Marku sheh drejt Superiores: Sulmi i Dinamos e kaloi ngërçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2023 | 11:09

Marku sheh drejt Superiores: Sulmi i Dinamos e kaloi ngërçin

Gjashtë ndeshjet e mbetura të kampionatit janë të gjitha të rëndësishme për Dinamon, por kjo e së hënës me Korabin është më delikate. Dhe këtë e thotë një lojtar që i njeh mirë dibranët. Taulant Marku bën apel për kujdes maksimal. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, autori i 10 golave thekson se kundërshtari është shumë i vështirë për t’u mundur.

taulant marku

“Është një ndeshje e fortë, Korabin e shoh si një ndër skuadrat më të forta të kësaj kategorie. Do të jetë një ndeshje shumë delikate për ne dhe duhet të japim maksimumin. Duhet të jemi të përqendruar gjatë gjithë kohës për të shmangur gabimet. Korabi ka disa sezone që është ndër skuadrat më të mira në Kategorinë e Parë. Ata e njohin shumë mirë këtë kategori dhe e them me bindje se janë një ekip shumë i vështirë për t’u mundur. Dinamo ka një objektiv madhor për të arritur dhe synimi ynë i vetëm është fitorja. Gjithçka tjetër do ta tregojë fusha”, u shpreh fillimisht “bomberi” i dinamovitëve.

Blutë duhet të fitojnë patjetër për të konsoliduar pozitat në renditje, por edhe për të fituar më shumë besim në vetvete, duke lënë pas luhatjet e javëve të fundit, që në këtë fazë të sezonit nuk mund të pranohen. Skuadra, së pari, duhet të “blindojë” prapavijën, për të mos pësuar gola që ia bëjnë ndeshjen malore, siç ka ndodhur jo pak herë këtë kampionat.

SULMI – Nuk kishte si të mos fliste edhe për repartin e tij, ndërsa pohon se kanë sulmin më të mirë të kampionatit dhe se e ka kaluar ngërçin. “Skuadra jonë ka sulmin më të mirë të kësaj kategorie, por edhe lojtarët më të mirë në tërësi. Nuk është rastësi që golashënuesit më të mirë të Kategorisë së Parë janë sulmuesit e Dinamos. Kishim një moment ngërçi, qe e kemi kaluar dhe shpresoj të vazhdojmë ecurinë pozitive deri në fund të kampionatit, duke shënuar golat e ngjitjes në Superiore”, – përfundoi Marku.

Ai dhe Denison kanë mbajtur peshën kryesore të ofensivës së bluve. Në 20 javë kampionat kanë shënuar të dy bashkë 22 gola, 12 braziliani dhe 10 lojtari me origjinë nga Puka. Nuk janë shifra impresionuese, por askush tjetër nuk ka bërë më mirë në Kategorinë e Parë, që ka një specifikë të veçantë. Fitorja e Skënderbeut ndaj Apolonisë e karikon më shumë Dinamon për ndeshjen e së hënës. Objektivi është për të qëndruar gjithmonë pranë korçarëve dhe për të përfituar nga ndonjë hap fals i tyre për të rrëmbyer vendin e parë, që blutë e kanë mbajtur për shumë javë dhe që kanë bindjen se u takon më shumë se dy rivalëve.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"