Marsi transformon fierakët e Apolonisë, Dovedan “kristalizon” 11-shen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2023 | 23:49

Marsi transformon fierakët e Apolonisë, Dovedan “kristalizon” 11-shen

Muaji mars po rezulton fatsjellës për Apoloninë. Skuadra ka gjetur ekuilibrat dhe me gjashtë pikët e marra përballë Tërbunit e Dinamos, sot janë në vend të 7-të. Rreziku ndoshta nuk ka kaluar plotësisht, por shumë pranë kanë edhe zonën “play off”. Vetëm dy pikë larg është mundësia për të kapur elitën. Dhe me moralin që kanë pasi mundën kryeqytetasit në mes të “Selman Stërmasi”, 630 minutat e fundit nuk duken aq malore.

Apolonia

Formacioni titullar duket se është “kristalizuar” dhe prej disa javësh nuk ndryshon. Nëse në nisje të këtij sezoni 11-shja nuk ishte kurrë e njëjta nga java në javë, tani jo më. Edhe ndaj Orikut, në fushë do të zbresin fituesit.

Nëse porta dihet që i përket Harizajt, katërshja Orelesin-Ndubuisi-Repaj-Asllanajn duket se e ka marrë me “tapi” mbrojtjen. Në mesin e fushës janë Shanaj me Hebenë, që kanë më shumë detyra mbrojtëse. Khalid dhe Omeri nuk priten të lëvizin nga pozicionet e tyre në krahun e majtë dhe të djathtë. Janë të dy lojtarë të shpejtë dhe aksionet e njëpasnjëshme nisin pikërisht nga këmbët e tyre. Në majën e sulmit ka vetëm një dilemë, Mario Gjata apo Erald Maksuti.

Ky i fundit bashkë me shtatlartin Antoni Umejiego mbajtën peshën e këtij reparti kundër dinamovitëve. Zgjedhja nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi afrikani realizoi gol dhe fieraku fitoi një penallti. Tundon sigurisht edhe Gjata i rikuperuar tashmë, lojtar që sa herë ka qenë në fushë ka shkëlqyer. Sido që të shkojë, skema pritet të jetë ajo 4-4-2.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"