vetëdije në dorëzimin e një fotografie të falsifikuar në AIU dhe për rrjedhojë kishte vepruar në kundërshtim me Kodin. Ndëshkimi për Rulin është 5-vjeçar, nga 6 prilli 2023 deri më 5 prill 2028. Ndërsa për sa i përket Smajlajt, gjykata nuk mundi që t’i vërtetonte akuzat ndaj tij, duke bërë që pezullimi për ish-kampionin e Europës të hiqej.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"